1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Dashamirësi ndaj familjes" - Raporti vjetor i 2009-ës për politikën ndaj familjes në Gjermani

Bettina Marx17 Shkurt 2009

Me një varg masash qeveria gjermane ka ndikuar që të ndryshojë disponimin e gjermanëve për shtimin e familjes. Përkujdesja ndaj fëmijëve, pushimi i prindërve dhe shtesat e bonusve për fëmijët kanë pasur efekt.

https://p.dw.com/p/GvxC
Fotografi: Bilderbox

Në Gjermani sërish ka më tepër fëmijë. Në vitin e fundit, sipas të dhënave të Entit Federal të Statistikave kanë lindur 690.000 fëmijë, rreth 5.000 më shumë se në vitin 2007. Në të vërtetë edhe në vitin 2007 kishin lindur 12.000 fëmijë më shumë se në vitin 2006. Numri i fëmijëve për një grua nga 1,33 në vitin 2004 është rritur në 1,37 në vitin 2008. Këto të dhëna nuk duhet të jenë shkak për eufori, tha ministrja federale e Familjes, Ursula von der Leyen, me rastin e prezantimit të raportit të 2009-ës për familjen. Megjithatë ky është një shkak për të besuar se klima për fëmijët dhe familjen është përmirësuar dukshëm. Gjermania sërish është më dashamirëse ndaj fëmijëve.

Politika e familjes duhet të planifikohet në gjenerata e jo në periudha legjislative

Mit sieben Kindern zur Ministerin
Ministrja gjermane për Familjen, Ursula von der LeyenFotografi: AP

Ministrja Ursula von der Leyen: „Në vitin 1997, 57 përqind e grave mendonin se i'a vlen mundimi të kesh fëmijë. Ndërkohë janë 69 përqind që mendojnë kështu. Suksesi në profesion në vitin 1997 ishte me rëndësi të veçantë për 41 përqind. Ndërkohë janë 51 përqind“.


Kryesisht gratë e moshës 30 deri 40 vjeç bëhen nëna më shpesh se në kohët e mëparshme. Por jo vetëm gratë, gjithnjë e më tepër të rinjë pranojnë të kenë fëmijë. Nëntë prej dhjetë burrave të rinj pa fëmijë dëshirojnë të bëhen prindër dhe janë të gatshëm që t'u kushtojnë kohën e duhur fëmijëve. Gjermania po ndjek kështu një tendencë, që ka qenë e njohur në Francë dhe në Evropën Verirore para 20 dhe 30 vitesh. Kështu thekson shkencëtari Hans Bertram nga Universiteti Humboldt në Berlin: „Miterani pat filluar diku rreth vitit 1980 të konceptojë një politikë të re për familjen në Francë, evropianët veriorë patën filluar që në vitin 1970, ndërkohë që ne në këtë kohë vazhdonim me një model të caktuar të politikës tradicionale të familjes. Kjo do të thotë se duhet ta pranojmë që vendet e tjera kanë reaguar më herët ndaj të dhënave që ishin të njohura për të gjithë. Ne po ashtu duhet ta pranojmë se përderisa ata janë 20 apo 30 vjet para nesh ne nuk mund t'i ndryshojmë shpejt gjërat brenda dy-tri vitesh“.


Politika e familjes duhet të planifikohet në gjenerata e jo në periudha legjislative, thekson Bertram. Megjithatë janë vërejtur ndryshime të lehta. Por të dukshme mbeten ashtu si më parë edhe deficitet. Fëmijët janë edhe më tej një faktor varfërie para së gjithash për prindërit që i rrisin vetëm fëmijët dhe janë të detyruar të heqin dorë nga profesioni. Ministrja von der Leyen: „Varfëria e fëmijëve është turpëruese. Numri më i madh i fëmijëve që jetojnë në varfëri, një milionë, janë fëmijë që rriten me një prind. Pikërisht këta prindër kanë nevojë për përkudjesjen e duhur me kohë të përshtatshme, shkolla korrekte me mësim gjatë tërë ditës dhe para së gjithash ata kanë nevojë për vende pune të konceptuara me vetëdije për familjen, kjo do të thotë me dashamirësi ndaj fëmijëve“.


Përkujdesja ndaj fëmijëve dhe mbështetja e familjeve në rritjen e fëmijëve është një faktor i rëndësishëm ekonomik. Përmirësimi i kushteve në fushën e përkujdesjes së fëmijëve do të sillte 16 miliardë euro më shumë të ardhura nga tatimet dhe do të krijonte mes 200.000 dhe 400.000 vende të reja pune.