1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Davos 2011: Realitete të reja, optimizëm i drojtur, pasiguri për të ardhmen

28 Janar 2011

Në vendin e kurimit Davos në Zvicër vazhdon punimet Forumi Ekonomik Botëror me pjesëmarrjen e elitës politike botërore, asaj ekonomike dhe financiare. Sinjalet variojnë nga optimizmi deri tek frika për kriza të reja.

https://p.dw.com/p/106ER
Salla në DavosFotografi: dapd

Përpjekjet në Davos për gjetjen e një formule të re për ekonominë botërore, me qëllim që të mos shpërthejnë më kriza si ato që bota kaloi vazhdojnë, po ashtu edhe pëpjekja për përcaktimin e rregullave të reja, të cilat duhet të respektohen nga politika dhe ekonomia. Debatet për këto tema bëhen sigurisht në nivelin më të lartë profesional. Edhe larmia e pozicioneve nuk mungon: nga ato perëndimoret tek ato aziatike.

Përballja me realitete të reja në ekonominë botërore

Por për një gjë janë dakord në Davos si krerët e politikës botërore, ashtu edhe top-menaxherët e ekspertët e njohur të ekonomisë botërore. Të gjithë duhet të përballen me realitetet e reja të krijuara në botë, që është edhe temë kryesore në Davos. Me "new realitys" nënkuptohet ndryshimi i fuqisë ekonomike dhe politike, kalimi nga perëndimi i industrializuar tek tigrat e rinj të Lindjes dhe Jugut të globit. Me 1,8 billionë dollarë obligacione shtetërore që Kina ka blerë në SHBA, shtrohet pyetja nëse mund të përdoret më koncepti vend në zhvillim.

Sir Martin Sorrel, drejtor ekzekutiv i gjigandit londez të reklamave WPP thotë: "Duhet ta heqim nga leksiku konceptin "në zhvillim" dhe "ekspansion". Kina është një ekonomi pesë trilion dollarëshe."

Nicolas Sarkozy in Davos
Presidenti francez Nicolas Sarkozy mbrojti euron në DavosFotografi: AP

Sarkozy mbron monedhën e përbashkët

Në Davos u shfaq edhe presidenti francez, Nicolas Sarkozy i cili udhëheq aktualisht raundin e shteteve të G20-s i përbërë nga shtetet e industrializuara dhe ato në ekspansion. Sarkozy përdori tone optimiste në Davos. Falë bashkëpunimit brenda G20-s iu dha fund krizës botërore tha ai. Ky bashkëpunim është i pashmangshëm dhe madje edhe legjitimiteti i G20-s varet nga aftësia e vendeve për të marrë vendime, tha Sarkozy.

Në Davos presidenti francez me tone dramatike mbrojti euron dhe paralajmëroi spekulantët që të mendohen dy herë nëse do të vënë baste. "Ne nuk do ta lëshojmë kurrë euron" tha Sarkozy.

Optimizëm, por dhe rreziqe të reja

Përshtypje të veçantë la në Forumin Ekonomik Botëror fjala e njërit prej ekspertëve më të rëndësishëm të ekonomisë botërore, amerikanit Nouriel Roubini, i njohur si pesimist dhe kritik ndaj gjendjes së ekonomisë botërore. Në Davos ai bëri një krahasim optimist, të cilin nuk e prisnin të ftuarit, gota është gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh, tha ai. "Ka një rehabilitim global të ekonomisë, në të dyja drejtimet, në tregjet financiare dhe në ekonomi. Ai është më i fuqishëm në tregjet në ekspansion dhe është duke vazhduar. E dyta është se rreziqet e rënies në një recesion të dyfishtë në ekonomitë e zhvilluara janë më të ulëta se në vitin e shkuar."

Nouriel Roubini
Nouriel Roubini, Profesori njohur dhe eksperti i ekonomisëFotografi: picture-alliance/ dpa

Fjala e Roubinit ishte një sinjal i rëndësishëm për Davosin, megjithate ekspertë të tjerë paralajmërojnë rreziqe për të ardhmen. Disekuilibër bilancesh financiare, borxhe të mëdha shtetërore, spekulimet kundër euros, zvogëlimi i resurseve të lëndës së parë apo edhe rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë mund të shkaktojnë kokëçarje të reja.

Në Davos diskutimet vazhdojnë, të premten edhe me pjesëmarrjen e kancelares gjermane Angela Merkel.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi:Bahri Cani