1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BTI 2014: Deficite në demokraci dhe mungesë reformash sociale

Pandeli Pani23 Janar 2014

Në BTI 2014 konstatohet se polarizimi shoqëror po shtohet dhe krahas tij po rritet edhe ndikimi i dogmave fetare.

https://p.dw.com/p/1Aw9W
Fotografi: DW/K. Gomes

Indeksi Transformimi i Fondacionit Bertelsmann (BTI) 2014 konstaton deficite në demokraci dhe mungesën e reformave sociale në vende të ndryshme të botës. Në BTI 2014 konstatohet se polarizimi shoqëror po shtohet dhe krahas tij po rritet edhe ndikimi i dogmave fetare.

Konfliktet etno-politike ende pengesë

Sa u përket vendeve të Evropës Juglindore në raportin që shoqëron Indeksin e Transformimit të Fondacionit Bertelsmann 2014 konstatohet se konfliktet etno-politike dhe politikat e polarizimit dhe të monopolizimit të pushtetit janë ende pengesë për cilësinë e demokracisë.

"Konfliktet etno-politike për përkatësinë në shtetin komb i vështirësojnë akoma proceset politike dhe ekonomike të transformimit në Bosnjë dhe Kosovë, edhe pse Beogradi dhe Prishtina filluan pas ndryshimit të qeverisë në Serbi dialogun në nivel politik në prill 2013, i cili çoi në një marrëveshje për integrimin e strukturave të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës." - thuhet në raportin e BMI 2014.

"Megjithëse Maqedonia vazhdoi me modelin demokratik të një qeverie të përbashkët të partive etnike maqedonase apo shqiptare, politika qeveritare e polarizimit dhe e monopolizimit të pushtetit e kanë dëmtuar, sikurse dhe në Shqipëri, cilësinë e demokracisë." - konstatojnë hartuesit e BMI 2014.

Transformimi politik - Abuzimi me pushtetin

Partitë në pushtet e kanë përdorur shumicën e tyre parlamentare për të dobësuar masat e parashikuara në Kushtetutë për mekanizmat e kontrollit të ndërsjellë dhe për të forcuar pozitën e vet të pushtetit në shtet dhe shoqëri. Ky model i orientuar nga politika dominuese e pushtetit u vu re në periudhën e studiuar veçanërisht në Shqipëri, Maqedoni, Rumani dhe Hungari.

Shqipëria ka shënuar në indeksin e demokracisë një rënie me -0,55 pikë. Sipas raportit Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha ka vendosur në funksione të spikatura publike si Presidenti i vendit, shefi i Shërbimit Sekret dhe Prokurori i Përgjithshëm pasuesit e saj. Po ashtu PD-ja arriti që kandidati i saj të zgjidhej në maj 2011 si kryetari i bashkisë së Tiranës, por sipas raportit me ndihmën e një numërimi të kontestueshëm votash.

Transformimi ekonomik - Hapa prapa

Vështirësitë ekonomike në eurozonë dhe mundësitë e kufizuara për të marrë kredi i kanë shkaktuar probleme të gjithë rajonit. Shqipëria, Kosova, Rumania dhe Serbia janë prekur veçanërisht nga rënia e remitancave, pra paratë që dërgojnë në këto vende për familjen dhe të afërmit emigrantë që punojnë në Evropën Perëndimore.