1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu që nuk ekziston - flet vetëm Vuçiqi

20 Prill 2017

Dialogu është zhdukur praktikisht nga skena politike në Serbi. Skena politike në Serbi është ndarë më shumë se kurrë më parë në miq dhe armiq, debat nuk ka.

https://p.dw.com/p/2bXvt
Serbien weitere Proteste gegen Vucic in Belgrad
Fotografi: picture-alliance/Pixsell/S. Ilic

Ky proces më mirë shihet mbase në internet dhe në rrjetet sociale, ku debatohet më shumë për gjendjen. Ndonjëherë ka dhe momente komike, ku gazetat që botohen në Serbi dhe Mal të Zi, në tregun serb janë kundër anëtarësimit në NATO, e në tregun malazez e mbështesin atë. Gazetarët që e mbështesin më së shumti Aleksandar Vuçiqin angazhohen kundër anëtarësimit në BE dhe për afërsi me Rusinë, ndonëse Vuçiqi trajtohet si proevropian. E gjitha kjo më së miri dëshmon konfuzionin politik dhe mungesën e dialogut normal.

Dialogu konstruktiv nuk është një fenomen me të cilin mund të mburret Serbia. Gazetar i rrjetit BIRN Slobodan Georgiev, thotë se mediat janë nën presion të madh të pushtetit. "Kemi të bëjmë me një represion të përhershëm të pushtetit të Vuçiqit, ku gjithnjë e më shumë dëgjohet vetëm një zë. Mendoj se njerëzit kanë filluar të besojnë se në Serbi nuk ka ndonjë zë tjetër, përveç atij të Vuçiqit, që natyrisht nuk është e vërtetë".

Fëmijët e titizmit

Analisti Dragomir Angjelkoviq thotë se dialogu në Serbi nuk ka ekzistuar në fakt kurrë. Ndaj edhe sjellja e pushtetit të tanishëm nuk mund të shikohet nga një perspektivë tjetër: "Pushteti i tanishëm reflekton atmosferën e tanishme, si edhe opozita", mendon Angjellkoviq. Fajin nuk e ka asnjë person por atmosfera e vazhdimësisë titiste. "Kemi një vazhdimësi të trashëgimisë jodemokratike kulturore dhe të trashëgimisë autoritare".

Ndaj është shumë vështirë të vendoset dialogu në Serbi, sepse këtu mendohet se nuk ka kurrfarë problemi. Ose problemi ekziston, por nuk dihet kush është fajtor. "Mendoj se është shumë vështirë të harrohet e kaluara e manipulimeve të shumta. Pushteti i tanishëm reflekton mungesën e kulturës demokratike në shoqërinë serbe. Por simbolizon edhe gatishmërinë që të vihemi në shërbim të interesave të huaja gjeostrategjike. Ata flasin për vlerat demokratike evropiane, ndërsa vetë janë fëmijë shpirtëror të titoizmit".

Në Serbi nuk ka dialog, kurrë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Por duket se nuk ka as përpjekje për ndryshimin e gjendjes. Vitet e kaluara të sundimit të partisë së Vuçiqit nuk ka pasur pothuajse kurrfarë dialogu politik. Sociologu i kulturës Ratko Bozhoviq thotë se në Serbi mungon gatishmëria e ndarjes së pushtetit dhe dialogut. Në vend të tyre kemi një person, i cili konsiderohet si i gjithanshëm, që i di të gjitha, e disa e konsiderojnë madje si hyjnor.

Analisti politik, Branko Radun thotë se përgjegjësinë për mungesën e dialogut e ka pushteti, por dialogu mungon kaherë, sepse në Serbi nuk ka kulturë dialogu. Ky problem ka ekzistuar më parë në kohën e Titos, Millosheviqit, por edhe Tadiqit dhe tani Vuçiqit.

Interneti - vend i gabuar për debat?

Një pjesë e madhe e debateve zhvillohet sot në internet, ku ka dhe ofendime shumë të rënda. Çdo përpjekje për dialog të mirëfilltë përfundon me ofendime personale. Slobodan Georgiev thotë se interneti është një forum pa moderim, ku nuk respektohet etika e shprehjes së mendimit dhe nuk ka rregulla. Institucionet kanë më së shumti nevojë për debate, por edhe mediat serioze, të cilat duhet të gjejnë bashkëbisedues relevantë. Vuçiqi ka deklaruar vetë se një pjesë e madhe e njerëzve informohet përmes internetit dhe e ka minimizuar rolin e mediave tradicionale. "Vuçiqi i kontrollon të gjitha mediat e mëdha, por jo edhe internetin. Ndaj edhe ndihet i frustruar dhe përpiqet ta paraqesë këtë si rezultat të politikës së tij, sipas motos: e shihni, në internet ekziston liria e mediave".

Akuzat se të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga pushteti janë tradhtarë apo të paguar nga ndonjë fuqi e jashtme janë plotësisht të pabaza. Ratko Bozhoviq thotë se ata që po protestojnë në rrugë duan të shprehin pakënaqësi dhe nuk janë të paguar nga dikush. „Ky është një pohim i marrë i pushtetit. Vuçiqi e përsërit tërë kohën një kritikë të tillë, sepse ofendimet e tilla i sjellin vota", pohon Slobodan Georgiev. Në këtë mënyrë ai mobilizon zgjedhësit e tij, ndërkohë që pasojat për popullin e rëndomtë janë shumë të rënda.