1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu Kosovë- Serbi dhe perspektiva e tij

2 Prill 2011

Kosova sërish gjendet në krizë të institucioneve. Kjo ka hedhur hije të rëndë edhe mbi dialogun Kosovë-Serb,i i cili në fillim të kësaj jave solli marrëveshjet e para parimore.

https://p.dw.com/p/10mJM
Fotos von unserer Korrespondentin aus Brüssel - Marina Maksimovic 08. März 2011 --- Auf dem Foto ist das Europarat-GebäudeFotografi: DW

"Dialogun do të vazhdojmë nga mesi i prillit, në qoftë se Kosova deri atëherë ende i ka përfaqësuesit e vet!" Me këtë përgjigje gjysmëironike, shefi i delegacionit serb në dialogun me Prishtinën Borislav Stefanoviq, bëri të qartë se kriza institucionale në Kosovë do të mund të ndikonte edhe dialogun kosovaro - serb.

Qeveria e Kosovës ndërkohë ka kumtuar se shpallja e zgjedhjes së presidentit antikushtetuese nuk do të ndalë dialogun me Serbinë. Edita Tahiri, zëvendëskryeministre dhe shefe e delegacionit kosovar në dialog me Serbinë, bëri të qartë se me palën serbe janë hapur shumë tema të rëndësishme si telekomunikacioni dhe furnizimi me energji elektrike. Ajo thotë se janë arritur edhe marrëveshjet e para parimore. "Kemi bërë progres në çështjet e regjistrit civil dhe kthimit të dokumentacionit kadastral", shpjegon Tahiri. Këtë marrëveshje konfirmon edhe shefi i delegacionit serb Borislav Stefanoviq.

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo
Borko StefanovicFotografi: DW

"Kjo marrëveshje është vetëm një prej elementeve të procesit të përgjithshëm. Ne jemi të gatshëm që me dokumentacionin përkatës të kontribuojmë në zgjidhjen e këtij procesi dhe të ndihmojmë qytetarët të realizojnë të drejtat e tyre", thotë Stefanoviq.

Marrëveshja me palën serbe është arritur vetëm duke i falënderuar kompromisit të palës kosovare, e cila pranoi që t'i kthehen kopjet dhe jo origjinalet e regjistrave civilë dhe kadastrit, të rrëmbyera dhe të transportuara në Serbi, gjatë kohës së luftës, para 12 vitesh.

Në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit deri tani ka pasur përparime edhe në çështjen e furnizimit me energji elektrike. Por pala serbe është e mendimit se dialogu në fakt duhet të zhvillohet vetëm për kthimin legal të Elektroekonomisë Serbe në Kosovë dhe furnizimit të popullatës serbe atje.

Stefanoviq pohon se me Kosovën nuk do të nënshkruhet ndonjë marrëveshje, e cila do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë. Shumë analistë janë të mendimit se kjo pamundëson arritjen e marrëveshjeve serioze në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. "Jo kjo nuk do të thotë se marrëveshjet janë të pamundshme. Unë jam i sigurt që marrëveshjet janë të mundshme për të gjitha çështjet e hapura. Por absolutisht është e panevojshme të nënshkruhet ndonjë dokument, e më së paku dokumente që do të njohin apo që mund të konfirmojnë ekzistencën e ndonjë shteti", përgjigjet Stefanoviq.

E konfrontuar me këtë deklaratë të Stefanoviqit, i cili pohon se nuk do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje me shtetin e Kosovës, Tahiri thotë: "Ky dialog teknik ka një kontekst ndërkombëtar, që do të thotë se ne nuk jemi lojtarë unilateral, as Kosova dhe as Serbia. Ne kemi BE-në si ndërmjetësuese dhe SHBA si mbështetëse të dialogut, ndërsa qëllimi është integrimi evropian. Nuk mund të merren vendime unilaterale dhe Stefanoviqi e di shumë mirë se cilat do të ishin pasojat e izolimit të Serbisë, nëse merr një vendim të tillë. Kjo vlen për të dyja palët."

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo
Edita TahiriFotografi: DW

Sidoqoftë burime diplomatike pohojnë se së shpejti në Bruksel do të takohen përfaqësuesit e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ekspertë të EULEX-it dhe përfaqësuesit të autoritetit të regjistrave civile në Serbi. Qëllimi është që të merren vesh përfundimisht rreth regjistrave civilë. Në këtë takim nuk do të jenë shefat e delegacionioneve Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq, sepse takimi është i nivelit teknik. Pritet që ekspertët serbë, me vete do të sjellin edhe regjistrat civilë, që Serbia i ka marrë gjatë kohës së luftës. Eskpertët ndërkombëtarë do të ndihmojnë në verifikimin e kopjeve që do të sillen nga Serbia dhe do t'i dorëzohen kosovarëve. Do të ishte ky rezultati i parë konkret i dialogut kosovaro - serb të filluar në fillim të muajit mars.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama