1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë zie në Shqipëri

22 Maj 2012

Shqipëria ka shpallur sot ditë zie kombëtare. Me të nderon kujtimin e 12 studenteve dhe drejtuesit 55 vjeçar të një autobuzi, që humbën jetën në aksidentin tragjik dje në rrugën Himarë -Sarandë.

https://p.dw.com/p/14zlk
Fotografi: Fotolia/Bernd S.

Flamujt janë ulur sot në gjysëm shtizë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Shqipërisë. Aksidenti tragjik ndodhi dje pasdite, kur një autobus me studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ishte nisur për një ekskursion një ditor në Sarandë.

Autobusi humbi kontrollin në Qafën e Vishës, në Himarë, dhe u rrëzua në një greminë 80 metra të thellë, bëjnë të ditur burime nga policia e qarkullimit rrugor.

Për pasojë 13 vetë humbën jetën mes të cilëve 12 studente, shoferi i autobuzit Pëllumb Çela si edhe u plagosën rëndë 22 studente të tjera. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se shkaku më i mundshëm i ngjarjes së rëndë automobilistike është një defekt teknik në sistemin e drejtimit apo atë të frenimit. Nuk përjashtohet edhe mundësia e një gjendje infarkti që mund të ketë patur drejtuesi i autobusit, që humbi jetën.

Trauer in USA um VT
Fotografi: AP

Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bën të ditur se Kryeministri Sali Berisha ka lënë përgjysëm samitin e NATO-s në Çikago dhe mbërrin sot në Tiranë.

Në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Sequi u shprehu ngushëllimet për familjet e të gjithë atyre që humbën jetën ose u plagosën në aksidentin tragjik në Himarë. “Mendja e të gjithë kolegëve që punojnë me Shqipërinë, si në Delegacionin në Tiranë, ashtu edhe atyre në zyrat qëndrore në Bruksel, janë me familiarët në këtë moment kaq të trishtuar” theksohet në një njoftim për mediat nga delegacion i i BE në Tiranë.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi