1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Destinacioni 'Majat e Ballkanit'

19 Prill 2013

Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve ka vlerësuar ditët e fundit me çmim të parë projektin "Majat e Ballkanit", një destinacion që shtrihet në territorin kufitar të tre shteteve fqinje.

https://p.dw.com/p/18JDa
The "Guest houses" in North Albania are very attractive for the foreign tourists. Author: Arben Muka Time: 15. 04. 2013 Place: Tirana / ALBANIA
Fotografi: DW/A. Muka

Gjatë muajve të dimrit ekspertë të Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve, WTTC, ishin drejtëpërdrejtë në terren për të vlerësuar ecurinë e projektit "Majat e Ballkanit", që përfshin tre vende Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Javën e kaluar Samiti Botëror i WTTC-së që u mbajt në Dubai i akordoi këtij projekti njërin prej çmimeve të para nga katër kategoritë ku pati konkurim në rang global. Çmimi e ka vlerësuar këtë destinacion si një sukses në zbatimin e programeve të bizneseve turistike me përfitime sociale, ekonomike, kulturore dhe mjedisore nga të gjitha palët e përfshira.

Destinacioni "Majat e Ballkanit", është një shteg i gjelbërt me një gjatësi të gjurmës së saj në afër 192 km ku në pjesën më të konsiderueshme shtrihet në atë që konsiderohet si Parku Ballkank i Paqes. Ky projekt është zbatuar nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ shpk, në kuadër të Fondit të Hapur Rajonal, që financohet drejtëpërdrejtë nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, BMZ.

Trajtimi i zonës si një destinacion i përbashkët

Zëvendësdrejtori i zyrës së GIZ në Shqipëri, Ismail Beka, thotë se ky destinacion ndër vite është frekuentuar nga vizitorët vendas dhe të huaj në mënyrë të veçuar, sepse kishte pengesa administrative, që nuk lejonin kalimin e njëkohshëm nëpër atë territor me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe të trashëgimisë kulturore dhe historike. Për të tejkaluar barrierat ka pasur një bashkëpunim mes tre vendeve në disa nivele, një sinergji mes qeverive, rajoneve, komunave, organizatave e shoqatave të turizmit si dhe të autoriteteve policore shqiptare, malazeze dhe kosovare për formalizuar procedura, që sigurojnë qasje më të lehtë në shfrytëzimin e territorit si një të tërë, thotë për DW Ismail Beka nga GIZ shpk.

Ismail Beka from GIZ office Tirana (GIZ- Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit -GIZ) GmbH, speaking for DW Author: Arben Muka Time: 15. 04. 2013 Place: Tirana / ALBANIA
Zëvendësdrejtori i zyrës së GIZ në Shqipëri, Ismail Beka.Fotografi: DW/A. Muka

"Për të ardhur deri këtu janë dashur shumë energji. Ka pasur më herët projekte zhvilluese bilaterale me të tre shtetet kufitare. Për Shqipërinë është i njohur projekti shumëvjecar në zonën malore të Thethit për ngritjen dhe konsolidimin e "guest house"-ve, si hotele familjare mjaft atraktive për vizitorët vendas dhe të huaj, që frekuentojnë turizmin malor dhe atë të aventurës. Kooperacioni gjerman ka mbështetur dhe projekte të tjera për gjallërimin e resurseve turistike në Mal të Zi apo në Kosovë. Këto investime të ndara hapën rrugën për ta trajtuar zonën e alpeve si një destinacion të përbashkët, si një aleancë të qëndrueshme të burimeve njerëzore dhe resurve natyrore".

Në zonën e alpeve prej vitesh ka pasur dhe mbështetje me projekte nga vende të tjera, si Austria, Anglia, Holanda, Italia, nga PNUD-i etj. Për të nxitur gjallërimin e jetës në këto zona, ku përjetohet një dimër i gjatë dhe infrastruktura është problematike, për të nxjerrë në pah cilësinë, që kanë banorët me mikpritjen e tyre dhe dëshirën për të zgjeruar aktivitetin ndërkufitar. Sipas ekspertëve përcaktuese në ecurinë e projektit "Majat e Ballkanit" ka qenë dhe fryma kooperuese mes komunave të Pejës në Kosovë, të Plavës në Mali të Zi, si dhe në territorin e Shqipërisë të komunave të Shalës në Shkodër dhe të Margegajt në Tropojë.

Të punosh në një terren të tillë nuk është e lehtë. Pasi vetëm për infrastrukturën e komunikimit mes partnerëve të duhet kohë fizike. Por kjo nuk na ka penguar, pasi kemi gjetur gatishmërinë dhe këmbënguljen e aktorëve lokalë në të tre vendet. Kemi arritur dhe njehsimin e sinjalistikës turistike për të tre vendet, duke iu referuar modelit të Malit të Zi, që u konsiderua si i përafruar me atë të BE-së. Dua të kujtoj një përcaktim që bëri gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit në Samitin e javës së kaluar në Dubai, ish presidenti i SHBA-ve Bill Klinton, kur nënvizoi faktin e kapërcimit të rajonit ballkanik nga lufta në paqe. Çmimi, që ka marrë destinacioni "Majat e Ballkanit" nga WTTC-ja, duhet parë si një element i fuqishëm marketingu për transformimin rajonal", thotë Ismail Beka.

Integrimi rajonal si njw premisë për integrimin në BE

Dr. Banush Xhabrahimi, ekspert i ekonomisë, mendon se këto destinacione me karakter rajonal duhen nxitur nga autoritetet, si dhe nga grupet i interesit, sepse janë një konkretizim për integrimin mes vendeve ballkanike. Programe të tilla janë një gjë e prekshme, me impakt të drejtëpërdrejtë për komunitetet, që banojnë në zonat ndërkufitare, por dhe më gjerë, thotë për DW dr. Xhabrahimi.

Dr. Banush Xhabrahimi economic expert speaking for DW Author: Arben Muka Time: 15. 04. 2013 Place: Tirana / ALBANIA
Banush Xhabrahimi, ekspert i ekonomisëFotografi: DW/A. Muka

"Kalkulimi nuk mund të jetë thjesht turistik, por si një zhvillim dhe zgjerim tregu shumëplanësh njëkohësisht. Destinacioni i përbashkët turistik Shqipëri, Kosovë e Mali i Zi nuk është mundësia e vetme, ndaj duhet gjykuar me këtë mendësi dhe për programe të tjera dy ose më shumë palëshe, që stimulojnë zona të lira zhvilluese me leverdi të ndërsjella ekonomike mes partnerëve të përfshirë. Kështu mund të operohej dhe fjala vjen në zonën e Prespës, si një territor kufitar mes tre shteteve fqinje Shqipëri, Maqedoni e Greqi. Kështu shkohet dhe në favor të objektivit që integrimi rajonal është një premisë shumë pozitive për integrimin e këtyre vendeve në BE. Eksperienca e vendeve të rajonit jep shumë raste të ndërrmarrjeve të përbashkëta me disa palë. Fundja kjo duhet jo vetëm për zhvillim ekonomik, social, turistik etj., por ndihmon në krijimin e psikologjisë bashkëpunuese, që e largon më shumë mentalitetin e agjendës së konfrontimit dhe acarimit me shteteve ballkanike, për ta bërë rajonin edhe më të sigurtë dhe më atraktiv për pjesën tjetër të kontinentit ose të globit."

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica