1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diplomacia greko-italiane: Shqipëria - Pakt për integrimin europian

12 Shtator 2011

Dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, Franko Fratini e Stavros Labrinidis kanë apeluar tek klasa politike shqiptare që të angazhohet në plotësimin e 12 rekomandimeve të caktuara nga Komisioni Europian.

https://p.dw.com/p/12XSo
Dy ministrat e Jashtëm Franco Frattini dhe Stavros Lambrinidis flasin në konferencën e shtypit. Tiranë 12.09.2011
Dy ministrat e Jashtëm Franco Frattini dhe Stavros Lambrinidis flasin në konferencën e shtypit. Tiranë 12.09.2011Fotografi: dapd

Reforma elektorale, miratimi nga parlamenti i një sërë ligjesh që duan votim të cilësuar, respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, çështjet që lidhen me forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe nxitjen e transparencës, fuksionimi në mënyrë normale i parlamentit etj., - janë përmendur si prioritare nga ministrat Franko Fratini dhe Stavros Labrinidis që qëndruan të hënën në Tiranë.

Misioni i sinkronizuar i ministrave të Jashtëm të Italisë dhe të Greqisë u konsiderua si një risi e aksionit diplomatik të Brukselit për Shqipërinë. Si përfaqësues të lartë të qeverive të shteteve fqinje, Franko Fratini dhe Stavros Lambrinidis e përshkruan qëndrimin në Tiranë si “në një moment kritik në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”. Ata gjatë gjithë konkluzioneve që bënë për gazetarët në fund të axhendës jo pa qëllim përsëritën faktin se gjithçka deklaronin dhe vlerësonin për situatën në Shqipëri e bënin në emër të Brukselit.

Koha për bashkim kombëtar

Franco Frattini dhe Stavros Lambrinidis takohen me kryeministrin Sali Berisha në Tiranë
Franco Frattini dhe Stavros Lambrinidis takohen me kryeministrin Sali Berisha në TiranëFotografi: dapd

Fratini dhe Lambrinidis nuk e fshehën konstatimin pozitiv se gjatë bisedave me përfaqësuesit kryesorë të qeverisë dhe opozitës, si dhe me presidentin e Republikës kishin kuptuar në mënyrë të qartë objektivin e tyre të përbashkët: orientimin europian të vendit. “Mesazhi që ju përcjellim është se ka ardhur koha për një bashkim kombëtar në rrugën europiane të Shqipërisë. Në këtë proces, determinante mbetet plotësimi i 12 prioriteteve të njohura. Reforma elektorale, reformat e tjera nga parlamenti, respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, cështjet që lidhen me forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe nxitjen e transparencës, fuksionimi në mënyrë normale i parlamentit përbëjnë pjesë të këtyre prioriteteve të rëndësishme. Ashtu sic ka rëndësi hartimi i ligjeve të përshtatshme dhe të garantohet zbatimi i tyre. Ne në BE mendojmë se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet dhe mundësitë  për plotësimin  e rekomandimeve të kërkuara”- deklaroi Stavros Lambrinidis, ministër i Jashtëm i Greqisë, duke shtuar se procesi duhet të kalojë nëpërmjet bashkëpunimit konstruktiv mes forcave politike, dhe nëpërmjet ndërtimit të konsensusit.

Po rruga drejt saj po pengohet nga gurë mosmarrëveshjeje...
Po rruga drejt saj po pengohet nga gurë mosmarrëveshjeje...Fotografi: DW

Në BE për interesin e shqiptarëve

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, duke u ndalur në nevojën e hapave konkrete në procesin e integrimit u shpreh se duam që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, jo thjesht për hir të Brukselit, por për interesin e vetë shqiptarëve. “Fatkeqësisht ne kemi lënë pas një vit të humbur. Dhe tashmë duhet që të fitojmë nga ajo kohë që kemi humbur. Interesi kombëtar i shqiptarëve është që ata të bëhen pjesë e familjes europiane. Ajo që ne do të vlerësojmë do të jenë hapat konkrete, rezultatet konkrete, pa të cilat nuk mund të pritet asgjë pozivite në Raport Progresin e ardhshëm të Komisionit Europian. Shqipëria ka nevojë për një pakt  për integrimin, ashtu si bëri për procesin e integrimit në NATO. Ky  pakt mendoj se nuk duhet të diktohet nga ne, por nga vetë shqiptarët. Nëse kjo ndodh atëherë unë shpresoj, ashtu sic shpreson dhe kolegu im Lambrinidis, vendi do të bëhet shumë më shpejt anëtar i BE-së”.

Shefi i diplomacisë italiane u ndal në njërën prej pikave më të nxehta të politikës shqiptare, atë të kryerjes së reformës elektorale, ku janë të qarta sipas tij “plotësimi i 52 rekomandimeve që ka bërë në raportin përfundimtar të zgjedhjeve ekipi i OSBE/ODIHR-it”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi