1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bulatovi lejohet të mjekohet në Perëndim

Roman Goncharenko/Auron Dodi4 Shkurt 2014

Një aktivist i opozitës rrëmbehet dhe torturohet me ditë të tëra shtazërisht. Dmitro Bulatov është kthyer në një nga figurat simbol të protestave në Ukrainë. Tani ai lejohet të mjekohet në Perëndim.

https://p.dw.com/p/1B2HU
Dmitri Bulatov
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Pamje të tilla deri tani i njihnim nga Iraku, nga Siria, por jo nga Ukraina. Një i ri me fytyrë të mbuluar me gjak, e gjithë faqja e majtë është e mbuluar nga gjaku. Burri ngreh pulovrën dhe syri të sheh një njollë të madhe kafe gjaku, që vazhdon që nga gjoksi deri në bark. Edhe duart janë me gjurmë gjaku.

E pasigurtë leja e udhëtimit për në Evropë

Fotografia u bë mbrëmjen e 30 janarit 2014 në një fshat jo larg kryeqytetit të Ukrainës, Kiev. Burri quhet Dmitro Bulatov, një aktivist i opozitës, i cili konsiderohej i humbur që prej një jave. Në një intervistë, që dha, pasi e liruan, ai tregoi se persona të panjohur e patën rrëmbyer në 22 janar në Kiev dhe e patën torturuar për ditë të tëra. "Ata më prenë një pjesë të veshit, goditën gozhdë me duart e mia, nuk ka vend në trupin tim që të jetë në rregull". Megjithatë, Bulatovi tregohet luftarak: "Unë do të vazhdoj." Aktualisht ai ndodhet në Kiev, por shpejt lejohet të udhëtojë në BE për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Këtë e vendosi një gjykatë ukrainase të dielën në mbrëmje..

Protesta në Kiev
Protesta në KievFotografi: picture-alliance/dpa

Ishte e pasigurtë, nëse ai do të mund të udhëtonte. Sepse së fundi policia e Ukrainës bënte hetime kundër Bulatovit. Ministria e Brendshme e akuzoi për pjesëmarrje në trazirat masive. Por tani procesi kundër tij u mbyll. Njëkohësisht policia u përpoq ta sqaronte ditët e fundit rrëmbimin e tij. Por kur hetuesit donin ta merrnin në pyetje aktivistin në një spital të Kievit, këtë e ndaluan miqtë e tij dhe mjekët, zyrtarisht për shkaqe shëndetësore. Ata druheshin me sa duket, se mund ta arrestonin.

Ky rast është më brutali në një seri rrëmbimesh të aktivistëve opozitarë. Një burrë vdiq në pyll nga të ftohtët, ai nuk qe në gjendje të kujdesej për veten, rrëmbyesit i patën lidhur duart. Disa politikanë opozitarë flasin për "skuadra të vdekjes", të cilat thuhet se përbëhen nga policë dhe kriminelë. Dëshmi për këtë deri tani nuk ka, vetëm të dhëna të tërthorta.

"Automaidan" zemëroi presidentin dhe kryeministrin

Pse u bë pikërisht Bulatovi viktimë e dhunës kafshërore? Si erdhi puna, që fytyra e mbuluar me gjak e babait 35 vjeçar nga Kievi u bë një simbol i protestave të opozitarëve? Bulatovi është njëri nga drejtuesit e të ashtuquajturit "automaidan". Kështu quhet një grup pronarësh kryesisht të rinj automjetesh, që u organizua në krye të protestave në nëntor 2013 në Kiev. Ata i zbukuruan automjetet e tyre me flamuj të BE dhe udhëtuan me to nëpër qytet, për të bërë thirrje për protesta në sheshin e pavarësisë (Maidan Nesaleshnosti). Por kjo nuk qe e gjitha.

Kliçko që një nga të parët, që e vizitoi Bulatovin në klinikë.
Kliçko që një nga të parët, që e vizitoi Bulatovin në klinikë.Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Në dhjetor, qindra aktivistë të "automaidan"-it, midis tyre Bulatovi me makinën e tij VW Polo udhëtuan në Meshihirija pranë Kievit, ku ka rezidencën presidenti. Shumë ata nuk mundën të avancojnë, sepse policia ua bllokoi rrugën. Në manifestimin e 19 janarit 2014 ai kërkoi duke qëndruar në podium në Kiev nga politikanët e opozitës që të bien dakord për një drejtues të protestave. Por ata nuk pranuan. Pak para rrëmbimit, Bulatovi tha se "automaidani" e njeh Vitali Kliçkon, nga Partia UDAR si drejtues të protestave. Kliçko që një nga të parët, që e vizitoi Bulatovin në klinikë.