1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Weltjugendtag Proteste

18 Gusht 2011

Mijëra spanjollë kanë demonstruar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Rinjëve Katolikë kundër vizitës së Papa Benediktit të XVI. Demonstruesit protestojnë për shkak të shpenzimeve të larta për këto aktivitete

https://p.dw.com/p/12Il5
Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Spanjë
Përleshje mes protestuesve dhe policisë në SpanjëFotografi: dapd

Një mbrëmje e mbushur plot tensione dhe shumë agresive në Madrid. Tollovi dhe të shtyra në mesin e vizitorëve të Ditës Botërore të Rinisë dhe demonstruesve kundër kishës prej të cilëve rreth 2000 kalojnë nëpër qendër të qytetit dhe rigrupohen deri në orët e vona të mbrëmjes. "Më pak fe, më shumë arsim" - ky është një prej slloganeve të demonstratës kundër vizitës së Papës në Spanjë.

Puerta del Sol është e mbushur këtë mbrëmje me plot njerëz nga të dyja kampet kur marshi i demonstruesve arrin në sheshin qendror të Madridit. Demonstruesit brohorasin: "Papa i juaj është nazist!" Kjo thirrje si në kor trondit pelegrinët e rinj gjermanë. Katharina nga Würzburgu me miqtë e saj ndodhet afër vendit ku po zhvillohet demonstrata.

Në Ditën Botërore të të Rinjve në Oviedo
Në Ditën Botërore të të Rinjve në OviedoFotografi: picture alliance / dpa

Katolikët e rinj kritikojnë demonstratën

"Është shumë prekëse çfarë po ndodh tani këtu. Është një demonstratë e madhe e cila nuk është pritur fare. Ka shumë kritika për atë se çfarë ne po bëjmë këtu!"

Megjithatë katolikët e rinj nuk lejojnë që të frikësohen aq lehtë. Ata vazhdimisht thërrasin emrin e Papës.

Kritika kryesore e demonstruesve është se qeveria spanjolle shkurton ndihmat sociale dhe njëkohësisht financon me miliona Ditën Botërore të Rinisë. Por kjo zemëron shumë katolikë të rinj, si përshembull Pacon:


"Ata nuk kanë paguar asgjë! Këto të gjitha i paguajmë ne katolikët! Dhe demonstruesit duhet ta dinë se ne paguajmë këtu edhe vende të punës! Ne jemi ata të cilët u japim atyre paga dhe bukë! Rroftë Papa!

Të rinj katolikë nga e gjithë bota në Toledo të Spanjës
Të rinj katolikë nga e gjithë bota në Toledo të SpanjësFotografi: picture alliance / dpa

Edhe homoseksualët dhe lezbikët në mesin e protestuesve


Në mesin e demonstruesve kundër Papës ka edhe homoseksualë dhe lezbike. Disa kalimtarë spanjollë e konsiderojnë si një provokim kur dy burra puthen në mënyrë demonstrative dhe një mori reporterësh i fotografon ata. Ky burrë mendon: "Ky është një turp!"

Por anëtarët e shoqatave të homoseksualëve dhe lezbikeve, të cilat së bashku me 120 organizata të tjera janë hedhur në demonstratë kundër Ditës Botërore të Rinisë, kanë pikëpamje shumë të qarta dhe ngrejnë akuza kundër kishës:

"Përse jam këtu? Sepse unë jam kundër kishës katolike dhe Jezu Krishtit për shkak se ato shkelin të drejtat tona."


Shpenzimet e shtetit për aktivitetin, revolton njerëzit

Papa Benedikti i XVI
Papa Benedikti i XVI

Megjithatë temë qendrore mbetet: të hollat që shteti spanjoll shpenzon për këtë aktivitet. Fjala është për 100 milionë euro, kisha flet vetëm për 50 milionë, të cilat sipas saj janë mbuluar nga donacionet dhe arka e kishës. Një argument me të cilin nuk binden demonstruesit. Një burrë tjetër thotë:

"Unë jam këtu, sepse më duket shumë e padrejtë që shteti spanjoll duhet të paguajë që gjithë këta njerëz të vijnë këtu. Pastaj e njëjta gjë duhet të bëhet për islamistët dhe budistët, dhe për të gjitha fetë. Më duket me të vërtetë e padrejtë që të gjitha fetë besojnë se ne duhet të paguajmë për to. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu."

Autor: Daniel Sulzmann / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Kelmendi