1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush Memoiren

10 Nëntor 2010

Në vendimet më të rëndësishme të karrierës, kam bërë edhe gabime shkruan ish-presidenti amerikan, George Bush në memuaret e tij që janë publikuar në Amerikë, por në fund të fundit nuk kam pse të fajësoj veten.

https://p.dw.com/p/Q3km
Ish presidenti amerikan publikon memorjet
Ish presidenti amerikan publikon memorjetFotografi: KINDLE

Për opinionin publik ai nuk e çan shumë kokën, kështu është shprehur disa herë ish-presidenti amerikan, George Bush. Megjithatë në librin e tij "Decision Points" - "Momente Vendimtare" ai kërkon mirëkuptim. Sepse në fund të fundit edhe ai shpreson që historianët kur të vijë dita, ta vlerësojnë si të "suksesshme" presidencën e tij. Kështu në rreth 500 faqe libër kujtimesh, ish-presidenti amerikan shkruan pse ai në momente shumë vendimtare të jetës sij, mori ato vendime që mori.

Këtu para së gjithash Bush pranon atë që provuar prej kohësh: Që Sadam Huseini nuk kishte armë të shkatërrimit në masë, që tërheqja e shpejtë e trupave amerikane në Irak, do të thoshte injorim të realitetit në vend. Por ai pranon edhe se ndihma për viktimat e uraganit Katrina mbërriti me shumë vonesë në vend.

"Waterboarding" ka shpëtuar jetë njerëzish

Edhe për metodën e waterboarding Bush deklaron se ai ka pranuar që ajo të aplikohet. Kjo "sepse avokatët i thanë që ajo nuk është torturë". Dhe në fund të fundit këshilltarëve iu duhet besuar, sipas Bushit. Mbytja e simuluar ka shpëtuar jetë njerëzish. Pasardhësi i Bushit, Barack Obama e ka ndaluar përdorimin e kësaj metode.

Ish presidenti amerikan George W. Bush
Ish presidenti amerikan George W. BushFotografi: AP

Në librin e tij ish- presidenti amerikan, Bush shkruan se ai mund të dalë edhe mbi opinionet e shtabit të tij këshillues. Kështu në 11 shtator 2001 kundër mendimit të shtabit të tij, ai këmbënguli të kthehej në Uashington. Ai nuk do fshihej në "ndonjë bunker", por fjalimin e tij drejtuar kombit do ta mbante nga Shtëpia e Bardhë, shkruan Bush - megjithëse nuk përjashtohej mundësia e atentati tjetër me avionë.

Air Force One pa sisteme moderne komunikimi

Interesant dhe shokues është edhe një detaj tjetër që sjell Bushi. Sistemi i komunikimit të avionit presidencial, Air Force One ka qenë kaq i vjetëruar, saqë ishte e vështirë, sipas Bushit të ishe gjithmonë aktual. Nuk kishte televizion satelitor në bord, çdo pesë minuta shkëputej lidhja me stacionet lokale. Edhe lidhjet telefonike me këshilltaren e tij për sigurinë, Condoleezza Rice dhe zëvendëspresidentin Cheney ndërpriteshin shpesh.

I zhgënjyer nga kancelari gjerman Schröder

Ndërkohë që për koalicionin e luftës në Afganistan, aleatët dhanë mbështetjen e tyre, për "koalicionin e të vendosurve" për luftën në Irak, nuk kishte shumë mbështetje. Bush përdor librin e tij për të larë hesapet me ata burra shteti, që e zhgënjyen hidhur asokohe. Ish-presidenti rus Vladimir Putin, ish-presidenti francez, Jacques Chirac dhe para të gjithëve kancelari Gerhard Schröder. Ky sipas Bushit "ka qenë më i vështiri për t'u kalkuruar nga burrat e shtetit". Ndërsa për kancelaren Merkel, Bush shkruan se ajo "ishte e besueshme, tërheqëse dhe e përzemërt".

Autor: Christina Bergmann/Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama