1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borxhet shtetërore në Gjermania

5 Korrik 2010

Borxhet gjermane shtohen dhe shtohen. 1,7 bilionë euro janë borxhet që federata, landet dhe komunat janë të detyruara të kthejnë, skenar ky i tmerrshëm për qytetarët gjermanë. Por, borxhet për shtetin nuk janë keq.

https://p.dw.com/p/OAm1
Pllakat- Borxhet
Pllakat- BorxhetFotografi: BilderBox

Borxhet e mëdha të shtetit janë për publikun e gjerë gjerman si fantazmë e frikshme. Por marrja e borxheve nga shteti ka një kuptim:


"Po, mund të ketë kuptim kur për shembull koniuktura është e keqe, kur ekonomia private nuk investon, por vetëm konsumon, kështu që shteti mund të ndërhyjë nëpërmjet marrjes së borxheve, duke marrë si të thuash rolin e privatit dhe duke konsumuar e investuar në mënyrë që t`i japë hov ekonomisë. Në këtë mënyrë shteti jep sinjalin se edhe ekonomia private duhet të investojë dhe konsumojë sërish. Kështu mund të pengohet zhvillimi i keq ekonomik dhe papunësia e lartë", thotë Gustav Horn.

Gustav Horn, ekspert konjukture në Institutin e Studimeve Ekonomike
Gustav Horn, ekspert konjukture në Institutin e Studimeve Ekonomike

Ai është ekonomist dhe drejton Institutin për studimin e makroekonomisë dhe koniukturës në Fondacionin e afërt me sindikatat, Hans-Böckler. Në nivel ndërkombëtar, marrja e borxheve në kohë krizash vlerësohet si instrument i mirë për politikën ekonomike. Megjithatë ky vlerësim është i ndryshëm në shtete të ndryshme.

Borxhet e shtetit si të drejta për stimulim


Edhe historiani i ekonomisë Werner Abelshauser nga Universiteti i Bielefeldit i vlerëson borxhet e shtetit si të drejta për stimulimin e konjukturës. Ai mendon se investimet afatgjata në infrastrukturë dhe në fushën e kërkimeve duhet të financohen nga shteti nëpërmjet kredive, sepse:

"Vetëm kur shteti merr përsipër funksionin e investimeve në të ardhmen, dhe kjo është e domosdoshme në sektorin e arsimit, atëherë ka përmbushur detyrimet e tij."

Në mënyrë që shteti të përmbushë detyrimet e tij, merr kredite që i jep si detyrime shtetërore. Këto janë letra me vlerë që jepen me përqindje të garantuara, që zakonisht vlerësohen si kategori të sigurta investimesh dhe që mund të blihen nga qytetarët pa e vrarë ndërgjegjen për krijimin dhe mbajtjen e pasurisë.

Grafik informativ i frenimit të borxheve nga plani i kursimit për periudhën 2011-2014
Grafik informativ i frenimit të borxheve nga plani i kursimit për periudhën 2011-2014

Borxhet e sotme nuk i ngarkojnë brezat e ardhshëm


Pretendimet e shprehura shpesh, që borxhet shtetërore të sotme do të ngarkojnë fëmijët dhe pasardhësit e tyre nesër, nuk pranohen nga ekspertët e ekonomisë.

"Kjo retorikë nuk mund të kuptohet nga ekonomistët e ekonomisë popullore. Sepse po të ishte kështu ne nuk do të mund të kalojmë në të ardhmen asnjë lloj ngarkese. Por kjo nuk mund të ndodhë. Çdo brez jeton nga prodhimi social që arrin, dhe kjo nuk është e transmetueshme",

thotë Werner Abelshauser.

Edhe Gustav Horn vlerëson se borxhet e shtetit nuk do të thotë automatikisht krijimi i një problemi për brezat e ardhshëm.

"Ky mendin nuk është i drejtë. Vetëkuptohet që përqindjet e borxheve do të duhet të paguhen nga brezat e ardhshëm. Kjo është njëra anë. Kurse ana tjetër është se letrat me vlerë trashëgohen më tej. Ne nuk trashëgojmë vetëm borxhet por edhe pasurinë. Dhe nga kjo përfiton edhe brezi i ardhshëm."


Borxhet e shtetit duhet të kufizohen tek investimet afatgjata


Megjithatë mendon Horn, ekziston një problem me shpërndarjen, midis atyre që zotërojnë letra me vlerë dhe marrin përqindjet e tyre dhe atyre që nuk janë në gjendje të krijojnë pasuri.

Rritja shumë e madhe e borxheve të shtetit nuk duhet të jetë problem për shumicën e pasurisë. Ata tremben se shteti mund të humbasë aftësinë e veprimit duke marrë shumë borxhe.

Në fakt borxhet e shtetit duhet të kufizohen tek investimet afatgjata. "Rregulli i artë" i politikës financiare që thotë se borxhet duhet të merren vetëm për investime afatgjata nuk duhet harruar.

Autor: Klaus Ulrich/Aida Cama

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi