1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa strategji në Siri?

Michael Knigge / Esat Ahmeti1 Shtator 2013

Në intervistë për DW, ish këshilltari i Sigurisë Kombëtare amerikane, Zbigniew Brzezinski shprehet kundër sulmeve ndoshta të pashmangshme ushtarake kundër Sirisë. SHBA-së i mungon strategjia koherente, beson ai.

https://p.dw.com/p/19ZHp
Fotografi: picture-alliance/Photoshot

DW: Tani që SHBA-të dhe aleatët e saj perëndimorë pothuajse nuk kanë më fare dyshime se presidenti i Sirisë Assad qëndron prapa sulmeve me gaz helmues në vendin e tij, një ndërhyrje ushtarake duket e pashmangshme. A jeni ju për një mision të tillë, si e vlerësoni ju situatën aktuale?

Zbigniew Brzezinski: Unë besoj se një sulm ushtarak - në qoftë se ai ndodh në të vërtetë - duhet të jetë pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse. Përndryshe ndërhyrja mund të jetë një masë ndëshkuese e drejtë, por shtrohet pyetja a e zgjidh ajo problemin? A ka një strategji të përshtatshme për të zgjidhur problemin? Dhe kush është pjesë e zgjidhjes dhe kush nuk është? Për këto çështje duhet të mendohet në mënyrë intensive para se të ndërhyhet ushtarakisht. Një sulm ushtarak mund të jetë moralisht i pranueshëm për shkak të ashpërsisë së krimeve të kryera në Siri, por duhet të kihet gjithashtu parasysh se ai mund të ketë pasoja të padëshirueshme.

A mendoni se qeveria amerikane ka një strategji të qartë në Siri, edhe për kohën pas një ndërhyrjeje ushtarake?

Nëse është kështu, atëherë ky është një sekret i ruajtur mirë.

Çfarë strategjie e gjykoni ju si të përshtatshme?

Mua më duket se problemi në rastin e Sirisë është pjesë e një dileme të madhe, në sfondin e kryengritjeve të fundit në Lindjen e Mesme. Zgjidhja nuk mund të jetë thjesht as ushtarake, as nuk duhet të bëhet e varur vetëm nga fuqitë perëndimore. Mua më habit fakti se sa të etura duket të jenë Britania e Madhe dhe Franca për një goditje ushtarake. Por natyrisht nuk duhet harruar se këto dy vende janë ish-fuqi koloniale në rajon.

Ju thoni se në një sulm ushtarak, nëse është e mundur, duhet të jetë i përfshirë një koalicion i madh. Për kë mendoni saktësisht?

Turqia duhet të përfshihet hapur dhe drejtpërdrejtë në një sulm ushtarak, kjo do të ishte më e pakta. Përveç kësaj, vendet që përfitojnë ekonomikisht nga stabiliteti minimal në Lindjen e Mesme ekonomikisht, duhet ta mbështesin hapur ndërhyrjen ushtarake. Unë jam duke menduar për disa vende të fuqishme aziatike, të cilat e kanë të siguruar furnizimin me energji elektrike vetëm atëherë kur vendet tranzite në Lindjen e Mesme nuk fundosen në një kaos të plotë.

Ju tani nuk e përmendët Rusinë. Si e shihni rolin e saj?

Rusia duhet të jetë më e arsyeshme në fushën e bashkëpunimit me vendet e tjera, jo vetëm për një zgjidhje të problemit të Sirisë, por në përgjithësi për të vendosur standardet ndërkombëtare, edhe në lidhje me politikën bërthamore të Iranit, d.m.th. se si programi bërthamor i Iranit të bëhet më i qëndrueshëm dhe të legjitimohet ndërkombëtarisht. Natyrisht, Rusia duhet gjithashtu të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, përfundimisht disa probleme në rajon ndodhin për shkak të këtij konflikti. Të gjitha këto gjëra duhet të shihen në një kontekst më të gjerë dhe të veprohet në përputhje me rrethanat.

Çfarë pasojash mund të ketë një goditje ushtarake kundër regjimit sirian? Presidenti Assad ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara nga një Vietnam i dytë. A mund të merret seriozisht një kërcënim i tillë?

Çdo analogji mund të jetë e përshtatshme deri në një farë mase, por ajo gjithashtu mund të jetë edhe shumë çorientuese. Unë mendoj se situata në Siri është shumë e ndryshme nga ajo në Vietnam, para së gjithash kur dihet se rezistenca kundër Assadit në Siri është e konsiderueshme. Në të njëjtën kohë autorët e kësaj rezistence nuk janë aq të pëlqyeshëm për Perëndimin.

Zbigniew Brzezinski ka qenë këshilltari i Sigurimit Kombëtar të SHBA gjatë mandatit të presidentit Jimmy Karter nga viti 1977 deri në vitin 1981. Ai konsiderohet si një prej ekspertëve më të shquar të politikës së jashtme amerikane. Ai është aktualisht profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins dhe gjithashtu shërben si këshilltar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.