1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

211111 Papademos Barroso

22 Nëntor 2011

Kryeministri grek, Lukas Papadhimos, premton në Bruksel zbatimin e reformave. Por letrën me premtimin e partive kryesore ai nuk e solli dot me vete.

https://p.dw.com/p/13EZR
Papademos dhe Jose Manuel Barroso në Bruksel
Papademos dhe Jose Manuel Barroso në BrukselFotografi: dapd

Lukas Papadhimos u shfaq në konferencën e shtypit në Bruksel shumë serioz dhe gati i përulur. Nuk është çudi, begatia dhe mjerimi i vendit të tij varen nga hapat e premtuar për kursime dhe reforma. Këto kërkesa do t'i plotësojë me çdo kusht Papadhimos: "Unë jam i bindur se qeveria e re do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e saj në një kohë relativisht të shkurtër. Qëllimi është që Greqia të mbetet në eurozonë. Pas këtij synimi është shumica dërrmuese e popullit grek. Kjo është e vetmja rrugë përpara dhe alternativa e vetme për këtë qeveri dhe popullin grek."

Angazhim afatgjatë

Shefi i konservatorëve grekë, Antonis Samaras, refuzon deklaratën me shkrim
Shefi i konservatorëve grekë, Antonis Samaras, refuzon deklaratën me shkrimFotografi: picture-alliance/dpa

Ajo, që nuk mundi të dorëzojë Papadhimos, ishte premtimi se të tre udhëheqësit e grupeve parlamentare të qeverisë së tij kalimtare angazhohen me shkrim për reformat. Antonis Samaras, udhëheqësi konservator, e ka refuzuar këtë deri tani. Papadhimos i bëri atij indirekt thirrje, të heqë dorë nga rezistenca e tij: "Partnerët tanë evropianë dhe FMN angazhohen për financimin e Greqisë për një kohë të gjatë. Dhe për këtë arsye ata presin një detyrim korrespondues jo vetëm të kësaj qeverie, por edhe të politikanëve drejtues, që ata të përcaktohen në afat të mesëm dhe në afat të gjatë."

Në qoftë se donatorët ndërkombëtarë nuk janë të sigurtë se Greqia është duke kryer vetë masa kursimesh dhe reforma për një periudhë afatgjatë, ato mund të refuzojnë ndihmën e mëtejshme. Këtu bën pjesë kësti i ardhshëm nga paketa aktuale e ndihmës dhe pastaj e gjithë paketa e dytë. Pa mbështetjen e mëtejshme vendi do të falimentonte brenda disa javëve.

"Alternativat janë shumë, shumë më të vështira"

Presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso, tregoi mirëkuptim për vështirësitë që kërkohen nga popullsia greke: "Unë e di, këto janë kohë shumë të vështira për shumë qytetarë grekë. Unë nuk e nënvlerësoj dhimbjen, që shkaktojnë reduktimet e nevojshme të shpenzimeve publike. Por ndonjëherë në jetë ne duhet të marrin vendime të vështira. Alternativat janë shumë, shumë më të vështira. Unë shpresoj dhe besoj se populli grek do ta mbështesë këtë qeveri dhe do ta kuptojë, përse këto vendime janë të nevojshme."

Euro-obligacionet quhen obligacione stabiliteti

Gjermania refuzon euroobligacionet, Angela Merkel dhe ministri i Financave, Wolfgang Schäuble
Gjermania refuzon euroobligacionet, Angela Merkel dhe ministri i Financave, Wolfgang SchäubleFotografi: dapd

Barroso u pyet gjithashtu edhe për idenë e euroobligacioneve të përbashkëta. Megjithë kundërshtimin nga qeveria gjermane Presidenti i Komisionit Evropian e hodhi këtë ide përsëri dhe euroobligacionet për shkak të kësaj rezistence i quajti "obligacione stabiliteti". Qeveria federale nuk dëshiron që borxhi publik të bëhet i përbashkët, sepse euro-obligaciont ngrenë normën e interesit për Gjermaninë solide duke reduktuar presionin mbi vendet jo solide. Barroso u shpreh i kujdesshëm: „Ne besojmë se në të ardhmen do të jetë ndoshta e përshtatshme, që të kemi obligacione stabiliteti. E theksoj, me kusht që të ekzistojnë mekanizma të përshtatshëm disiplinorë dhe konvergues."

Berlini është i interesuar kryesisht për disiplinën buxhetore dhe meqenëse Barroso e quan disiplinën si një kusht paraprak për euroobligacionet, përpiqet me sa duket t'ua bëjë ato gjermanëve interesante. Qeveria federale ka thënë deri tani vetëm se ajo dëshiron të marrë parasysh propozimet. Të mërkurën (23.11.) Komisioni do t'i paraqesë ato në detaje.

Autor: Christoph Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: E. Xhani