1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Centrali atomik në Shqipëri drejt realizimit

Ani Ruci / Tiranë22 Janar 2008

Agjensia Atomike Ndërkombëtare e Vjenës mbështet përgatitjen e kuadrit ligjor për ngritjen e një centrali atomik në Shqipëri

https://p.dw.com/p/Cw3m
Flamuri i International Atomic Energy Agency IAEA, Vjenë
Flamuri i International Atomic Energy Agency IAEA, VjenëFotografi: AP
Deklaratë e nxituar, fishekzjarr prapagandistik apo përpjekje për të çvendosur vëmendjen e opinionit publik nga kriza e paparë energjitike. Kështu e motivoi opozita deklaratën e kryeministrit Berisha, në vjeshtën e kaluar, për mundësinë e ngritjes në Shqipëri të një centrali bërhamor, për të prodhuar energji elektrike. Kur kryeministri e publikoi, vendi po jetonte kulmin e krizës, me ndërprerje të përditshme të energjisë apo dritës, që shkonin nga 6 deri në 8 orë. Në projektin e tij Berisha shihte jo vetëm daljen e Shqipërisë njëherë e mirë nga krizat kronike, por edhe shndërrimin e saj në një vend eksportues për fqinjët dhe me gjerë. Vizion i guximshëm për një vend që po shkatërrohej ekonomikisht nga mungesa e energjisë! Por, do të kalonin vetëm pak muaj deri kur nga njerëzit pranë kryeministrit do të publikohej lajmi se Agjensia Ndërkombëtare Atomike e Vjenës mbështet Shqipërinë në ëndrrën e saj atomike dhe se ka filluar puna për hartimin e kuadrit ligjor që do ta paraprijë projektin. Suzana Guxholli, këshilltare ekonomike pranë kryeministrit Berisha thotë: " Në fillim të shkurtit në Tiranë do të mbërrijë një ekspert nga Agjensia Ndërkombëtare Atomike e Vjenës. Deri tani është hartuar një draft për sigurimin nga rrezatimet bërthamore, që është pjesë e ligjit atomik. Tani do të punohet për të hartuar gjithë ligjin“. Për këshilltaren e kryeministrit Berisha, Suzana Guxhollin, rruga drejt realizimit të ëndërrës atomike, për një Shqipëri që llamburit nga dritat dhe u shet njëkohësisht energji elektrike fqinjëve të saj, nuk ka të papritura.„ Në draftin që na ka dërguar Agjensia Nderkombëtare Atomike e Vjenës , tha Znj. Guxholi, janë pasqyruar të gjitha nenet e ligjit, i cili është i domosdoshëm për ndërtimin dhe funksionimin e centralit atomik në Shqipëri.“ Agjensia Ndërkombëtare Atomike në Vjenë ka kërkuar edhe ngritjen në Shqipëri të një Enti Rregullator për energjinë atomike, gjë që do të jetë veçse çështje kohe, nisur nga shpejtësia e progresit të projektit atomik. Gjithë sa publikohet është përgatitja e kuadrit ligjor dhe ngritja e Entit Rregullator për Energjinë Atomike. Ajo për të cilën nuk thuhet asnjë fjalë është se ku do ta sigurojë Shqipëria lëndën e shtrenjtë radioaktive për ta vënë në lëvizje mekanizmin e ndërlikuar por shpëtimprurës nga kriza: prodhimi i
energjisë elektrike nga energjia bërthamore. Në vjeshtën e vitit të kaluar qeveria e kryministrit Berisha hyri në negociata me kompaninë Westinghouse, e njohur në botë, si një nga më të specializuarat për ndërtimin e centraleve të tillla.