1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debatet mbi rregjistrimin e popullsisë në jug të Shqipërisë

14 Mars 2011

Rregjistrimi popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të kombësisë e fesë ka ngjallur debate të ashpra në opinionin publik shqiptar.

https://p.dw.com/p/10Yvn
Rregjistrimit të popullsisë në Shqipëri i paraprijnë debate të nxehta.Fotografi: DW

Rregjistrimi popullsisë mbi bazën e vetdeklarimit të kombësisë e fesë do të kryhej gjatë muajit mars 2011. Pas protestave e reagimeve të juristëve, OJF-ve, grupimeve dhe shoqatave të ndryshme, ai është shtyrë për në tetor të këtij viti.

Vangjel Dule, kryetar i partisë PBDNJ.
Vangjel Dule, kryetar i partisë PBDNJ.Fotografi: DW

Vangjel Dule kryetar i PBDNJ, i kujtoi qeverisë shqiptare detyrimin se Këshilli Europës rithekson nevojën e një rregjistrimi të përgjithshëm të popullsisë ku të përfshihen në pyetsor edhe të dhënat në lidhje me përkatësinë etnike, identitetin fetar e gjuhën amtare.

Ndërkaq në Gjykatën Kushtetuese, kryetari gjykatës së shkallës së parë të Sarandës, ka depozituar kërkesën për amendimin e ligjeve, që lejojnë ndryshimin e kombësisë përmes proceseve gjyqësore. Adelina Asllani, historiane, thotë:

"(...) Kombësia as shitet e as blihet, ajo duhet të provohet përmes dokumentacionit, që ndodhet në gjendjen civile. Nuk mund të vetëdeklarohet personi se është grek, është serb, malazez, anglez apo kështu me radhë."

Organizata e minoritetit grek Omonia e shikon ngecjen e procesit të rregjistrimit si shkelje të të drejtave kuadër dhe fajëson indirekt qeverinë shqiptare.

"Aktualisht procesi ka ngecur. Ai nuk po avancon, megjithëse Këshilli Europës e SHBA janë të preokupuar e të angazhuar për t'i dhënë zgjidhje këtij problemi. Aktualisht qeveria është në një lloj heshtje", - thotë Dhimitër Kokoveshi kryetar i Omonias për rajonin e Gjirokastrës.

Pamje nga Gjirokastra.
Në jug të Shqipërisë, ku ka mjaft raste martesash të përziera etnikisht, rruga gjyqësore shihet si zgjidhje për përcaktimin e kombësisë.Fotografi: DW

Ndërsa një tjetër përfaqësues i minoritetit grek, kësaj here në rolin e një analisti, Jani Jani thotë: "Është në interes edhe të shtetit shqiptar që të bëhet një rregjistrim i plotë, i saktë dhe zyrtar i minoriteteve etnike."

Ndërkohë Vaso Polo, i një partie të re të minoritetit Mega, rrëfen rastet e martesave të përziera mes shqiptarëve e grekëve, kur nga presionet shtetasit nuk kanë deklaruar kombësinë e vërtetë:

"Sipas mendimit tim, sot kur në gjykata bëhet një presion i madh për të mos bërë ndryshimin e kombësisë mbi bazën e dokumentacionit, është e vetmja mënyrë rregjistrimi popullsisë mbi baza etnike e fetare e cila do tregojë numrin e saktë. Kjo është një fyerje e madhe që na bëhet për të mos na lejuar të deklarojmë kombësinë e fenë."

Por kundër kësaj praktike janë ngritur dhjetëra shoqata, të cilat kanë nisur edhe nënshkrimin e një peticioni me mbi 20 mijë firma, për të rrëzuar si të pavlefshëm formularin e rregjistrimit të popullsisë.

Skënder Korkuti, kryetar i shoqatës rajonale "Labëria" e deklaron: "Regjistrimi popullsisë mbi bazë të përkatësisë, etnisë e fesë është një minë me sahat për popullin shqiptar. (...) Shoqata Labëria distancohet plotësisht dhe kundërvihet me forcë, që kjo të mos bëhet (...). Ne duam të mbetet Shqipëria kështu siç është."

Kështu duket se fati i procesit të rregjistrimit mbetet ende i paqartë.

Autor: Odise Kote

Redaktoi: Eliana Xhani