1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brukseli Shkupit - Paralajmërim për rivendosjen e regjimit të vizave

1 Nëntor 2010

Shkaku i paralajmërimeve: Numri i qytetarëve nga Maqedonia që kërkojnë azil në vendet e BE-së është rritur dukshëm. Qeveria maqedonase premton fillimin e një fushate për informimin e qytetarëve lidhur me këto çështje.

https://p.dw.com/p/PvPK
Fotografi: Petr Stojanovski

Bashkimi Evropian i ka bërë kritika të ashpra Maqedonisë për rritjen gjithnjë e më shumë të azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e BE-së. Nëse Shkupi nuk e parandalon këtë dukuri, vendi mund të ballafaqohet me rivendosjen e regjimit të vizave Shengen. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë numri i azilkërkuesve nga vjeshta ka filluar të shënojë rritje: vetëm në Gjermani në muajin shtator janë paraqitur 521 kërkësa për azil, 146 në Suedi dhe 82 në Belgjikë. Në muajin tetor numri i azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e Bashkimit Evropian është rritur në 206 persona. Vala e re e azilkërkuesve dhe paralajmërimet e zyrtarëve të lartë të BE-s për mundësinë e rivendosjes së regjimit të vizave, kanë alarmuar institucionet në Maqedoni për të ndërmarrë masa në parandalimin e migrimit të qytetarëve.

‘‘Qeveria në seancën e fundit ka marrë vendim që të vazhdohet me fushatën me qëllim që të njohtohen qytetarët të cilët dëshirojnë që të largohen nga Maqedonia dhe që kërkojnë azil se këto gjasa janë zero, pra të njohtohen qytetarët me procesin e liberalizimit me procesin i cili parasheh vetëm qëndrimin e tyre në vend të huaj për kohë të caktuar” - thotë Muhamed Hoxha zëdhënës i qeverisë së Maqedonisë.

Kontroll në kufirin polak
Kontroll në kufirin polakFotografi: picture-alliance/dpa

Për të gjithë ata persona që do të vazhdojnë të keqpërdorin liberalizimin e vizave do të rishqyrtohet mundësia që t'u merren dokumentet e udhëtimit. Kjo dhe masat e tjera sanksionuese do të ndërmeren nëse vjen deri te eskalimi i situatës. Sipas analizave te Ministrisë së Jashtme, azilkërkuesit i dinë pasojat nga keqpërdorimi i liberalizimit të vizave, por këtë e bëjnë për shkaqe të përfitimeve financiare. Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, ka bërë me dije se tani azil kërkuesit nuk do të kenë asnjë përfitim financiar pasi shtetet si Holanda, Austria dhe Gjermania i kanë ndërprerë beneficionet financiare që u jepeshin azilkërkuesve gjatë zhvillimit të procedurës.

“Në këtë fazë vleresojmë se nuk ka nevojë që Maqedonia të sanksionohet me rivendosjen e regjimit të vizave, sepse ne do të arrijmë që të pengojmë dukurinë e azil kërkuesve me një fushatë të vazhdueshme me qytetarët ku ata do të informohen se nuk ka asnjë gjasë për marrjen e azilit në cilindo shtet të BE-s” deklaron Gordana Jankulovska.

Sekretari i shtetit për azil dhe migrim i Belgjikës, Meklior Vatle ka vizituar Shutkën, dhe Likovën, komuna këto nga është numri më i madh i azil kërkuesve në Belgjikë. “Që nga fillimi i këtij muaji përballemi me një rritje të madhe të azilkërkuesve në Belgjikë, ky fenomen duhet të luftohet dhe sa më shpejtë që është e mundur të pengohet”, i ka porositur Vatle autoritetet e pushtetit lokal në Maqedoni.

Analisti politik, Sllobodan Çashule, mendon se BE nuk do të rivendosë për disa qindra azilkërkues regjimin e vizave për Maqedoninë. “Kritikat e Brukselit drejtuar Shkupit duhet t'i kuptojmë si vërejtje të fundit dhe se Maqedonia duhet të marrë masa sanksionuese ndaj atij grupi të qytetarëve që keqpërdorin liberalizimin e regjimit të vizave”, thotë Çashule.

Ndihmë për tejkalimin e situatës me fenomenin e azilkërkuesve ka ofruar edhe Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave Migruese e cila do të inkuadrohet në fushatë për informim të mirëfilltë se çka nënkuptohet me liberalizimin e regjimit të vizave me vendet e BE-së.

Autor: Fatos Musliu
Readktor: Pandeli Pani