1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush Israel

Verenkotte, Clemens / Tel Aviv (BR) Neu14 Maj 2008

Presidenti i SHBA Xhorxh W. Bush në ditën e parë të vizitës së tij në Izrael zhvilloi një program të plotë. Ai u takua me presidentin e vendit Peres dhe kryeministrin Olmert.

https://p.dw.com/p/Dzwn
Bush dhe Olmert gjatë pritjes në aeroportin Ben GurionFotografi: AP

Presidenti Bush i premtoi Izraelit vazhdimin e mbështetjes së Amerikës. Thuasje askush nuk kishte parashikuar 60 vjet më parë me themelimin e shtetit të Izraelit se ai do të zhvillohej për t'u bërë një vend i lulëzuar, u shpreh Bush të mërkurën (14.05.) pasdite gjatë takimit me presidentin izraelit Shimon Peres. Për këtë arsye tha Bush kam ardhur optimist në rajon:


"Ajo çfarë ka ndodhur këtu është kudo e mundur. Objektiv i SHBA duhet të jetë t'i ofrojnë mbështetje aleatit tonë më të ngushtë dhe mikut në Lindjen e Afërme, demokracisë së vetme kundër forcave të terrorit dhe njëkohësisht të flasim për një të ardhme plot shpresë."


Bush nuk i tregoi të gjitha kartat sa i takon negociatave izraelito-palestineze të cilat kanë rifilluar pas konferencës për Lindjen e Afërme në Anapolis në fund të nëntorit të vitit të shkuar. Ministrja e jashtme amerikane Kondiliza Rajs kishte deklaruar më parë se ka pak gjasa por nuk është e pamundur që të arrihet një marrëveshje paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve deri në fund të mandatit të presidentit Bush. Në oborrin e rezidencës së presidentit izraelit Peres, Bush formuloi i rezervuar:


"Ndërkohë do të vazhdojmë të veprojmë në drejtim të një vizioni në të cilin njerëzit e arsyeshëm dhe që duan të kenë një mundësi për të jetuar në paqe me Izraelin të kenë një shans për këtë. Njëkohësisht do të veprojmë qartë kundër atyre forcave të terrorit që vrasin njerëz të pafajshëm për të arritur qëllimet e tyre politike."


Shimon Peres i cili në pritjen në aeroportin Ben Gurion e lëvdoi presidentin Bush si një president të SHBA që si askush i ka qëndruar në krah Izraelit, i cilësoi "forcat ekstremiste" rrezikun më të madh për rajonin. Lëvizja Hizbollah që mbështeten nga Irani është duke shkatërruar Libanin ekonomikisht dhe si shtet. Duke iu referuar Rripit të Gazës, Peres tha:


"Hamasi e shtyn krijimin e një shteti palestinez. Ju zoti President dhe ministrja e jashtme Rajs keni investuar kaq shumë mund për t'i bërë palestinezët të aftë të korrigjojnë gabimet e vitit 1947. Por ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën. Sot megjithatë pengesa kryesore për krijimin e një shteti palestinez është Hamasi."


Me kryeministrin Ehud Olmert presidenti i SHBA-ve ka diskutuar për Iranin dhe çështje të përbashkëta strategjike njoftoi radioja izraelite. Sipas njoftimeve të medieve Olmert do t'i jepte presidentit Bush një listë me armatimet që Izraeli dëshëron të marrë prej SHBA. Ndër to bëjnë pjesë edhe satelitë zbulues me rreze të gjatë veprimi.


Në Jordanin Perëndimor qindra palestinezë tërhoqën vëmendjen ndaj 60 vjetorit të "nagba-s", katastrofës siç e quajnë palestinezët dëbimin dhe humbjen e atdheut të tyre. Në shumë pika kontrolli pati përleshje, disa demonstrues goditën me gurë ushtarët izraelitë të cilët reaguan me gaz lotsjellës dhe plumba gome.


Në Rripin e Gazës një prej liderëve më me influencë të Hamasit, Mahmud al Zahari, drejtoi akuza të ashpra kundër presidentit të SHBA. Në të njëjtën kohë Zahari u premtoi përkrahësve të tij se Hamasi nuk do t'a njohë kurrë shtetin e Izraelit.