1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010811 Interview Schwarz-Schilling Kosovo Serbien Grenzkonflikt

1 Gusht 2011

Serbia përpiqet të dëmtojë pavarësinë e Kosovës dhe i krijon pengesa vetvetes në rrugën drejt BE-së, thotë në intervistë për Radion gjermane "Deutschlandfunk" ish-përfaqësuesi i OKB-së për Bosnje-Hercegovinën.

https://p.dw.com/p/128PH
Christian Schwarz-SchillingFotografi: DW/Samir Huseinovic

DLF: Z. Schwarz-Schilling, Ju e kritikoni qëndrimin e BE-së ndaj konfliktit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës: Çfarë kuptoni Ju me këtë?

Christian Schwarz-Schilling: Me këtë unë mendoj, se Evropa vet nuk po gjen një gjuhë të qartë kundrejt Serbisë. Nisur nga shmangia e pesë kombeve në Evropë, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, Evropa ngurron dhe veçanërisht ministrja e Jashtme, duke mos gjetur një gjuhë të qartë. Kjo pasi një qëndrim i qartë duhet të mbështetet nga të gjitha kombet.

DLF: Pra kërkesa Juaj e parë do të ishte, që ato vende të BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta ndërmarrin menjëherë këtë hap?

Schwarz-Schilling: Unë e kam konsideruar si një gabim shumë të madh, që Komisioni i BE-së, e në radhë të parë BE-ja, nuk ka shprehur një gjykim të qartë menjëherë pas publikimit të dokumentit të Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me çështjen e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur. Nëse do të mbahej një qëndrim i qartë, atëherë do të duhej që menjëherë të bisedohej me të pesë vendet dhe të gjendjej një rrugë për tri muajt e ardhshëm, që t'i jepej fund bllokadës së këtyre vendeve ndaj politikës së mëtejshme kundrejt Serbisë.

DLF: A keni Ju ndonjë shpjegim përse nuk ka ndodhur kjo?

Schwarz-Schilling: Kjo është një gjendje normale e Evropës. Nëse diçka nuk është e qartë, atëherë ajo lihet mënjanë. Nëse shihni rastin e Qipros, apo të Bosnjë-Hercegovinës. Një qëndrim i tillë shihet kudo në rastin e Ballkanit, ndaj edhe amerikanët gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi, që evropianët nuk janë në gjendje, të vendosin një farë rendi në rajonin e tyre. Sepse sipas kritereve të sistemit të së drejtës, ajo që po ndodh tani është e padrejtë. Kjo ka të bëjë si me bllokadën e doganave, ashtu edhe me situatën, që kosovarët me pasaportat e tyre nuk mund të shkojnë më tutje, por është edhe situata e qarkullimit jo normalisht të mallrave në kufirin serbo-kosovar. Kjo do të thotë, se thjeshtë përmes shkeljeve dhe kundërthënieve nga pala serbe po ndiqen qëllime të qarta, në mënyrë që ku të jetë e mundur të minohet pavarësia e Kosovës. Një shtet të tillë, i cili ndërmerr veprime të tilla - në mënyrë të ngjashme si edhe ndaj Bosnjë-Hercegovinës përmes Republika Srpska - është edhe sot një nxitës trazirash në të gjithë rajonin. Dhe Evropa, duke mos parë asnjë mundësi, për ta penguar këtë, bën sikur në thelb të gjitah mund të zgjidhen vetëm pas bisedimesh të gjata me Kosovën. Në një situatë të tillë, të dyja vendeve u bëhet thirrje -pas një gjykimi si ai në Hagë - të ulen së bashku në tryezën e bisedimeve për ta zgjidhur çështjen. Kjo nuk është metoda e duhur për të ruajtur si objektiv në Evropë shtetin e së drejtës.

DLF: Z. Schwarz-Schilling, Ju folët për gjykimin nga Haga, që ka konstatuar, se në bazë të së drejtës ndërkombëtare pavarësia është legjitime. Nga ana tjetër Ju thoni, se BE-ja preferon më mirë t'i lerë mënjanë gjërat që nuk janë kaq të qarta. Pra sipas mendimit Tuaj a janë shmangur tani të gjitha rezervat, apo jo?

Schwarz-Schilling: Në politikën praktike ato nuk janë shmangur. Serbisë i ngarkohet gjithçka në një drejtim, e kur ajo pas 16 vjetësh pas fatkeqësisë në Srebrenica, Holokaustit, dorëzon zotin Mlladiç, ne i rrahim krahët dhe i themi, shumë mirë, rruga drejt Evropës është kësisoj e shtruar! Këto janë veprime psikologjikisht të pamundura.

DLF: ...Po çfarë mjetesh presioni z. Schwarz-Schilling, ka Bashkimi Evropian? Pra, kur qeveria në Beograd ditët e fundit ka lënë të nënkuptohet, se nuk do të hyjë në marrëveshje të tilla, që do të presupozonin: Njohje e Kosovës në këmbim të statusit të vendit kandidat në BE. A nuk do të duhej në këtë rast që BE-ja të provonte duke e bërë të dështojë pranimin e Serbisë?

Schwarz-Schilling: Kjo nuk mund të ndodhë tani në këtë moment. Përpjekja për të pranuar Serbinë në BE përpara Bosnjes, Kosovës dhe Shqipërisë nuk është realiste, por të nisemi nga struktura e sotme e Serbisë, që ka mjaft mangësi në drejtim të shtetit ligjor, mjafton për këtë të shohësh raportet! Kjo tregon se ne përdorim si busull të politikës më shumë përfytyrimet se sa realitetin dhe faktet. Unë nuk besoj, që parë në plan afatgjatë Serbia do të vazhdojë kështu, nëse i bëhet e qartë, që asaj mund t'i refuzohet pranimi në BE. Megjithëse Tadiç shpeshherë ka thënë, se ai më mirë do të preferonte të hiqte dorë nga antarësimi, se sa të njihte Kosovën. Por një situatë të tillë nuk duhet të importohet në BE!

DLF: Nëse ju kuptoj drejt z. Schwarz-Schilling, Ju fare qartë e shihni përgjegjësinë për rindezjen e konfliktit tek njëra anë, pra tek serbët. Pala tjetër, kosovarët, qeveria në Prishtinë, a do të thonit që është krejtësisht e pafajshme?

Schwarz-Schilling: Mund të thuash që disa gjëra mund të ishin bërë më mirë. Edhe atje ka mangësi me shtetin e së drejtës. Por unë nuk e di se cili vend do të kishte durim, që pasi i është dashur të bëjë një luftë, e cila u parandalua prej NATO-s në mënyrë që të mos përsëritej nga Serbia në të njëjtën mënyrë si në Bosnje, tani që ka kaluar kaq kohë gati dymbëdhjetë vjet, të mos mund të zbatohen rregullat e paqes, sepse bllokohen nga Serbia. Unë do të dëshiroja, që politika e jashtme, edhe në Gjermani, të flasë qartë. Plani i Ahtisaari-t, është realizuar me mandatin e OKB-së, është realizuar me mandatin e BE-së, gjithçka është pranuar dhe gjithçka është bllokuar vazhdimisht nga Serbia. Unë mendoj, se konform kësaj edhe gjuha ndaj Serbisë duhet të jetë e prerë dhe e qartë.

Intervistoi Bettina Klein

Redaktoi: V. Filaj-Ballvora / B. Cani