1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dërgesat e emigrantëve janë reduktuar

18 Janar 2010

Ulja e remitancave të emigrantëve në nivele të papërfillshme po ndikon në sistemin bankar shqiptar duke e mbajtur euron në nivele të larta në raport me lekun.

https://p.dw.com/p/LYvg
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dy janë shtyllat kryesore ku mbështetet ekonomia e rajonit jugor të Shqipërisë, prodhimi brendshëm dhe remitancat e emigrantëve. Por viti 2009 mund të cilësohet jo i mbarë, përkundrazi. Rigelsa Llaziku, bankiere në një nga bankat e nivelit të dytë pohon se "duke e krahasuar me një vit më parë, remitancat nga emigracioni kanë rreth 35 përqind më ulët".

Rajoni jugor, me rreth 43 përqind të popullsisë në emigracion, e ka të domosdoshëm “oksigjenin remitancë” pasi nuk përballon dot jetesën, nuk furnizon biznesin, prodhimin duke shtrenjtuar koston e jetesës.

Një nga pronarët e exchange-ve kryesore në Gjirokastër, Nesti Ligu thotë se kjo periudhë "mendohet se është rënie goxha e madhe, nëse mendojmë 30 – 35 përqind mund të themi se kemi dhe një efekt tjetër të kundërt, që një pjesë e emigrantëve që vijnë marrin këtu pensionet e prapambetura, marin qeratë e shtëpive e pronave e lokaleve të tyre në lekë shqiptare, i këmbejnë në valutë dhe i kthejnë prapë aty ku ndodhen në emigracion”.

Po përse kanë rënë remitancat ?

Bankiere Rigelsa Llaziku: "Kjo vjen si rezultat i krizës që ka ndikuar negativisht tek të ardhurat e tyre, niveli ulët i interesave sepse ato kanë ndryshuar nga viti në vit, nga periudha që ata më tepër vijnë në gusht dhe kjo ndryshon".

Pronari exchange-it kryesor në Gjirokastër Nesti Ligu thotë se : "aktualisht në raport me periudhat e mëparshme e kryesisht festat që kanë një fluks emigrantësh, remitancat janë gjithmonë duke u ulur. Ka disa arsye. Arsyeja e parë është stabilizimi tyre me shtëpi në Greqi e Itali. Arsyeja e dytë është papunësia, kriza që ka kapur ato vende si dhe kriza që është dhe këtu, tek ne. Duke mos patur ndërtime, duke mos patur punë këtu, investime e atëherë nuk lind nevoja që ata të sjellin valutë e ta këmbejnë këtu tek ne”.

Ulja e remitancave ndikon në ekonomi

Ulja e remitancave ka sjellë për pasojë edhe rënie të fortë të ekonomisë, të prodhimit, papunësi e shkurtim të madh të vendeve të punës. Sidomos në disa prej fabrikave, komplekseve e linjave të mëdha të prodhimit pranë pikëkalimeve kufitare, që sipas ekonomistit Ilir Gushi "janë në linjën e fshatit. Këto janë biznese të mëdha që janë të lidhura edhe me numrin e puntorëve edhe me kontrata me të tjerët".

Ky fakt ka sjellë sipas bankieres Rigelsa Llaziku : "ka dhe një lloj pasigurie jetese që edhe kjo ndikon në të ardhurat e remitancave nga emigracioni”.

Ulja e dërgesave të parave nga emigrantët në rajonin jugor të Shqipërisë përkthehet direkt goditje për ekonominë e këtij rajoni. Njëherësh e konsideruar si valvol shkarkimi për problemet sociale që lindin nga varfëria, mungesa e remitancave tani sjell kokëcarje të mëdha si për vetë familjet ashtu dhe për shoqërinë e shtetin shqiptar.

Autor : Odise Kote

Redaktoi : Aida Cama