1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqetësimet ishin më kot

Rayna Breuer / Eliana Xhani30 Prill 2014

Ishte zgjerimi më i madh në historinë e BE-së. Dhjetë vende u anëtarësuan në 1 maj 2014. Gëzimi ishte i madh, ashtu edhe pritjet. Por kishte edhe rezerva, kryesisht nga sipërmarrjet në vendet e vjetëra anëtare.

https://p.dw.com/p/1BrFe
Fotografi: picture-alliance/dpa

Fishekzjarre, drita shumëngjyrëshe dhe një det flamujsh evropianë zbukuronin në 1 maj 2004 kryeqytetet e dhjetë shteteve të reja anëtare të BE-së. Të sapoardhurit u përshëndetën përzemërsisht në Bruksel. Vetëm në radhët e sipërmarrjeve në vendet e vjetëra anëtare të BE-së atmosfera nuk ishte festive. Me ndjenja të përziera e shihnin ato zgjerimin në Lindje. Një treg më i madh i brendshëm do të thotë vërtet më shumë konsumatorë, por edhe më shumë konkurrencë.

Veçanërisht sipërmarrjet në Gjermani bënin pjesë ndër skeptikët e zgjerimit në Lindje. "Sipërmarrësit gjermanë shqetësohenin për tri çështje kryesore: së pari për shtimin e konkurrencës nga firmat evropiano-lindore, pastaj për një konkurrencë më të fortë dhe një trysni në rritje për racionalizim nga firma, të cilat vijnë në Gjermani dhe prodhojnë këtu", thotë Michael Grömling nga Instituti i Ekonomisë Gjermane (IDW) në Köln.

Në foto: Prof. Dr. Michael Grömling
Në foto: Prof. Dr. Michael GrömlingFotografi: Institut der deutschen Wirtschaft

Veç kësaj disa nga anëtarët më të vjetër të BE-së druanin se për shkak të ndryshimeve në mirëqënie dhe papunësisë së lartë në vendet e reja anëtare, do të kishte valë të mëdha imigrantësh. Në vitin 2003 të ardhurat mesatare bruto për banor në vendet e reja anëtare ishin gati sa gjysma e mesatares në 15 vendet më të vjetëra anëtare.

Edhe Felix Pakleppa, drejtuesi i shoqatës qendrore të sipërmarrësve gjermanë të ndërtimit, kujtohet mirë për shqetësimet e dhjetë vjetëve më parë. Në fillim të shekullit të ri sektori i ndërtimit në Gjermani gjendej në një fazë recesioni "kështu që ekonomia e ndërtimit në përgjithësi ishte e dobët dhe në pozicion të keq", thotë Pakleppa. Frika nga konkurrenca ishte e madhe atëherë, ajo mund të ofronte çmime më të favorshme pasi diferenca në paga ishte shumë madhe.

Konstatimi i habitshëm 10 vjet më pas

Por gjithçka shkoi mirë, mund të thuhet nga këndvështrimi i sotëm. Pasi shifrat flasin vetë: në vitin 2014 vetëm 10 për qind e sipërmarrjeve thonë se kanë ndjerë ndikime të forta si pasojë e zgjerimit në Lindje, thuhet në një studim të IDW në Köln. Që prej vitit të anëtarësimit 2004, si importet ashtu edhe eksportet nga vendet e reja anëtare pothuajse janë dyfishuar, tregon studimi. Polonia si destinacion i eksporteve gjermane ka pasur rritjen më të dukshme, ndërsa Hungaria përkundrazi ka humbur peshë.

Pritjet më të zymta pra nuk u bënë realitet. "Kjo lidhet nga njëra anë me faktin që numri i imigrantëve rezultoi më i vogël nga sa pritej", thotë Pakleppa.

Në foto: Felix Pakleppa
Në foto: Felix PakleppaFotografi: Zentralverband Deutsches Baugewerbe

E megjithatë disa ndikime të lehta janë shënuar. "Ne konstatojmë se konkurrenca në tregun gjerman të ndërtimeve është bërë më e fortë. Kjo lidhet në radhë të parë me ndryshimet në kostot e punës: paga, sigurime sociale dhe tarifat për orë, ku diferenca shkon deri në 18, 19 euro për orë", thotë Pakleppa.

Sipas ligjeve të BE-së punëmarrësit dhe firmat mund të mbeten për shumë muaj në sistemin e sigurimit social të vendit të tyre, edhe kur punojnë në një vend tjetër të BE-së.

Imigrantët të mirëpritur (tani)

Zhgënjim të lehtë pati edhe në radhët e optimistëve dhe përkrahësve të zgjerimit në Lindje të BE-së. Pritjet e tyre gjithashtu nuk u realizuan: "Ne pyetëm në atë kohë sipërmarrjet nëse prisnin një treg me rritje të fortë në Evropën Lindore. Atëherë ato u shprehën me optimizëm të përmbajtur", thotë Grömling, por edhe ky lloj optimizmi rezultoi më i lartë se realiteti.

Një nga shkaqet për këtë mund të gjehet tek vendet në zhvillim të cilat në të njëjtën kohë shënuan rritje të fortë ekonomike. "Këto impulse pozitive, të cilat fillimisht ishin drejtuar më fort drejt Evropës Lindore, ka mundësi të kenë kaluar edhe në vende të tjera", mendon Grömling nga Instituti i Ekonomisë Gjermane. Edhe tek sipërmarrjet gjermane të ndërtimit nuk pati valë të mëdha ekspansioni në shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Ndërkohë që frika nga vala e imigrantëve dhjetë vjet më parë ishte ende e madhe, sot sipërmarrjet dhe shoqatat e ekonomisë e shohin këtë disi ndryshe: "Zhvillimi demografik bën që sot të hidhen sytë edhe tek potenciali i punonjësve të kualifikuar nga Evropa Lindore. Numri i të rinjve në Gjermani, që mund të tërheqim në sipërmarrjet tona, është në rënie. Për këtë arsye sot punëmarrësit nga Evropa Lindore dhe Qendrore janë më të mirëpritur se dhjetë vjet më parë", thotë Pakleppa. Kështu ndryshojnë kohët!