1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Demokracia e Re" kundër projektligjit për imigracionin

12 Janar 2010

Kreu i partisë "Nea Demokratia", Andonis Samaras, e cilësoi projektligjin “jashtë çdo logjike” dhe “kundër interesave kombëtare” dhe premtoi shfuqizimin e tij kur të vijë në pushtet.

https://p.dw.com/p/LTRC
Imigrantë para zyrës së rregjistrimit në Athinë.
Fotografi: AP

Plot tri javë pas publikimit të projektligjit të kabinetit Papandreu, për dhënien e nënshtetësisë fëmijve të imigrantëve dhe të të drejtave politike në rangun e pushtetit komunal, për një pjesë të prindërve të tyre, e djathta greke theu heshtjen e saj duke u pozicionuar kundër projektligjit. Ajo bashkoi zërin e saj me atë të nacionalistëve të "Alarmit Ortodoks Popullor". Duke folur para kuadrove të partisë së tij, kreu i Demokracisë së Re, Andonis Samaras, e cilësoi projektligjin “jashtë çdo logjike” dhe “kundër interesave kombëtare”, në shërbim të “qëllimeve partiake” të socialistëve, që duan votën e imigrantëve dhe u zotua, se do ta anulojë kur të vijë në pushtet.

Kryetari i partisë së djathtë greke në opozitë, "Demokracia e Re", Andonis Samaras.
Kryetari i partisë së djathtë greke në opozitë, "Demokracia e Re", Andonis Samaras.Fotografi: Photo European Parliament

Samaras: "Grekët po harrojnë identitetin e tyre kombëtar!"

“Greqia është një shoqëri e hapur demokratike. Nuk do të lejojmë ta bëjmë një kështjellë të koracuar. Por nuk do të lejojmë as që të bëhet han me dy porta” - deklaroi Samaras. Ai madje mbajti qëndrime ekstreme, që deri tani ishin dëgjuar vetëm nga partia e ekstremit të djathtë dhe kreu i saj, Jorgos Karaxhaferis. Konkretisht shtroi çështjen e identitetit kombëtar për fëmijët e imigrantëve, dhe vendosi si kusht arsimin e detyruar grek 9-vjeçar, për përftimin e nënshtetësisë me maturimin e tyre.

“Grekët janë popull, nuk janë popullatë. Ajo që e shndërron 'hapësirën gjeografike' në shtet dhe 'popullatën vendase' në popull është identiteti i saj”, tha kreu i së djathtës greke. Samaras theksoi, se identiteti kombëtar” harrohet nga grekët kur bëhet aktual në perëndim nga francezët, britanikët dhe spanjollët.

Të djathtët kërkojnë referendum popullor për projektligjin

“Është një projektligj që lehtëson hyrjen klandestine të imigrantëve, me qëllim që të lindin fëmijë në Greqi, në vijim të përftojnë në mënyrë automatike nënshtetësinë fëmijët e tyre dhe të legalizohen kështu detyrimisht edhe prindërit e tyre” - deklaroi Samaras. Ai i dërgoi edhe një letër ministrit të Brendshëm, Janis Ragusis, ku i shpjegon me hollësi pse partia e tij vendosi të votojë kundër projektligjit dhe lë të kuptohet, se për një rregullim të tillë, duhej të ishte pyetur populli. Në letër bëhet fjalë për injorim të “opinionit” të qytetarëve, kur mësohet se mund të përkrahet edhe mbajtja e referendumit të kërkuar nga nacionalistët.

Kryetari i partisë nacionaliste greke, "Alarmi Ortodoks Popullor", Jorgos Karaxhaferis.
Kryetari i partisë nacionaliste greke, "Alarmi Ortodoks Popullor", Jorgos Karaxhaferis.Fotografi: Photo European Parliament

Duke përkrahur të drejtën e votës vetëm për bashkëkombasit nga Shqipëria në zgjedhjet komunale të muajit tetor, qëndrimi i Demokracisë së Re është po ai i nacionalistëve, të cilët e shumta sugjerojnë “një kuadër institucional mikpritjeje për imigrantët”. “Por jo nënshtetësi dhe votë”, thotë kreu i tyre Karaxhaferis, i cili insiston për referendum dhe filloi mbledhjen e firmave. Në këto kushte, nuk është çudi, që qeveria të mos paraqesë këtë javë në parlament projekt-ligjin, me rrezikun që të interpretohet si tërheqje e saj para presionit të së djathtës.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Eliana Xhani