1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bogdanoviq: mjaft me konflikte, ka ardhur koha e pajtimit!

Bahri Cani7 Shtator 2012

Kosova gjendet ende para sfidave të mëdha. Ndaj ka ardhur koha për marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve, pohon ish-ministri i qeverisë serbe për Kosovën Goran Bogdanoviq.

https://p.dw.com/p/164zn

DW: Kosova gjendet para heqjes së mbikqyrjes së pavarësisë. Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat ajo duhet të përballet pas marrjes së përgjegjësisë së plotë?

Goran Bogdanoviq: E vërtetë është që Kosova këto ditë do të mbetet pa mbikqyrje ndërkombëtare. Ndërkohë që sfidat më të mëdha, të cilat kanë ekzistuar që prej fillimit të konflikteve të armatosura, ekzistojnë edhe sot. Këto janë liria e lëvizijes, problemet e pazgjidhura me pronat, mungesa e gatishmërisë së liderëve politikë shqiptarë dhe serbë për pajtim. Një problem shumë i madh është edhe kthimi i njerëzve të zhvendosur nga Kosova. Kthimi nuk mund të realizohet pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Pra Kosovën e presin sfida dhe probleme të mëdha. Kam frikë se situata nuk mund të ndryshojë pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe pa praninë e saj të fuqishme. Gjendja madje mund të përkeqësohet. Ne që jetojmë këtu dhe e shohim ardhmërinë tonë në Kosovë duam që shqiptarët dhe serbët të pajtohen sa më parë dhe që mosmarrëveshjet të harrohen. Kjo mund të arrihet nëse ekziston vullneti politik, i cili për fat të keq, ende nuk ekziston tek asnjëra palë.

DW: Megjithatë, a mendoni se Kosova dhe Serbia janë të gatshme të arrijnë ndonjë kompromis për tejkalimin e këtyre mosmarrëveshjeve dhe çfarë prisni nga vazhdimi i dialogut?

Goran Bogdanoviq: Unë pres që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë ndonjë zgjidhje kompromisi, me të cilën do të ishin të kënaqur të dy palët dhe në radhë të parë populli serb dhe shqiptar. Ardhmëria e këtyre dy vendeve është në Bashkimin Evropian. Pa BE-në asnjë vend në Evropën Juglindore nuk mund të shkojë përpara. Ndaj të gjithë duhet të bëjmë maksimumin për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Pa anëtarësim në BE nuk do të vendoset shteti juridik dhe nuk do të zgjidhen problemet e mëdha ekonomike në asnjë vend të Ballkanit. Por këtu nuk po flas për Kosovën si shtet, sepse Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Këtu mendoj në Bosnjë-Hercegovinën, Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet tjera.

DW: Zoti Bogdanoviq, t'i kthehemi edhe një herë dialogut: mendoni se qeveria e re e Serbisë, ku ju nuk bëni pjesë, është e gatshme për një dialog të mirëfilltë dhe çfarë prisni nga kjo qeveri?

Goran Bogdanoviq: Ne kemi nisur një rrugë të mirë. Kemi nisur dialogun dhe kemi arritur disa marrëveshje. Ndërsa Qeveria e re tani duhet të zbatojë këto marrëveshje, ndonëse disa prej tyre janë realizuar në kohën e qeverisë sonë. Sfidat më të mëdha janë tani administrimi i integruar i vijave administrative, liria e lëvizjes dhe çështja e veriut. Pa zgjidhjen e çështjes së veriut nuk mund të ketë asnjë përparim në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

DW: Si do të zgjidhjet çështja e veriut, çfarë prisni ju?

Goran Bogdanoviq: Nuk mund të paragjykoj ndonjë zgjidhje, sepse ekziston një dallim i madh mes asaj që unë do të doja dhe gjendjes reale. Më e rëndësishmja është që të vendoset sundimi i ligjit, që të sigurohet liria e lëvizijes, që Eulex-i dhe Kfor-i të lëvizin të lirë, që të neutralizohen dhe eliminohen grupet ekstreme serbe dhe shqiptare në veri, që fajtorët dhe kriminelët të nxirren para drejtësisë. Unë pres që institucionet serbe të mbeten në veri, sepse vetëm falë këtyre institucioneve serbët kanë mundur të mbijetojnë në veri. Kjo nuk duhet të pengojë institucionet e Kosovës apo bashkësinë ndërkombëtare. Por nuk mund të them se cilat do të jetë zgjidhja. Më e rëndësishmja është që të shkojnë në drejtim të pajtimit. Konflikte dhe probleme ka pasur mjaft. Kanë kaluar 13 vjet nga konflikti dhe ne nuk kemi arritur asgjë - jo vetëm serbët, por as shqiparët, të cilët poashtu kanë mbetur pa punë dhe jetojnë në gjendje të rëndë sociale. Ndaj sa më parë duhet të zgjidhim çështjet politike në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen ekonomike dhe njerëzit të fillojnë të jetojnë normalisht, nga puna e tyre.