1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhjetëra mijëra francezë protestojnë kundër qeverisë

afp / Esat Ahmeti6 Maj 2013

Një vit pas ardhjes në post të presidentit francez Francois Hollande në rrugë dolën të dielën dhjetëra mijëra kundërshtarë të kursimeve të qeverisë socialiste. Protesta kishte edhe kundër martesave të homoseksualëve.

https://p.dw.com/p/18SvQ
Fotografi: Reuters/Charles Platiau

Në Paris, u mblodhën dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës majtiste, duke protestuar kundër asaj që ata e quajnë politikë e rreptë e kursimit të qeverisë. Në kryeqytet si dhe në qytete të tjera të vendit në rrugë për të protestuar dolën edhe kundërshtarët e martesave të homoseksualëve.

Policia foli për 30.000 pjesëmarrës në marshin protestues kundër masave të kursimit, i cili ishte nisur nga Sheshi parisien de la Bastille. Organizatorët nga ana tjetër thanë se në protesta morrën pjesë 180.000 njerëz.

Në foto, Jean-Luc Melenchon
Në foto, Jean-Luc MelenchonFotografi: Reuters/Charles Platiau

"Ne nuk pranojmë politikën e kursimeve të ashpëra", tha udhëheqësi i Partisë së Majtë Jean-Luc Mélenchon në fjalimin e tij drejtuar protestuesve. "Nëse ju nuk e dini se si duhet vepruar atëherë e dimë ne",  iu drejtua ai qeverisë. Udhëheqës të socialistëve nga ana tjetër akuzuan Mélenchon-in gjatë një takimi në jugperëndim të Francës për përçarje të së Majtës.

Laurent: Vit i humbur për ndryshime           

Kritika në adresë të partisë në pushtet kishte edhe nga politikanja e të Gjelbërtve Eva Joly. Ajo kërkoi nga qeveria "ndryshime të menjëhershme dhe të vërteta". Ndërsa udhëheqësi i komunistëve Pierre Laurent foli për një "vit të humbur sa i përket ndryshimeve."

Në Paris dhe disa qytete të tjera të mëdha të tilla si Lion, Rennes, Lille dhe Montpellier, të dielën demonstruan edhe kundërshtarë të martesës së homoseksualëve për të cilën së voni është vendosur nga Parlamenti. Reforma është shumë e diskutueshme dhe ka javë që është bërë shkak i protestave si të përkrahësve ashtu dhe kundërshtarëve të saj.

Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: Reuters/Charles Platiau

Qysh të shtunën rreth një mijë njerëz, në mesin e tyre shumë fëmijë dhe të rinjë dolën në rrugët e qytetit të Strasburgut. Ata brohorisnin parulla të tilla si "Hollande, ne nuk e duam ligjin tënd." Bashkë-organizatori i protestës Georges Villiers i tha agjencisë së lajmeve AFP se problem është që martesa mes homoseksualëve "automatikisht" tërheq me vete edhe mbarësimin artificial.

Tre të katërtat e francezëve të pakënaqur me Hollande-n

Kritikët e qeverisë përzgjodhën për tubimet e tyre fundjavën para përvjetorit të parë të fitores së zgjedhjeve nga  Hollande. Socialistët kishin fituar më 6 Maj të vitit 2012 balotazhin e zgjedhjeve kundër atëherë presidentit konservator Nicolas Sarkozy.

Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: Reuters/Charles Platiau

Franca është në prag të një recesioni, papunësia ka arritur nivelin e saj më të lartë në 16 vitet e fundit. Pothuajse tre të katërtat e popullit francez thonë se janë të pakënaqur me punën e Hollande-s. Ai është aq i padashur në radhët e popullit sa asnjë president tjetër francez, një vit pas marrjes së detyrës.