1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

051211 EU Euro

5 Dhjetor 2011

Ministrat e jashtëm dhe ata për Evropën të vendeve të Bashkimit Evropian u këshilluan të hënën (5.12.) në Bruksel mbi kursin e tyre kundrejt Serbisë.

https://p.dw.com/p/13ND6
MInistrat e Jashtëm të BE në Bruksel
MInistrat e Jashtëm të BE në BrukselFotografi: dapd

Edhe pak ditë deri në samitin e BE-së. Qeveria serbe shpreson që krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së t'i japin vendit të saj të premten (9.12.) në Bruksel statusin e vendit kandidat. Mirëpo opinionet në lidhje me këtë janë qartazi të ndara dhe Serbia mund t'i nisë bisedimet e anëtarësimit vetëm në rast të një 'Po'-je nga të gjitha shtetet anëtare.

Spanja mbështet kandidaturën

Ministri spanjoll për Evropën, Diego Lopez Garrido
Ministri spanjoll për Evropën, Diego Lopez GarridoFotografi: AP

Sidoqoftë ministri spanjoll për Evropën, Diego López-Garrido, qëndron pa kufizim në anën e Serbisë: "Po, ne e mbështesim statusin e kandidatit për Serbinë. Serbia ka bërë përmirësime në detyrimet dhe angazhimet e saj kundrejt Bashkimit Evropian. Vlerësimi i Komisionit ka qenë që Serbia është në rrugë të mbarë dhe Komisioni është një organizëm i besueshëm. Për këtë arsye ne mendojmë që është e nevojshme të mbështesin Serbinë."

Pengesë qëndrimi ndaj Kosovës

Me sa duket, incidentet e fundit në Kosovë nuk luajnë rol për Spanjën, por për të tjerët po. Të hënën (28.11.) e javës së kaluar demonstrues serbë në veri të Kosovës patën sulmuar ushtarë të NATO-s, kur këta po hiqnin bllokimet e rrugëve. Këtu qenë plagosur ushtarë gjermanë dhe austriakë.

Ministri gjerman i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme, Werner Hoyer
Ministri gjerman i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme, Werner HoyerFotografi: DW

Sfondi është ky: Kosova ka shpallur pavarësinë, dhe këtë fakt e ka njohur shumica e shteteve të BE-së. Mirëpo Serbia vazhdon të ngrejë pretendim për Kosovën, sikur të jetë provincë e saj. Në negociatat në fundjavë (3./4.12.) përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës patën rënë dakord që në të ardhmen ta administronin së bashku kufirin. Por serbët, që jetojnë në Kosovë, e refuzojnë marrëveshjen. Për ministrin e gjerman të Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme, Werner Hoyer, gjendja është ende tepër e pakënaqshme për t'i dhënë Serbisë dritën e gjelbër: "Ne duhet të dimë me saktësi se për çfarë është rënë dakord në lidhje me çështjet e fqinjësisë. Incidenti me ushtarët austriakë dhe gjermanë është jashtëzakonisht serioz dhe qeveria serbe duhet ta dijë që kur ajo nuk i shmang gjëra të tilla, të cilat mund t'i shmangte, atëherë kjo është një pengesë që të bën të dështosh." Kancelarja Angela Merkel pati thënë javën e kaluar hapur se Serbia nuk ishte ende e pjekur për të nisur bisedimet e anëtarësimit.

Stubb: "Ballkani perëndimor çështja më urgjente e zgjerimit"

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Alexander Stubb në Bruksel
Ministri i Jashtëm i Finlandës, Alexander Stubb në BrukselFotografi: AP

Ndërkaq ministri finlandez për Evropën Alexander Stubb e paralajmëron BE-në prej ekzagjerimit të grindjes me Serbinë. Sipas tij BE-ja ka "kriza boll" dhe strategjikisht zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është në interesin e BE-së: Të gjithë e dimë që ka një, dy shtete anëtare, që lëshojnë zëra shqetësimi, por më duket se Ballkani Perëndimor është tani për tani me gjasa çështja më urgjente e zgjerimit. Prandaj do të ishte me rëndësi që të bënim përpara këtu. Kam thënë gjithnjë se për momentin ka dy vende të lëkundura, për sa i takon drejtimit të tyre evropian. Këto janë Ukraina dhe Serbia."

Arsyetimi i tij është se me një refuzim tepër të vrazhdë dhe me kushte tepër të ashpra BE-ja mund ta nxjerrë Serbinë përtej, në anën nacionaliste, çka do ta destabilizonte sërish Ballkanin.

Kësisoj vendimi mbi Serbinë do të merret me gjasa në samitin e së premtes.

Autor: Christoph Hasselbach/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica