1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhunë e re në Gjeorgji

4 Tetor 2008

Shtatë ushtarë rusë u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën nga bombardimi prej një automjeti në rajonin e Osetisë Jugore të premten, bënë të ditur agjencitë ruse të lajmeve.

https://p.dw.com/p/FTqd
Zchinwali, Gjerogji
Zchinwali, GjeorgjiFotografi: AP

Udhëheqësit lokalë të Osetisë Jugore akuzojnë Gjeorgjinë se qendron pas atentatit: Shpërthimi ndodhi në qytetin e Osetisë Jugore Çkinvali, në afërsi të një baze të ushtrisë ruse, bëri të ditur agjencia ruse e lajmeve, Interfaks. Ajo citon burime të autoriteteve të Osetisë Jugore.

Shpërthimi i fuqishëm dëmtoi një ndërtesë të ushtarëve rusë të këmbësorisë dhe theu dritaret në godinat përreth në një rreze prej gjysmë kilometri, bëri të ditur Interfaks.

Zyrtarët në provincën kryengritëse thanë se incidenti ndodhi pasi një automjet i dyshimtë i qytetarëve të Gjeorgjisë u konfiskua nga ushtarët rusë. Automjeti më katër akse doli se ishte i mbushur me eksploziv dhe për pak sa nuk e shkatërroi plotësisht bazën ushtarake ruse në afërsi.

Eduard Koikoty, presidenti i Osetisë Jugore, nuk vonoi që të akuzonte forcat speciale gjeorgjiane që kishin organizuar sulmin. "Ky ishte një sulm i organizuar nga Ministria Gjeorgjiane e Sigurisë Kombëtare", i tha Koikoty agjencisë shtetërore ruse të lajmeve ITAR-TASS.

Por zëdhënësi i ministrisë së brendshme të Gjeorgjisë, Shota Utiashivili e mohoi përfshirjen e vendit të tij në atë që u duk si bombardim prej një automjeti me objekt ushtarët rusë.

"Unë mendoj se ky është një provokim me synimin e mbajtjes së trupave ruse në Gjeorgji, " i tha Utiashvili agjencisë së lajmeve AFP në Tbilisi.

Mijëra ushtarë rusë vazhdojnw ndërkohë të qendrojnë të stacionuar në brendësi të Osetisë Jugore, në territorin e provincës gjeorgjiane të Abkazisë, dhe në disa "zona tampon" përreth këtyre rajoneve, pas luftës së shkurtër me Gjeorgjinë.

Pasi trupat gjeorgjiane u bënë zap nga forcat ruse, u ndërmjetësua nga BE një marrëveshje paqeje, me të cilën Rusia zotohet se do t'i tërheqë trupat e saj nga territori gjeorgjian deri në datën 10 tetor, një premtim të cilin presidenti rus, Dmitri Medvedjev e përsëriti të enjten.

Të mërkurën, në Gjeorgji nisi punën një mision prej 350 vetësh i BE. Synimi i tij është monitorimi i armëpushimit dhe tërheqja e trupave ruse nga zonat tampon përeth provincave që kërkojnë shkëputjen.