Boris Tadiç para ndërrimit të postit?
28 Maj 2012Presidenti serb Boris Tadiç që humbi zgjedhjet e balotazhit më 20 maj ndaj rivalit Tomislav Nikoliç është shprehur i gatshëm për të marrë postin e kryeministrit të Serbisë. "Unë jam i gatshëm të bëhem kryeministër" citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa, gazetën e Beogradit "Novosti" të së Hënës. "Përgjigja është po, me kushtin nëse partnerët tanë të koalicionit do të pranonin programin tonë", tha Tadiç të hënën, pas një takimi tre orësh të lidershipit të partisësë tij demokratike. Partia e tij do të jetë gati për të hyrë në koalicion me partnerët e deritanishëm të koalicionit qeveritar të partisë socialiste serbe të Ivica Daçiç, ka thënë Tadiç. Nga ana e tij edhe kryetari i socialistëve serbë, Daçiç është shprehur i gatshëm të bërë një qeveri koalicioni me Tadiçin në krye.
Qeveri me detyra të vështira përpara
Në negociatat e para të zhvilluara mes partive këtë të hënë, mbeten megjithatë ende shumë pengesa për t'u kapërcer, njoftojnë mediat serbe. Nëse partia socialiste serbe kërkon dhënien fund të bashkëpunimit me Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, Tadiçi këmbëngul për një marrëveshje të re me organizatën botërore financiare. Sipas Tadiçit vetëm kështu mund të sigurohen investimet e huaja dhe të hapen vende të reja pune.
Qeveria e re serbe duhet të përballet me krizën më të rëndë sociale dhe ekonomike që ka përfshirë Serbinë prej më shumë se një viti. Gazeta serbe "Blic" i përmbledh detyrat e qeverisë së re: "Korrupsioni, papunësia, sundimi partiak dhe Kosova janë problemet më kyçe të qeverisë së re serbe." Sipas shumë analistëve vendas, edhe drejtësi,a e cila shpesh ndodhet nën kontrollin e politikës ka nevojë për reforma.
Serbia nuk dorëzon Kosovën për BE-në
Ndërsa në takimin e parë të presidentit të ri serb Tomislav Nikoliç me presidentin rus, Vladimir Putin të Shtunën në Moskë, në kuadër të kongresit të partisë "Rusia e Bashkuar", bëhet e qartë lidhja shpirtërore mes dy vendeve. Putin tha se" Ne e shohim Serbinë si vëllezërit tanë shpirtërorë. Ndërsa Nikoliçi bëri të qartë se "Serbia është partner i Rusisë në Ballklan" dhe se ai do të mbrojë interesat e Rusisë dhe Serbisë. Megjithatë ai edhe njëherë theksoi se dëshiron që Serbia t'i bashkangjitet BE-së. "Serbia ndodhet në një rrugë të gjatë dhe pasigurt" drejt BE-së, por ajo nuk do të dorëzojë Kosovën për hir të anëtarësimit në Bashkimin Europian, tha Nikoliç të shtunën në Moskë.
Autor: AG/Arapi
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora