1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu do të hetojë terrorin neonazist

14 Janar 2012

Seria e dështimeve shumë të rënda me rastin e ndjekjes së ekstremistëve të djathtë të grupit terrorist "Ilegaliteti Nacionalsocialist" do të hetohet edhe nga Bundestagu. Kritikët thonë se s'ka nevojë për komision.

https://p.dw.com/p/13jQg
Beate Zschäpe, Uwe Böhnhardt dhe Uwe Mundlos.
Treshja terroriste Beate Zschäpe, Uwe Böhnhardt dhe Uwe Mundlos: Si ka qenë e mundur të vrasin kaq shumë njerëz?!Fotografi: picture-alliance/dpa

Komisionet hetimore parlamentare janë "arma më e fuqishme" në duart e opozitës për të korrigjuar qeverinë. Komisionet e tillla nuk janë të rralla, por kësaj radhe shpresohet se gjërat do të jenë më ndryshe. Dështimi shokues i shtetit dhe shërbimeve sekrete si dhe vrasja e 10 njerëzve prej neonazistëve, ndër të cilët nëntë migrantë, është një turp kaq i madh sa që partitë në Berlin kanë hequr dorë nga taktikat dhe ngjyrat politike. Këtë premton edhe përfaqësuesi i socialdemokratëve në Bundestag, Thomas Oppermann. Ai pohon se partitë me orientim demokratik në parlamentin gjerman "do të veprojnë së bashku kundër ekstremizmit të djathtë, me shpresë se do të ndryshojnë qëndrimin e organeve të sigurisë dhe qytetarëve ndaj parullave të ekstremizmit të djathtë".

Thomas Oppermann
Thomas OppermannFotografi: picture-alliance/dpa

Oppermann thotë se në të kaluarën është nënvlerësuar rreziku nga ekstremizmi i djathtë, që ka ndikuar edhe në hetimet dhe qëndrimet e hetuesve ndaj grupeve neonaziste -terroriste.

Të sqarohen çështjet e hapura

Si ka qenë e mundur që një grup i vogël terrorist, i cili ka qenë i njohur për organet e sigurisë, të veprojë 13 vjet pa u penguar? Kjo pyetje shqetëson të gjitha partitë në Berlin. Të pesë partitë parlamentare janë të mendimit se duhet themeluar një komision hetimor, për të sqaruar këto çështje deri në fund. Brenda dy javësh do të sqarohen edhe detajet e tjera. Qëllimi është që të zbardhet i gjithë sfondi dhe të hetohen të gjithë përgjegjësit për dështimin e pashembullt të forcave të sigurisë. Ata që refuzojnë bashkëpunimin me këtë komision mund të dënohen edhe me heqje lirie.

Por kritikët janë të mendimit se komisioni mund të dështojë, sepse dështimet dhe gabimet janë bërë prej forcave policore dhe shërbimeve në lande, ku Berlini ka vetëm mundësi të kufizuara veprimi. Qeveritë e landeve janë ato të cilat duhet të ndihmojnë hetimet.

Deputeti liberal Hartfried Wolff thotë se kjo është e vetëkuptueshme kur dihen përmasat e terrorit të kryer: "Unë pres nga ministrat e landeve gatishmëri për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe për mbështetjen e Bundestagut gjerman."

Zbardhja e plotë

Krijimi i Qendrës kundër ekstremizmit të djathtë.
Krijimi i Qendrës kundër ekstremizmit të djathtë.Fotografi: dapd

Dështimet dhe mungesa e koordinimit mes shërbimeve të landeve kanë luajtur një rol të madh në vrasjen e terroristëve neonazistë. Ndaj ministrat e brendshëm të landeve dhe federatës kanë vendosur të krijojnë një komision ekspertësh për zbardhjen e ngjarjeve. I pari që reagoi ishte ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich i cili në Dhjetor ka krijuar një Qendër të policisë dhe shërbimeve sekrete për mbrojtje kushtetuese. Kjo Qendër është e ngjashme me atë që është krijuar pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001. Rreth 400 nëpunës po hetojnë nëse ky grup terrorist ka kryer edhe vrasje të tjera.

Komisione të posaçme janë krijuar edhe në disa lande, me qëllim zbardhjen e plotë të sfondit të vrasjeve. Por ekologjistët mendojnë se veprimet duhet të koordinohen në nivelin e federatës.

"Ka shumë gjëra që duhet sqaruar. Prandaj federata është ajo që duhet të veprojë dhe të sqarojë gjërat deri në fund", pohon politikani ekologjist Christian Ströbele.

Autor: Bernd Gräßler/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani