1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190811 Gewalt Nahost

19 Gusht 2011

Dhuna në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet. Pas një serie sulmesh, ku humbën jetën tetë vetë, ushtria izraelite sulmoi objektiva në Rripin e Gazës. Çfarë nënkupton vala e re terrorit e aksionet hakmarrëse izraelite?

https://p.dw.com/p/12JVU
Palestinezët në morgun e Rafahut tregojnë trupat e vrarë
Palestinezët në morgun e Rafahut tregojnë trupat e vrarëFotografi: dapd

Në natën e së premtes (18./19.8.) forcat ajrore izraelite kanë kryer një varg sulmesh kundër Rripit të Gazës. Ato u paralajmëruan më parë nga ministri i Mbrojtjes Ehud Barak gjatë vizitës që bëri në vendin e sulmuar, Eilat. Barak: "Në qoftë se do të jetë e nevojshme atëherë ne do të zgjerojmë këto sulme hakmarrëse. Ne duhet ta kemi të qartë se kundër nesh ashtu si më parë ekzistojnë plane terroriste. Ne jemi në luftë të vazhdueshme."

Sipas mjekëve palestinezë si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës të enjten vonë në mbrëmje u vranë gjashtë njerëz. Sulmet drejtoheshin kundër anëtarëve të organizatës radikale të ashtuquajtur "Komiteti i kryengritjes popullore". Shefi i tyre, Kamal al-Nairab është njëri prej viktimave. Në natën e së premtes (19.08.) pas goditjeve izraelite palestinezët njoftuan edhe për një viktimë tjetër dhe disa të plagosur.

Ehud Barak
Ehud Barak, ministër i MbrojtjesFotografi: dapd

Hamasi mohon lidhjet me sulmet terroriste

Shkak për shpërthimin e dhunës ishin sulmet ndaj autobuzëve dhe makinave izraelite të kryera të enjten pasdite në afërsi të qytetit bregdetar Eilat në Detin e Kuq. Të vdekur dhe të plagosur kishte edhe si pasojë e shpërthimit të një mine, mbi të cilën kaloi një automjet ushtarak izraelite. Hamasi, i cili qeveris në Rripin e Gazës mohon çdo lidhje me serinë e sulmeve terrroriste.

Kryeministri Benjamin Netanjahu tha në një deklaratë të shkurtër se, "kush e sulmon Izraelin do të paguajë një çmim të lartë". Ai shtoi po ashtu se: ata të cilët kanë urdhëruar këto sulme nuk janë më në jetë. Në këtë mënyrë apeli i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon që përgjegjësitë të dalin sa më shpejtë që të jetë e mundur para drejtësisë, ishte shumë i vonuar.

Vakuumi i pushtetit në Egjipt- rrezik sigurie për Izraelin

Pak pas sulmeve të para qeveria izraelite bëri bashkëfajtore edhe Egjiptin. Edhe njëherë ministri i Mbrojtjes Ehud Barak: "Kontrolli egjiptian mbi Sinai po dobësohet si rezultat i zhvillimeve në Egjipt. Kështu atentatorët, të cilët siç duket janë nga Rripi i Gazës arritën të depërtojnë deri në Eilat."

Forca të Hamasit në rrugë pas sulmit izraelit të së enjtes
Forca sigurie të Hamasit në rrugë pas sulmit izraelit të së enjtesFotografi: picture-alliance/dpa

Në kohën që Barak po fliste para mikrofonëve në shkretëtirë, filluan të dëgjohen sërish sirenat, pas tyre autoambulancat u nisën në një mision të ri: një atentator tjetër plagosi rëndë dy ushtarë kur kishin kaluar vetëm gjashtë orë nga sulmi i parë.

Ndërkohë ushtria flet për 15 deri në 20 pjesëmarrës në sulmet terroriste. Shtatë prej sulmuesve janë vrarë, të tjerët kanë ikur. Për orë të tëra ushtria ka bastisi në rajon në kërkim të pjesëtarëve të tjerë të celulës terroriste.

Karmon: "Egjipti problem strategjik"

Për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Ely Karmon sulmet në jug të Izraelit nuk ishin të papritura. Sulmet e përsëritura ndaj një gazpërçuesi të rëndësishëm për Izraelin kanë qenë paralajmërimi i mjaftueshëm. Pas përmbysjes së regjimit të Mubarakut është krijuar një vakum pushteti, thotë Karmon: "Egjipti po bëhet një problem strategjik. Nga pikëpamja izraelite kufiri në jug të vendit është një problem më i madh sesa kufiri në veri me Libanin. Sipas mendimit ky është një problem më i madh se Irani."

Të enjten në mbrëmje (18.8.) nga Rripi i Gazës në drejtim të territorit izraelit janë shkrepur disa raketa. Shumica e predhave kanë rënë në afërsi të Ashkelonit në pjesë të pabanuara, një prej tyre është bërë e padëmshme përmes sistemit automatik antiraketor. Ky sistem pritet tani të stacionohet edhe në afërsi të qytetit Beerscheba në shkretëirën Negev.

Në këto qytete fundjavën e kaluar disa mijëra izraelitë protestuan dhe kërkuan më shumë drejtësi sociale. Lëvizja e protestave ka anuluar ndërkohë të gjitha protestat e planifikuara për këtë fundjavë.

Autor: Christin Wagner / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi