1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bomba ekologjike në lumin të Bunës

Mustafa Canka / Angelina Verbica25 Nëntor 2013

Delta e lumit të Bunës është një nga zonat më të bukura të natyrës në bregun lindor të Adriatikut. Por çdo vjeshtë në këtë zonë mund të shohësh pamje tmerruese.

https://p.dw.com/p/1AOKD
Grumbuj plehrash në brigjet e Bunës në Mal të Zi
Fotografi: DW/M. Canka

Qindra tonë mbeturina të hedhura në lumin e Bunës, në ishullin e bukur të Adës dhe në plazhin 12 kilometër të gjatë, kanë një pamje apokaliptike. Çfarë nuk ka këtu që nga plastika, deri te soba, krevati dhe shasitë e makinave.

Këto mbeturina nuk vijnë vetëm nga lumi Bunës nga Shqipëria dhe Mali i Zi, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia përmes lumit të Drinit, një degë e të cilit derdhet në Bunë. Prandaj problemi është bërë ndërkombëtar dhe vite më parë ka ndodhur që për shkak të rrymave detare mbeturinat nga këto zona të mbërrinin deri në Dalmacinë e jugut në gadishullin e Peljeshacit dhe në ishullin Mljet.

Të rrezikuar njerëzit, turizmi, zogjtë ...

Gazetari Miljan Knezevic thotë për Deutsche Welle se situata përkeqësohet nga viti në vit. "Ajo që është veçanërisht shqetësuese, janë sasitë e mëdha të mbeturinave mjekësore, kështu që në plazhe mund të gjeni mbetjet e serumeve, shiringa të përdorura, tableta ... Të gjitha këto përfundojnë në brigjet e plazhit të Ulqinit dhe vitet e fundit ky problem po bëhet gjithnjë e më i madh, thotë Knezeviç duke shtuar se për shkak të ndotjes në lumin e Bunës ka gjithnjë e më pak peshq. Sipas vlerësimeve në këtë lumë ka rreth 50.000 tonë mbeturina të ngurta!

Një situatë e tillë shqetëson veçanërisht ambientalistët dhe punonjësit e turizmit, ai ka një ndikim shumë negativ në florën dhe faunën e kësaj delte. E gjithë zona e lumit Buna është në fakt vendi më i rëndësishëm për shtegtimin, dimërimin, shtimin e zogjve dhe ushqimin e tyre në të gjithë bregun lindor të Adriatikut.

Edhe pse i kushtojnë mjaft vëmendje këtij problemi Podgorica dhe Tirana zyrtare pohojnë se nuk kanë para dhe burime për t'i zgjidhur. "Duhet që të ulemi të gjithë së bashku dhe të mendojnë se si ta zgjidhim këtë çështje, sepse projekte të tilla kushtojnë. Do të bëjmë çmos për të krijuar një bashkëpunim, që të ofrojë zgjidhje më të mira, nga sa jemi në gjendje të ofrojmë në këtë moment”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij të zhvilluar para pak kohësh në Mali të Zi.

Ora ekologjike po bie

Duke vënë në dukje se janë të nevojshme përpjekjet e përbashkëta të të gjitha strukturave të shtetit të Malit të Zi dhe Shqipërisë, të komuniteteve lokale në zonën kufitare, të shoqërisë civile dhe mediave, kreu i organizatës mjedisore "Hapi i gjelbër" Xhelal Hoxhic i tha Deutsche Welles se mbeturinat në Bunë dhe në plazhet e Ulqinit përbëjnë një bombë ekologjike, që troket gjithnjë e më fort.

Plazhi i madh në Ulqin
Fotografi: DW/M. Canka

"Nëse kjo vazhdon, pasardhësit tanë do të mbyten në plehra. Ne tani e dimë, se kjo është lëndë e parë dhe ne nuk jemi aq të pasur sa ta hedhim lëndën e parë. Sepse ekologjia nuk është harxhim: ajo është një investim në të ardhmen. Në mënyrë të veçantë këtë duhet ta bëjmë ne në Mal të Zi, sepse e kemi shpallur veten shtet ekologjik. Dhe ligjet ekzistuese janë relativisht të mira, por ato nuk zbatohen", thotë Hoxhic.

Në çdo rast zgjidhja për këtë problem në rritje nuk duket as në horizont dhe ulqinakët me shqetësim presin shirat e reja dhe grumbujt e rinj të mbeturinave.