1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Chávezin do ta balsamosin

8 Mars 2013

Hugo Chávez pritet të balsamoset si Lenini. Pas homezheve përfundimtare që do të zgjasin edhe shtatë ditë të tjera, trupi i ish presidentit të Venezuelës mund të balsamoset që të shihet përjetësisht nga populli.

https://p.dw.com/p/17ta0
Fotografi: Reuters

Venezuela këtë të premte zhvillon funeralin shtetëror për presidentin e saj të vdekur Hugo Chávez. Marrin pjesë shumë krerë shtetesh dhe qeverish nga gjithë bota, veçanërisht nga Amerika e jugut dhe ishujt Karaibe. Ndër to merr pjesë presidenti i Kubës Raul Kastro, ai i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Ndërsa nga gjithë liderët e Amerikës latine, nuk merr pjesë presidenti i Paraguajit për shkak se Venezuela nuk e njeh legjitimitetin e qeverisë së tij dhe presidentja e Argjentinës.

Për shkak të pjesëmarrjes së madhe të njerëzve që kalojnë pranë trupit të tij, Chavezi do të qëndrojë edhe për shtatë ditë të tjera në Akademinë ushtarake në Karakas, pas funeralit. Pas përfundimit të ditëve të zisë së "komandantit të tyre", sipas zevëndëspresidentit Nicolas Maduro, trupi i Chávez-it do të balsamoset dhe të vendoset në një arkivol prej qelqi, ku do të dërgohet më pas në Muzeumin ushtarak të Revolucionit afër Pallatit presidencial, që të shihet përjetësisht nga populli.

Pas gjithë homazheve për Chavez, i cili drejtoi Venezuelën për 14 vjet dhe ndërroi jetë të martën pas një lufte të gjatë me kancerin, Venezuela do të përgatitet për zgjedhjet e reja presidenciale.

Autor: Mimoza Cika-Kelmendi (dpa, dw)

Redaktoi: Auron Dodi