1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë?

Bekim Shehu3 Qershor 2013

Marrëveshja e 19 prillit Kosovë-Serbi parasheh mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në katër komunat veriore të Kosovës. Në organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës do të përfshihet OSBE-ja.

https://p.dw.com/p/18iyJ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është duke pritur fillimin e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, përkatësisht ratifikimin e saj në Kuvendin e Kosovës dhe më pas do të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës. Kjo për faktin se me marrëveshjen e 19 prillit Kosovë-Serbi, arritur ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daqiç, është paraparë që të mbahen zgjedhje lokale edhe në katër komunat veriore të Kosovës, Zvecan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë veriore. Zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, i tha DW, se “ Presidentja e Republikës së Kosovës do të shpallë datën e zgjedhjeve lokale brenda afatit të përcaktuar ligjor”. Ai tha se presidentja tashmë ka zhvilluar konsultimet me partitë dhe subjektet politike dhe do të ketë edhe një takim me liderët kryesorë politikë para se përfundimisht të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Data për zgjedhjet lokale pas ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi në Kuvend

“Me marrëveshjen në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë Daçiq, është përcaktuar që zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës të mbahen gjatë muajit tetor me çka shpërbëhen strukturat e deritashme paralele dhe ilegale. M.q.s. në respektim të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, zgjedhjet për asambletë komunale dhe për kryetarët e komunave mbahen njëkohësisht në gjithë territorin e shtetit, atëherë duhet pritur ratifikimi i marrëveshjes, përkatësisht marrëveshjes së implementimit, në Kuvendin e Kosovës”, thotë Arbër Vllahiu, duke cituar presidenten e Kosovës.

Presidentja e Kosovës Afitete Jahjaga
Shoqëria civile në Kosovë i ka bërë thirrje presidentes Jahjaga të shpallë datën e zgjedhjeveFotografi: DW

Shoqëria civile i bën thirrje presidentes që ta shpallë datën e zgjedhjeve lokale

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që angazhohen në monitorimet e proceseve zgjedhore në Kosovë, thonë se presidentja do të duhet shumë shpejt ta shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës KDI, i tha DW, se proceses elektorale që janë në interes të shumicës, nuk duhen vonuar. "Ne i bëjmë thirrje presidentes që në asnjë moment mos të vonohet por të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, sepse tek e fundit asnjë proces elektoral apo një proces i rëndësishëm që prek pjesën më të madhe të popullatës në Kosovë diku mbi 95% nuk do të duhej të jetë peng i një procesi politik tjetër, saktësisht të një procesi politik nëpër të cilin po kalon Kosova me Serbinë”, thotë Driton Selmanaj.

Në organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës do të përfshihet OSBE-ja. Kështu tashmë është specifikuar në pikën 11 të marrëveshjes Thaçi-Daqiç. Mirëpo, njohësit e çështjeve juridike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, thonë se përfshirja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, në mbajtjen e zgjedhjeve komunale në veriun e Kosovës, është në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Driton Selmanaj nga instituti KDI, thotë se OSBE-ja do të mund të përfshihej në zgjedhjet në Kosovë vetëm në rolin e vëzhguesit. Sipas tij, “Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar qartë se i vetmi organ që organizon zgjedhjet në Kosovë është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ”. Ligji për zgjedhjet e ka përcaktuar se kush është organizatori i zgjedhjeve, por Selmanaj thotë se “rrethanat në të cilat ndodhet Kosova ndoshta do të ishte zgjidhja më pragmatike që këto zgjedhje t'i organizojë OSBE-ja".

Organizimi i zgjedhjeve nga OSBE-ja shkelje e kushtetutës së Kosovës

Pamje nga qyteti Mitrovicës
Zgjedhjet duhet të mbahen edhe në veri të KosovësFotografi: DW/R. Alija

"Definitivisht, parimisht kemi të bëjmë me një shkelje të kushtetutës por nga ana tjetër, gjendja reale është se Kosova nuk e shtrin sovranitetin e saj deri në veri të Kosovës dhe nuk kemi pasur asnjë nen të implementimit të Kushtetutës dhe në këtë linjë ndoshta do të ishte pragmatike që për herë të parë këto zgjedhje t'i organizojë OSBE-ja”, thotë Driton Selmanaj.

Sidoqoftë, mbajtja e zgjedhjeve lokale edhe në veri të Kosovës krahas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në të gjitha rajonet e tjera të Kosovës, do të shënonte përfundimisht edhe shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë. Me këtë është pajtuar kryeministri i Serbisë Ivica Daqiç, por, kurrsesi nuk po pajtohen serbët e veriut të Kosovës. Kryetari i të ashtuquajturës “bashkësisë së komunave serbe në Kosovë”, Marko Jakshiq, ka thënë për mediat lokale serbe se përfaqësuesit e serbëve të veriut janë të vendosur që ta formojnë siç thotë “Kuvendin e krahinës autonome të Kosovës”, si kundërpërgjigje ndaj marrëveshjes Kosovë-Serbi.