1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti britanik voton kundër operacionit ushtarak në Siri

AP, dpa, AFP, Reuters/Angjelina Verbica30 Gusht 2013

Pas kundërshtimit nga parlamenti të planeve të qeverisë Britania e Madhe nuk do të marrë pjesë në një ndërhyrje ushtarake në Siri. Presidenti i SHBA Obama do të vendosë në "interes të SHBA".

https://p.dw.com/p/19YrY
Britain's Prime Minister David Cameron is seen addressing the House of Commons in this still image taken from video in London August 29, 2013. Cameron said on Thursday it was "unthinkable" that Britain would launch military action against Syria to punish and deter it from chemical weapons use if there was strong opposition at the United Nations Security Council. REUTERS/UK Parliament via Reuters TV (Foto: Reuters) / Eingestellt von wa
Fotografi: Reuters

Kryeministri britanik David Cameron i ra fillimisht fort daulles së luftës pastaj e zbuti planin e tij për një aksion ushtarak kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad. Por pa dobi. Me 285 vota pro dhe 272 kundër dhoma e ulët e parlamentit në Londër kundërshtoi hapat ushtarakë, me të cilët duhej të parandaloheshin sulmet e mëtejshme me gaz helmues nga regjimi i Asadit.

Në diskutimin në parlament Cameron bëri të qartë, se fjala nuk është as për një invazion dhe as për një ndryshim të regjimit, por për një aksion dënues për sulmin e kryer me armë kimike. Por jo vetëm partia opozitare laburiste, edhe vetë deputetët e partisë së e tij konservatore kërkuan prova bindëse për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Asadit.

Përsëri pa marrëveshje në Këshillin e Sigurimit

Më në fund Cameronit nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të pranojë humbjen. Parlamenti e bëri të qartë me votën e tij, se ai nuk dëshiron një aksion ushtarak britanik, tha kryeministri pas votimit. Cameron tha se e respekton vullnetin e Dhomës së Komuneve.

"Unë besoj fuqimisht në nevojën për një përgjigje të ashpër ndaj përdorimit të armëve kimike, por unë gjithashtu besoj në respektimin e dëshirave të Dhomës së Komuneve", u shpreh Cameron. "Për mua është e qartë se parlamenti Britanik, duke reflektuar pikëpamjet e popullit britanik, nuk do të shikojë një ndërhyrje ushtarake britanike. Unë e pranoj këtë dhe qeveria do të veprojë në përputhje me rrethanat."

Më parë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk kishin mundur të arrinin një qëndrim të përbashkët as në diskutimin e tyre të dytë për projektrezolutën britanike.

Ambasadorët e Kinës, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe SHBA-së e ndërprenë takimin pas më pak se një orë, pa dashur të japë asnjëri asnjë koment.

Do të ndërhyjë Obama i vetëm
Do të ndërhyjë Obama i vetëmFotografi: Reuters

Shtypi: Obama i gatshëm për të vepruar i vetëm

Jemi informuar mbi rezultatet e votimit parlamentar në Britaninë e Madhe, deklaroi zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Caitlin Hayden, në Uashington. SHBA vazhdon të qëndrojë në lidhje me qeverinë britanike. Por presidenti Barack Obama me vendimin e tij do të bëjë atë, që "është në interes të SHBA", tha ajo.

Sipas një raporti në "New York Times" presidenti është me sa duket i gatshëm për një veprim unilateral ushtarak në Siri. Obama nuk do të presë Britaninë e Madhe për një operacion të mundshëm ushtarak, shkruan gazeta, duke cituar burime qeveritare.