1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dilemat e Karamanlisit

1 Shtator 2009

Pasojat e zjarrit të fundit në periferi të Athinës nuk janë vetëm ekologjike por edhe politike. Opozita mendon se bashkë me gjelbërimin e periferisë u dogj edhe mandati qeverisës i kryeministrit grek.

https://p.dw.com/p/JNBK
Dy gra të moshuara duker mbledhur ç'u ka mbetur pas djegies së shtëpisë
Dy gra të moshuara duker mbledhur ç'u ka mbetur pas djegies së shtëpisëFotografi: AP

Rreth 500 bloggers, kryesisht të rinj, me banderola të shumta, rroba të zeza dhe degë të djegura u mblodhën mbrëmjen e së shtunës së kaluar para parlamentit grek në një protestë origjinale për djegien ditë më parë të periferisë verilindore të Athinës. “Aktiviteti i sotëm është një protestë elementare për të gjitha politikat që shkatërrojnë jetën tonë. Për ato të ndërgjegjshmet dhe të tjerat që nga sjellja e pamend, inaktiviteti dhe indiferentizm, i shndërrohen në tragjedi.” - thotë një nga protestuesit.

Kostas Karamanlis
Kostas KaramanlisFotografi: picture-alliance/ dpa

Mbetjet nga djegiet të vendosura para Parlamentit kanë sigurisht semiotikën e tyre kur opinioni është i irrituar që kryeqyteti humbi “mushkërinë e tij të fundit natyrore” dhe opozita shpall në të gjitha tonet se në flakët e zjarreve së bashku me pishat u dogj edhe mandati qeverisës i kabinetit Karamanlis. E tregon me gisht si përgjegjës për katastrofën, pa pritur as rezultatet e investigimit të ndërmarrë nga Prokuroria. “Koha e tij politike ka mbaruar, ndaj edhe Papandreu thotë se Karamanlis po menaxhon eksodin e tij” nga qeverisja e vendit, thotë zëdhenësi i opozitës socialiste, Jorgos Papakonstandinu.

Rikompozim strukturor apo zgjedhje të parakohshme, si dy vjet më parë pas djegies së Peloponezit?

Gjërat kanë ngecur në vend dhe ato duken të pakapërcyeshme për Karamanlisin që dy vjet pas zjarreve të Peloponezit i duhet të zgjedhë: ose rikompozim strukturor, me shpresën se mund të ndryshojë imazhin negativ të kabinetit të tij, ose zgjedhje të parakohshme, që detyrimisht do t’i shpallë në pranverë pasi opozita socialiste kërkon zgjedhje para rinovimit të mandatit të presidentit Papulias që nuk mund të arrihet pa votën e saj.

“Zoti Karamanlis ndodhet para një dileme të tmerrshme. Rikompozimi nuk i mjafton dhe zgjedhjet e parakohshme i teprojnë. Perëndia të vërë dorën e saj,” - ishte shprehja karakteristike e përfaqësuesit të partisë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor, Aivalotis, të fraksionuar vite më parë nga e djathta. Deputeti dhe ish-sindikalisti i djathtë Janis Manolis, që të hënën dha dorëheqjen nga grupi parlamentar i së djathtës në shenjë proteste për imazhin e skandaleve, dhe i cilësoi zgjedhjet e parakohshme “vetëvrasje politike” për Karamanlis, ndërkohë që ministrat e Shëndetësisë dhe ai i Kulturës u shprehen kategorikisht kundër tyre. Kjo kur në anketimet e fundit socialistët kryesojnë me 6,2% diferencë dhe për herë të parë, pas shtatë vjetesh, afirmohet si lider më i preferuar Papandreu.

Waldbrände Griechenland Athen
Zjarre në AthinëFotografi: AP

Zjarret vetëm katalizator në peshoren politike të kthyer me kohë kundër Karamanlisit

“Logjika e thjeshtë thotë se nuk bëhen zgjedhje të parakohshme pas një zjarri të tillë shkatërrimtar dhe veçanërisht kur sheh se indekset e anketimeve nuk të favorizojnë” thotë për Deutsche Welle analisti i mirënjohur grek Tasos Papas. Për atë zjarret janë thjesht katalizatori në peshoren politike të kthyer me kohë kundër Karamanlisit për shkak të skandaleve të shumta, dështimit të tij para korrupsionit në rritje, por edhe lënien e ekonomisë pa “karburant” në mes të krizës – turizmi ka rënë 15 % – dhe sfondin e një vjeshte të nxehtë rivendikimesh nga shtresa të gjera sociale që ndjejnë asfiksi ekonomike.

Socialistët - Fitore nga vota e protestës dhe jo si alternativë bindëse

Zgjedhje të parakohshme për të humbur? “I vetmi opcion që zoti Karamanlis zgjedh këtë kohë është një humbje e tanishme me dinjitet se sa një dërrmim i plotë në mars.” - thotë analisti grek, për të shtuar se është e pamundur të përseritet paradoksi i dy viteve më parë që Karamanlis i fitoi zgjedhjet e parakohshme një muaj pas djegies së Peloponezit. Sipas tij socialistët nga ana tjetër, do të fitojnë nga vota e protestës se sa si “alternativë bindëse”.

Çdo të bëjë pra Karamanlis? Do të bëjë rikompozim në qoftë se ministri i tij i Ekonomisë Papathanasiu siguron të mërkurën në Bruksel një afat të ri dyvjeçar për detyrimet financiare të Greqisë? Apo ditët e ardhshme deri në Ekspozitën Ndërkombëtare të Selanikut, fundjavën e ardhshme, do të hapë kartat dhe do të shpallë zgjedhjet e parakohshme sa pa kaluar gjysma e mandatit qeverisës? Ajo që do të mbetet enigmë në fakt, deri në momentin e fundit, do të jetë vota e qytetarit të revoltuar të Athinës që djegiet tani i ka përbri tij dhe jo në Peloponezin e largët. “Ato 30 orë që luftoja me flakët ndryshuan botën time. Në botën time të re mbeten pak akoma për t'u djegur. Ndoshta edhe ajo shpresa e vakët se më në fund do të gjendet ai që së bashku me pishat e reja do të mbjellë edhe kulturën e re politike dhe sociale që do vendi: Se zjarret dogjën shtepinë e të gjithëve, që është gjelbërimi “ thotë në DW gazetari Arqileas Fakacelis, që si vullnetar shpëtoi shtëpitë e të tjerëve por jo të tijën.

Autor: Niko Anagnosti
Redaktor: Pandeli Pani