1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështuan bisedimet e kryeministrave në Bruksel

Bahri Cani14 Dhjetor 2013

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nuk u dakorduan për çështjet juridike që kanë të bëjnë me veriun. Dështimi i negociatave mund të ketë pasoja edhe për procesin e afrimit të Serbisë me BE.

https://p.dw.com/p/1AZhm
Fotografi: picture-alliance/AP

„Marrëveshje nuk ka“, bëri të ditur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimit në Bruksel me homologun e tij serb Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiq. Megjithatë Thaçi e quajti takimin si „konstruktiv“ ku palët „janë pajtuar që në Kosovë të ketë një sistem unik të drejtësisë“.

Sistemi unik i drejtësisë, për të cilin është rënë dakord sot (13.12.) sipas tij, duhet të funksionojë mbi bazat e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Marrëveshjes së 19 prillit, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës tha se „procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë një ditë“, por deri të martën nuk do të ketë ndonjë takim në nivel të kryesministrave. Të martën shefja e diplomacisë evropiane, Chaterine Ashton, i cila kë ndërmjetësuar edhe në këtë takim, duhet të paraqes raportin për progresin e dialogut. Nga ky raport varet se kur Serbia do të nisë negociatat për anëtarësim në BE. Përpjekja e fundit për të arritur ndonjë marrëveshje deri të martën do të jetë dialogu i grupeve të punës, i cili po vazhdon edhe këtë fundjavë në Bruksel.

Serbia megjithatë shpreson dritën jeshile

Megjithë dështimin e këtij raudi të dialogut, kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq shpreson se në raportin e baroneshës Ashton do të prezantohet „një pasqyrë reale ku do të shihet që Prishtina ishte ajo që e ka pamundësuar arritjen e marrëveshjes për shkak të kushteve shtesë“. Beogradi shpreson se megjithë mungesën e marrëveshjes për integrimin e veriut në sistemin juridik të Kosovës, autoritetet evropiane do të japin „dritën jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë, në fund të dhjetorit apo në fund të janarit“.

Ivica Dacic dhe Jose Manuel Barroso
Ivica Daçiq dhe Jose Manuel BarrosoFotografi: Reuters

Hapësirë për marrëveshje ekziston deri të hënën, kur do të fillojë procedura për samitin e ardhshëm të BE, ku do të merret vendimi përfundimtar edhe për procesin e afrimit të Serbisë me BE. Daçiq tha se në takimin e 20 me radhë të kryeministrave është biseduar për „çështjen e vetme ku deri tani nuk ka pasur përparime: sistemin juridik që duhet të aplikohet në veri të Kosovës“. Ai fajësoi palën kosovare për mungesën e marrëveshjes, me shpjegimin se „ajo i ka ndryshuar qëndrimet në krahasim me marrëveshjet që janë arritur në takimin e grupeve të punës“.

Problemi me numrin e komunave

„Ekzistojnë disa gjëra që nuk mund t'i pranojmë, sepse i gjithë ky dialog po zhvillohet rreth veriut. Sikur gjërat të funksiononin si duhet atje, atëherë nuk do të kishim nevojë për dialog“, theksoi Daçiq duke shtuar se kërkesat e palës serbe „nuk kanë për qëllim ndonjë seperatizëm, sepse të gjitha gjërat do të funksionojnë sipas drejtësisë kosovare“.

Pala kosovare ka insistuar që Gjykata në veri të jetë kompetente për shtatë komuna dhe jo vetëm për katër komunat me shumicë serbe. Ndërsa pala serbe ka kërkuar që në veri të Mitrovicës të ketë një godinë të vecantë të gjykatës, ku do të punonin gjykatës dhe prokurorë serbë. Kjo gjykatë do të ishte kompetente për katër komunat e tjera me shumicë serbe. „Nuk është e njëjtë nëse në gjykata në veri punojnë gjykatës dhe prokurorë serbë apo shqiptarë“, tha ai.

komunat e tjera me shumicë serbe
Problemi i komunave me shumicë serbeFotografi: Reuters

Çështjet e tjera

Megjithë dështimin e marrëveshjes mes kryeministrave, procesi i implementimit të marrëveshjeve të arritura dhe dialogu për çështjet e tjera do të vazhdojnë. „Ne po përgatitemi tani për hartimin e statutit të bashkësisë së komunave serbe, konstituimin e bashkësisë, do të vazdojmë negociatat për energji etj. Para nesh kemi shumë punë edhe në muajt e ardhshëm“, theksoi Daçiq duke shtuar se „edhe paratë që do të mblidhen në dogana apo nga taksat e ndryshme, do të derdhen në fondin për zhvillimin e veriut dhe jo në buxhetin e Kosovës.“

Kryeministri i Serbisë e quajti „sjellje demagogjike dhe keqpërdorim“ verifikimin e kuadrove udhëheqëse të policisë në veri të Kosovës. „Cila është esenca e amnestisë në qoftë se ata nuk mund të pranohen në polici. Ata që kanë bërë krime të rënda, duhet të përgjigjen. Të gjithë të tjerët janë amnistuar nga përgjegjësia“, pohon Daçiq.