1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Clinton dhe Lavrov këmbejnë protokollet e ratifikimit të START

6 Shkurt 2011

Në Mynih përfundoi Konferenca e 47-të e Sigurisë. Një marrëveshje historike për çarmatim dhe strategjia ndaj Egjiptit ishin momentet kyçe të saj. Në ditën e fundit konferenca i kushtoi vëmendje situatës në Afganistan.

https://p.dw.com/p/10Blm
Hillary Clinton dhe Sergej Lawrow duke këmbyer protokollet e ratifikimit të marrëveshjes START, Mynih më 05.02.2011
Hillary Clinton dhe Sergej Lawrow duke këmbyer protokollet e ratifikimit të marrëveshjes START, Mynih më 05.02.2011Fotografi: dapd

Afganistani, lufta kibernetike dhe kriza Globale – këto ishin temat e agjendës paraprake të Konferencës së 47-të të Sigurisë në Mynih. Por organizatori i saj, ambasadori Wolfgang Ischinger, i ndryshoi ato në minutën e fundit. Kështu që tema kryesore e takimit më të rëndësishëm jozyrtar për sigurinë botërore sivjet ishte revolucioni në Egjipt dhe në vendet e tjera arabe. Nisur nga ky ndryshim, konferenca e Sigurisë në Mynih, pati një karakter historik, tha në përfundim të saj, ambasadori Wolfgang Ischinger: "Ajo saktësoi strategjinë e Perëndimit ndaj Egjiptit. Pra ne u dhamë përgjigje pyetjeve të tilla, se cila është rruga që duhet të ndjekim ne si Evropë, cilat janë vlerat tona dhe çfarë këshille mund t'u japim ne si evropianë egjiptianëve e si mund t'u ndihmojmë atyre", tha diplomati gjerman.

Kancelarja gjermane Angela Merkel duke biseduar (05.02.11) në hotelin e Mynihut "Bayerischer Hof", ku zhvilloi punimet Konferenca e 47 e Sigurisë, me ministren e Jashtme të SHBA-së Hillary Clinton
Kancelarja gjermane Angela Merkel duke biseduar (05.02.11) në hotelin e Mynihut "Bayerischer Hof", ku zhvilloi punimet Konferenca e 47 e Sigurisë, me ministren e Jashtme të SHBA-së Hillary ClintonFotografi: dapd

Thirrje për mbështetje

Ishin dy gratë me xhaketa bezhë, kancelarja Angela Merkel dhe ministrja e Jashtme e SHBA-së Hillary Clinton, ato që skicuan strategjinë e Perëndimit ndaj Egjiptit dhe vendeve arabe. Angela Merkel, në fjalën e saj të shtunën paradite, do të vinte në pah dilemën e Perëndimit: "Në çdo hap që hedhim e në çdo bashkëpunim që ndërmarrim ne duhet të kemi parasysh vlerat tona, të drejtat e njeriut ... por nga ana tjetër, dihet që në shumë raste ndërmjet ruajtjes së vlerave dhe ruajtjes së stabilitetit ekziston një farë konflikti", vuri në dukje kancelarja demokristiane.

Prandaj edhe strategjia e Perëndimit ndaj Egjiptit, siç u saktësua edhe një herë Mynih, është reforma graduale. Ministrja e punëve të Jashtme të SHBA-së, Hillary Clinton, e cila mbërriti në Mynih gjatë natës duke u gdhirë e shtuna (04.02), kërkoi nga të gjithë që ta mbështesin këtë proces. "Staus-quo-ja është e papranueshme. Për të gjithë miqtë tanë, për të gjithë miqtë tanë në mbarë rajonin, sfida është të ndihmojmë partnerët tanë që të ndërmarrin hapa sistematike për një të ardhme më të mirë, ku të dëgjohen zërat e njerëzve, të respektohen të drejtat e tyre, dhe të merren parasysh aspiratat e tyre", tha ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon duke folur të shtunën (05.02.2011) në konferencën e 47-të të Sigurisë
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon duke folur të shtunën (05.02.2011) në konferencën e 47-të të SigurisëFotografi: Picture-Alliance/dpa

Marrëveshje historike

Por edhe në aspektin simbolik Konferenca e 47-të e Sigurisë në Mynih pati një element historik. Të shtunën Clinton këmbeu me homologun e saj rus, Sergej Lavrov, protokollet e ratifikimit të Marrëveshjes për Reduktimin e Armëve Bërthamore, e njohur shkurt me emrin START

(Strategic Arms Reduction Treaty). Varianti më i ri i saj ishte nënshkruar nga presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe homologu i tij rus, Dimitri Medvedev, qysh në samitin e fundit të NATO-s, në prill

2010. Ajo parashikon që në shtatë vitet e ardhshme të reduktohet numri i armatimeve me mbushje bërthamore nga 2200 në 1500 si dhe të përgjysmohet numri i sistemeve mbajtëse të tyre deri në 700. Një gur themeltar, e quajti këtë hap Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon.

Policia qysh përpara fillimit të Konferencës së 47-të të Sigurisë mori masat e nevojshme për sigurinë. Një nëpunëse e policisë duke kryer kontrollin në sheshin para hotelit luksoz "Bayerischer Hof"
Policia qysh përpara fillimit të Konferencës së 47-të të Sigurisë mori masat e nevojshme për sigurinë. Një nëpunëse e policisë duke kryer kontrollin në sheshin para hotelit luksoz "Bayerischer Hof"Fotografi: dapd

Antiglobalistët paqësorë

Në qendër të Mynihut protestonin antiglobalistët ndërkohë që në hotelin luksoz "Bayerischer Hof",

i cili sivjet feston 170-vjetorin e themelimit, politikanë të pushtetshëm, ekspertë dhe biznesmenë të fuqishëm, po diskutonin për mundësitë e ruajtjes së paqes nga rreziqet që i kanosen, siç janë lufta kibernetike, terrorizmi apo edhe tregjet financiare globale. Sipas policisë numri i protestuesve ishte afro 3300, ndër ta rreth 400 të ashtuquajtur autonomë. Këta të fundit janë të njohur për presidpozicionin e tyre për dhunë.

Por, ndoshta ishin tingujt e muzikës reggae që shoqëruan karvanin e demonstruesve, ato që bënë që protesta "kundër politikës luftënxitëse të NATO-s" të zhvillohej e qetë dhe pa incidente. Por edhe policia e rutinuar bavareze u tregua e kujdesshme dhe nuk lejoi të hynin në demonstratë as personat e pajisur me armë të ftohta e as ndonjë që pati guximin të fyente nëpunësit në shërbim. Nëntë të tillë u mbajtën në arrest. Protestuesit nën drejtimin e partisë "E Majta" kërkuan ndër të tjera largimin e ushtrisë gjermane nga Afganistani.

Konferencë shtypi e presidentit afgan Hamid Karzai (06.02.11) përpara hotelit "Bayerischer Hof" në Mynih
Konferencë shtypi e presidentit afgan Hamid Karzai (06.02.11) përpara hotelit "Bayerischer Hof" në MynihFotografi: dapd

Karsai nën presion

Këtë kërkesë e kanë ndërkaq edhe partitë e tjera të parlamentit gjerman. Dallimi qëndron tek shpejtësia e kësaj tërheqjeje. Pikërisht kësaj teme konferenca i kushtoi rëndësi të veçantë ditën tretë të saj, të dielën (06.02.2011). Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, tha se tërheqja e

trupave do të fillojë gjatë verës dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2014. Por ai premtoi se mbështetja për ndërtimin e strukturave demokratike do të vazhdojë edhe më pas: "Përgjegjësia jonë për partnerët tanë afganë do të vazhdojë edhe mbas largimit të trupave luftarake nga Afganistani. Ky është një mesazh i rëndësishëm për partnerët tanë në Afganistan", tha politikani liberal.

Njëri prej partnerëve, për të cilët foli Westerwelle, ishte i pranishëm në Konferencë: Hamid Karsai. Presidenti afgan merrte pjesë për herë të tretë në takimin e Mynihut, por këtë radhë ai do ta ndiente më shumë presionin e partnerëve perëndimorë. Akuzat e vazhdueshme për korrupsion si dhe manipulimet masive të zgjedhjeve presidenciale vitin e kaluar e kishin dobësuar jashtë mase besimin e Perëndimit ndaj tij. Kjo u vu re edhe tek kërkesa e qartë e Westerwelle-s për luftë më të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtë e premtoi Karsai. Ai gjithashtu premtoi se do ta kontrollonte çdo ndihmë që vinte nga jashtë dhe bëri thirrje për më shumë investime të huaja në vend.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora