1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat televiziv për të gjallëruar fushatën elektorale

Bernd Riegert / Auron Dodi16 Maj 2014

I transmetuar në të gjithë Evropën, në shumë gjuhë dhe për herë të parë me pesë kandidatët kryesorë: Debati nga Brukseli synonte të shëonte kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet evropiane më 25 maj. A u arrit kjo?

https://p.dw.com/p/1C1NN
Europawahl 2014 Wahlkampfdebatte Eurovision
Fotografi: Bernd Riegert

Eurovizioni, organizata e televizioneve të mëdha evropiane publike e organizoi debatin. Ai u transmetua për herë të parë njëkohësisht në rreth 25 shtete evropiane dhe u ritransmetua nga shumë platforma interneti. Sa spektatorë tërhoqi vërtet kjo premierë, është e vështirë të thuhet. Shumica e televizioneve nuk patën besim tek eksperimenti dhe e transmetuan atë në kanalet e treta ose në kanalet e lajmeve. Deutsche Welle e transmetoi veprën premierë të aktivistëve elektoralë të gjithën në anglisht.

Në mediet sociale qe e mundur që të komentohej debati televiziv. Një bashkëmoderator i ri i emocionuar prezantoi me krenari 62.000 shënime në Twitter. Twitter-a u dërguan megjithatë më tepër për temat "rezistenca e romëve", "marrëdhënia e tregtisë së lirë transatlantike" dhe "Idaho". Kjo nuk kishte të bënte thuajse aspak me temat reale të debatit në skenën gjigante të sallës plenare.

Europawahl 2014 Wahlkampfdebatte Eurovision
Fotografi: Bernd Riegert

Vetëm njëri dallohet

Element mbizotërues i debatit ishte një orë gjigante Count Down, e cila numëronte mbi kokat e politikanëve sekondat e kohës që flisnin. Moderatorja italiane, Monica Maggioni e kishte të vështirë ta zbatonte disiplinën kohore. Se kush kishte të drejtë të fliste sa gjatë, nuk ishte gjithmonë logjike. Ora e mbyste shpesh debatin me replika.

Argumentat e njohur prej kohësh për krizën e euros politikanët e ftuar i përmendën, shoqëruar me ndonjë sulm majtas dhe djathtas pulteve në këmbë. I vetmi që u dallua disi nga të tjerët ishte kandidati kryesor i të Majtëve evropiane, Alexis Tsipras. Në Greqi ai drejton një aleancë të suksesshme partiake kundër ombrellave të shpëtimit të Greqisë dhe politikave të kursimit që lidhen me to. Tsipras kërkoi dhënien fund politikës së kursimit dhe më tepër borxhe, pra të kundërtën e politikës së sotme të BE. "Njerëzit e refuzojnë këtë Evropë. Prandaj ne duhet të ofrojmë një alternativë. Ajo nuk mund të quhet zgjerim i mëtejshëm i integrimit evropian. Natyra e Bashkimit Evropian duhet të ndryshojë. Ne duhet të ofrojmë një vizion të ri." Se cili duhet të ishte ky vizion, ai e la të hapur.

Europawahl 2014 Wahlkampfdebatte Eurovision
Fotografi: Bernd Riegert

Pak argumenta të rinj në formatin e ri televiziv

Katër kandidatët e tjerë, Jean Claude Juncker (partitë konservatore), Ska Keller (të Gjelbrit), Guy Verhofstadt (Liberalët) dhe Martin Schulz (Socialistët) e mbrojtën pak a shumë me forcë shpëtimin e euros. Guy Verhofstadt tha se pa euron, monedhat kombëtare siç qenë më parë lira italiane ose dhrahmia greke thjesht do të zhvlerësoheshin me pasoja dramatike për pasuritë e njerëzve.

Papunësia në shumë shtete të BE-së ishte problem i madh për të pestë kandidatët. Konservatori Jean-Claude Juncker, i cili si shef i Eurogrupit ka kontribuar qenësishëm në shpëtimin e Euros, u paraqit si mbrojtës i njerëzve me pak të ardhura: "Unë jam për një pagë minimale në Greqi dhe kudo në Evropë. Njerëzit duhet të jetë e mundur që të jetojnë nga puna e tyre. Na nevojitet një standard minimal për legjislacionin social. Nëse ne nuk arrijmë t'i bindim njerëzit për projektin evropian, atëherë do të futemi në vështirësi të mëdha."

Në këtë pikë ai është i të njëjtit mendim me Martin Schulz-in. Schulzi u paraqit më tepër me pozicionin e njeriut të revoltuar që reflekton: "Ne kemi hedhur dëm kapitalin më të madh të BE-së, besimin e njerëzve. Këtë besim ne duhet ta rifitojmë. Duhet t'u themi atyre se ne luftojmë kundër varfërisë tuaj. Duam t'ju japim një shans fëmijëve tuaj. Atëherë do të na e kthejnë besimin", tha Schulz.

Se kush e fitoi debatin e parë evropian midis kandidatëve kryesorë është e vështirë të thuhet. Deri tani, Festivali i Eurovizionit Song Contest ka qenë i vetmi transmetim televiziv, në dyzina gjuhësh. Tani u shtua debati për fushatën elektorale. Jo kaq i larmishëm, aspak karakteristik dhe për shkak të shumë mendimeve në përputhje me njëra-tjetrën, jo kaq interesant, sa ç'e kishin shpresuar organizatorët.