1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu gjerman debaton për strategjinë e re të NATO-s

12 Nëntor 2010

Në samitin e Lisabonës (19 dhe 20 nëntor) NATO-ja do të miratojë një strategji të re veprimi. Këtë të enjte (11.10) në Bundestag u debatua për qëndrimet e Gjermanisë ndaj aleancës veriatlatike dhe pritjet nga ky samit.

https://p.dw.com/p/Q6PO
Anders Fogh Rasmussen para sfidave të reja.Fotografi: AP

NATO është në kërkim të përkufizimit të rolit të saj. Kjo bëri që politikani i Partisë Ekologjiste Jürgen Trittin në Bundestag të tregojë një barcoletë.

"Në qoftë se një gjë e tillë do të jepej si shpallje në gazetë, atëherë do të mund të thuhej: Pensionisti me shëndet të mirë, pjesërisht në pension, kërkon një punë të re", tha ai.

A duhet një strategji e re e NATO-s?

Bundestag stimmt ueber laengere Atomlaufzeiten und Sparpaket ab
Juergen Trittin - barcoleta "serioze".Fotografi: dapd

Po a thua NATO ka me të vërtetë nevojë për një punë të re? A thua duhen kërkuar patjetër detyra të reja, si për shembull mbrojtja nga sulmet kompjuterike? Deputetët e opozitës e shohin këtë me një sy shumë kritik. NATO është e mbingarkuar me problemet e shekullit 21, thotë deputetja e së Majtës Gesine Lötzsch.

"Ne po përballemi me shtimin e katastrofave natyrore. Si pasojë e ndryshimit të klimës gjithnjë e më shumë njerëz detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre, uria po merr përmasa të mëdha, mungesa e ujit është e theksuar, vërshimet dhe lëkundjet e Tokës janë shtuar. Ka NATO ndonjë përgjigje ndaj këtyre problemeve? Jo! Çfarë mund të bëhet me një ombrellë për mbrojtjen nga raketat, në qoftë se bombat dërgohen me postë? Ka NATO ndonjë përgjigje për këtë? Jo!", u përgjigj ajo.

Sipas saj, NATO vetëm sa po e mban të gjallë industrinë e armatimit.

Shpenzimet e mëdha

Dy të tretat e shpenzimeve për misionet ushtarake në botë, në vlerë prej miliarda eurosh, janë dhënë nga shtetet anëtare të NATO-s. Janë këto të dhëna të detyrueshme, pohon Andreas Schockenhoff, nga Partia Kristiandemokrate (CDU), duke theksuar në veçanti nevojën e një rrjeti për mbrojtje nga raketat.

"Kemi nevojë për instrumente të reja, për një mbrojtje më efektive nga kërcënimet reale me armë atomike prej vendeve si Irani apo Koreja e Veriut", mendon ai.

Bashkëpunimi me Rusinë dhe armët amerikane

Estland NATO Außenminister Treffen in Talinn Guido Westerwelle
Westerwelle në takimet me krerët e Aleancës (nuk) i ka realizuar premtimetFotografi: AP

Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle mendon se është e domosdoshme një strategji e përbashkët mbrojtjeje me Rusinë. Vitet e fundit raportet mes Rusisë dhe NATO-s kanë qenë të tendosura.

"Ne duam që në Evropë të mos ketë zona të ndryshme të sigurisë. Nuk duam që në Evropë të kemi zona të ndara sa i përket sigurisë. Duam që së bashku me Rusinë të përforcojmë sigurinë tonë dhe jo që të kemi konflikte me Rusinë", pohon ministri.

Ministri i Jashtëm theksoi se çarmatimi është një pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë së re të NATO-s. Por kjo nuk vlenë për armët atomike amerikane në Gjermani, sepse deri tani kanë dështuar përpjekjet e ministrit për tërheqjen e tyre, siç u shpreh deputetja socialdemokrate Uta Zapf.

"Një pjesë e armëve atomike ende ka mbetur, armët amerikane në Evropë edhe më tej konsiderohen si pjesë e një bashkëveprimi transatlantik. Zoti Ministër, ju duket se keni premtuar tepër në fillim të mandatit tuaj, sa i përket armëve substrategjike", tha ajo.

Në përgjithësi debati për strategjinë e re të NATO-s erdhi tepër herët, sepse shumë deputetë nuk janë njohur me propozimet e fundit.

Autor: Nina Werkhäuser/Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani