1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu që (s)ka të bëjë me njerëzit e rëndomtë

29 Janar 2013

Përfaqësuesit e Serbisë na tregojnë një version, përfaqësuesit e shqiptarëve një tjetër, ndërsa të bashkësisë ndërkombëtare të tretin... Dialogun secili po e interpreton sipas dëshirës.

https://p.dw.com/p/17TRT
Mitrovica, Kosovë
Mitrovica, KosovëFotografi: AP

Situata në Veri të Kosovës edhe më tej mbetet e komplikuar. Përfaqësuesit e shumicës serbe vlerësojnë se në këto katër komuna jetojnë rreth 60.000 serbë, të cilët edhe më tej refuzojnë bashkëpunimin me institucionet e Prishtinës. Situatën si "të komplikuar" e quajnë për shkak se ata nuk janë të informuar sa duhet dhe si duhet për ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili po zhvillohet në Bruksel. Sipas tyre, marrëveshjet e arritura po interpretohen në forma të ndryshme, varësisht nga qendra se prej nga vijnë këto intepretime: Beogradi, Prishtina apo Brukseli.

Autoritetet e Prishtinës pohojnë se vendkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak janë pikëkalime kufitare ku tani kanë filluar të paguhen edhe doganat. Ndërkohë që Beogradi edhe më tej flet për vendkalime administrative, ku po paguhen vetëm tatime. Serbët e veriut pohojnë se statusi i Kosovës edhe më tej nuk është zgjidhur.

Mitrovica, Kosovë
Mitrovica, KosovëFotografi: DW

Branko Mrkiq nga veriu i Mitrovicës thotë se "situata në Kosovë është shumë e tendosur. Tani po priten disa negociata dhe marrëveshje, por askush në fakt nuk e di sakt se çfarë po ndodh. Përfaqësuesit e serbëve tregojnë një version, shqiptarët një tjetër, ndërsa ata të bashkësisë ndërkombëtare flasin për një version të tretë...". Sipas tij, secili po i interpreton këto bisedime ashtu si i konvenon, varësisht prej interesave të përditshme politike. "Ndërsa populli po duron dhe po pret", pohon Mrkiq.

Asgjë nuk ka ndryshuar

Profesorja e sociologjisë, Milena Simiq thotë se situata në Kosovë "nuk ka ndryshuar fare". "E njëjtë është. Çdo ditë flitet për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që ne nuk dimë asgjë për ecurinë e tij. Unë nuk pres shumë nga ky dialog, sepse ai edhe më tej diktohet prej Amerikës dhe Gjermanisë, të cilët nuk janë në anën e serbëve", pohon ajo.

Ndërsa përfaqësuesit i goranëve në Kosovë Nazim Mehmedi mendon se shikuar nga perspektiva e njerëze që jetojnë në Kosovë, "situata nuk është fare e mirë dhe nuk ka shenja të normalizimit. Presionet e Bashkimit Evropian duket se janë shumë të fuqishme, por kam përshtypjen se populli në Veri ka vendosur të mbetet në vatrat e veta shekullore".

Autor:Zoran Vllashkoviq/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi