1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Shqipëri

Ani Ruci16 Maj 2013

OSBE/ODIHR i kryesuar nga ekspertja amerikane Conny McCormack filloi misionin e vëzhgimit për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

https://p.dw.com/p/18Yp1

Fillim zyrtar i fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit përkoi edhe me fillimin zyrtar, ditën e mërkurë, më 15 maj, të  punës së misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR –it për këto zgjedhje. Misioni kryesohet nga ekspertja amerikane Conny McCormack, që ka marrë pjesë në ekipe vëzhguese në zgjedhjet në SHBA, Armeni, Meksikë, Rusi, Jemen, Indonezi e Nigeri. Në një konferencë për shtyp, Conny McCormack, tha të mërkurën, se ky mision nuk do të bëjë arbitrin mes palëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri

“Nuk do të ndërhyjmë në procesin zgjedhor, ofrojmë vleresimin e zgjedhjeve. Do të japim vlerësim për  ecurinë e tyre në përputhje me standartet e OSBE-së dhe ato ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe me legjislacionin vendas, Vlerësimin e misionit tonë  mund ta  perdorin  aktorët e interesit  dhe publiku në Shqiperi” theksoi ajo.

Fushata e saponisur elektorale do të jetë objekt monitorimi i vëzhguesve ndërkombëtare. Po kështu edhe përpilimi i listave të zgjedhësve, puna e organizmave shtetërorë për administrimin e zgjedhjeve, zbatimi i kuadrit ligjor vendas si edhe monitorimi i medias gjatë fushatës. Në ditën e zgjedhjeve, më 23 qershor, vëzhguesit ndërkombëtarë do të monitorojnë hapjen e qëndrave të votimit dhe procesin e votimit.

Ngërçi që ka mbërthyer KQZ – situate fluide per misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë

Misioni i OSBE/ODIHR-it përbëhet nga 15 ekspertë ndërkombëtarë dhe 30 vëzhgues afatgjatë nga 14 vende - anëtare të OSBE-së - që do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë. ODIHR ka kërkuar nga vendet anëtare të OSBE-së që të dërgojnë në Shqipëri 400 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar ecurinë e ditës së zgjedhjeve dhe procesin e numërimit të votave. Misioni i sapombrritur përballet me ngërçin në KQZ, i cili përbëhet nga vetëm 3 anëtarë, përfaqësues të maxhorancës së djathtë pas dorëheqjeve të përfaqësuesve të opozitës.

Wahlen in Albanien Wahlkampf
Fotografi: AP

“Misioni yne sapo ka filluar nga puna  dhe nuk do të bëjë komente për situatën në KQZ pa berë vëzhgime të mëtejshme. Por kam qenë në vende ku KQZ u  krijua vetëm disa ditë para zgjedhjeve. Në Shqipëri kjo situatë lidhur me KQZ është fluide dhe për momentin  nuk do të bejme komente” tha në konferencën për shtyp Conny McCormack.

Proces zgjedhor transparent- arritja më e rëndësishme në zgjedhjet e 23 qershorit

Zgjedhjet e 23 qershorit janë cilësuar nga BE dhe faktori ndërkombëtar si testi më i rëndësishëm për ecurinë demokratike të Shqipërisë. Ato do të jenë kriteri bazë për BE që Shqipëria të meritojë ose jo statusin e vendit kandidat për anëtarësim, pas refuzimt për tre vjet rradhazi.  

“Nuk ka zgjedhje të përkryera. Gjëja më e rëndësishme  është që procesi të jetë i hapur dhe transparent” tha kryesuesja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.

Lidhur me rëndësinë që këto zgjedhje kanë për integrimin europian të Shqipërisë, Conny McCormack tha se “kjo nuk ndryshon procesin apo metodologjine e vezhgimit. ODIHR ka një reputacion të shkëlqyer si mision  që merret me konstatime dhe fakte, që  bën rekomandime që merren parasysh. Kushtet dhe çfare ndodh në terren ndryshojnë nga zgjedhjet e mëparshme, nuk dimë se çfarë mund të ngjasë, ne do të vëzhgojmë” .

Shqetësim i opozitës për manipulim të zgjedhjeve 

Wahlen in Albanien
Fotografi: AP

Mbërritja në Shqipëri me kërkesën e qeverisë të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe ekipi i vëzhguesve vendas konsiderohen nga faktori nderkombetar si tregues shumë pozitivë për transparencën e procesit zgjedhor. Por opozita ka mosbesim. Kreu i PS, Edi Rama, i ftuar në Parlamentin Europian nga grupi socialist dhe demokrat u kërkoi europarlamentarëve të majtë të jenë të vëmendshëm ndaj procesit zgjedhor pasi “zgjedhjet në Shqipëri mbeten problem shumë i madh pasi nuk ka siguri ndaj manipulimit”

Kryetarja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it , Conny McCormack, tha se kryerja e tyre në përputhje me  standartet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike është në dorë të shqiptarëve.