1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialog për të ardhmen me kancelaren Merkel

Autor: Kay-Alexander Scholz / Esat Ahmeti29 Gusht 2012

Si duam të jetojmë në këtë vend në vitet e ardhshme? Kancelarja Merkel kishte ftuar qytetarët dhe shkencëtarët në një "dialog për të ardhmen." Një model, që duhet të shërbejë si shembull, lavdëruan ekspertët.

https://p.dw.com/p/15zBi
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dialogu për të ardhmen ka përfunduar. A mund të fillojë e ardhmja? Fatkeqësisht kjo nuk është kaq e thjeshtë. Këtë e pranoi edhe kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) në takimin përmbyllës të hënën (28.08.2012) në Berlin. Shumë ide interesante kanë dalë prej tyre, por ato fillimisht duhet t'i rezistojnë refleksit vetëmbrojtës të nënpunësve të shtetit, të cilët ide të tilla gjithmonë në fillim i marrin si sulm ndaj punës së tyre.

Në maj 2011 kancelarja gjermane inicioi për herë të parë dialogun për të ardhmen. Pasuan tre takime me qytetarë, një dialog shumë aktiv online në një faqe të saj të internetit të ngritur pikërisht për këtë qëllim, një konferencë rinie, një takim me krerët e qeverive të tjera dhe studentë ndërkombëtarë, si dhe një dialog me ekspertët. I gjithë ky aktivitet zgjati mbi 15 muaj. Mbi të gjitha sunduan tri pyetje: Si duhet të jetë bashkëjetesa? Nga çfarë duam të jetojmë? Si duam të mësojmë?

Angela Merkel në takimin në Berlin
Angela Merkel në takimin në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Qindra ide

Merkel donte të dëgjonte qytetarët dhe të inkurajojë ata, që të mendojnë për të ardhmen e vendit. Për këtë qëllim ishin ngritur 18 grupe pune, që merren me tema të tilla si "Familja", "Vetë-imazhi i Gjermanisë", "E ardhmja e punës", ose "Shoqëria, që mëson". Rezultatet e raportit të përbashkët të grupeve të punës përfshijnë qindra ide në 220 faqe. Ky raport iu dorëzua kancelares zyrtarisht në takimin përmbyllës për të ardhmen në Berlin.

Berlin - Angela Merkel im Expertengespräch
Fotografi: DW

Më parë ekspertët, disa prej të cilëve kishin fluturuar enkas nga pushimet, kishin diskutuar gjatë gjithë mëngjesit në lidhje me idetë e tyre. Dhe i gjithë debati u shoqërua nga një emërues i përbashkët: pikat e forta të Gjermanisë do të jenë edhe në të ardhmen në shpirtin social dhe te shtresa e mesme e suksesshme. Edukimi dhe mësimi gjatë gjithë jetës, sipas mendimit të shkencëtarve, janë me rëndësi kyçe për mirëqenien, për një solidaritet reciprok dhe angazhimin e shoqërisë civile.

Lista e parë e detyrave

Kancelarja tha se pajtohet me orientimin themelor të ideve dhe paralajmëroi se për zbatimin e tyre Gjermania ka nevojë për ndryshime të mëdha strukturore. Ajo e di nga përvoja personale, se sa e vështirë është, që kur është fjala për çështjet të tilla si politika energjetike, apo misioni në Afganistan, të caktohet një e ashtuquajtur ministri përgjegjëse. Prandaj konsultimet përkatëse bëhen në ministri të ndryshme. Në këtë mënyrë njeriu e kupton edhe se ku bëhet kafja më e mirë, bëri shaka Merkel.

Kancelarja Merkel me studentë në dialogun për të ardhmen
Kancelarja Merkel me studentë në dialogun për të ardhmenFotografi: dapd

Përzgjedhja e parë e ideve konkrete tashmë ka gjetur vend në një listë për detyrat, që duhen bërë, tha Merkel. Aty bëjnë pjesë ndër të tjera një këshill i arsimit, një sistem i dyfishtë për shkollimin e mëtejshëm dhe një ministër shteti për digjitalizimin. Disa ide janë përcjellë tashmë në ministritë përkatëse.