1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dobruna : Serbia humbësi më i madh në rast se vendos embargo ekonomike ndaj Kosovës

Esat Ahmeti28 Janar 2008

Në rast se Kosova shpall pavarësinë atëherë Serbia do të vendosë embargon ekonomike ndaj Prishtinës.

https://p.dw.com/p/CylF
Central elektrik, Kosovë
Central elektrik, KosovëFotografi: AP

Në rast se Kosova shpall pavarësinë atëherë Serbia do të vendosë embargon ekonomike ndaj Prishtinës. Ky qëndrim edhe pse i shoqëruar me kundërshtime është përsëritur shpesh javëve të fundit në Beograd. Qeveria serbe po ashtu ka miratuar para ca ditësh edhe një plan aksioni në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili konsiderohet si "dokument i shkallës më të lartë të sekretit shtetëror". A përfshihet embragoja ekonomike në këtë dokument mbetet e paqartë.

Kosovo Wirtschaft Kujtim Dobruna
Drejtuesi i nismës ekonomike për Kosovën, Kujtim DobrunaFotografi: DW/ Esat Ahmeti

Mundësitë dhe pasojat që mund të kenë sanksionet ekonomike serbe ndaj Kosovës

Një prej masave që është përmendur shpesh në Beograd si reagim ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë ka qenë edhe bllokada ekonomike ndaj Kosovës. Eksperti i ekonomisë, drejtuesi i nismës ekonomike për Kosovën me seli në Vjenë, ECIKS, Kujtim Dobruna thotë se institucionet e Kosovës nuk duhet t'i marrin si krejt të pabaza kërcënimet serbe: 'Mendoj se këto kërcënime janë më shumë për nevojat e brendshme të Serbisë, për një marketing të brendshëm politik në mënyrë që politikanët serbë të dëshmojnë para popullatës se janë duke bërë çmos të parandalojnë pavarësimin e Kosovës. Sidoqoftë unë besoj që qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, këto kërcënime nuk duhet t'i marrë si të pabaza por duhet t'i shqyrtoj seriozisht në mënyrë që të jetë e përgatitur për të gjitha opcionet dhe alternativat e mundshme'.

Agjensia për promovimin e investimeve në Kosovë
Agjensia për promovimin e investimeve në KosovëFotografi: DW/ Esat Ahmeti

Edhe shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK ut, Poll Akda ka deklaruar të premten (18.01.) se Serbia nuk do të mund të vendosë embargo ekonomike për Kosovën, pasi që do të zhvillohen tregje tjera rajonale në vendet e Ballkanit. "Rreth 45 për qind të mallërave vijnë në Kosovë nëpërmjet Serbisë. Nga përvojat e mëparshme dijmë se gjithënjë mund të hapen tregje të reja në vendet e kësaj pjese të Evropës Juglindore", ka thënë shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK ut. Në të njëjtën linjë me zotin Akda është edhe zoti Dobruna: 'Dihet se partnerë kryesor tregtar i Kosovës është Bashkimi Evropian, pastaj vijnë vendet e regjionit si Maqedonia dhe Shqipëria andaj besoj që këmbimi tregtar me këto vende e në veçanti edhe me Malin e Zi, Kroacinë e Slloveninë do të duhej rritur. Kjo do të bëhej duke gjetur zgjidhje shtesë për transportin e këtyre mallërave përmes portit të Durrësit, të Tivarit, Selanikut etj.'

Megjithatë sipas Dobrunës një bllokadë ekonomike e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të kalonte pa dëme ekonomike dhe atë për tërë rajonin në përgjithësi: 'Një gjë dihet: të gjitha mallëratë që importohen nga Serbia pra që janë produkte serbe me përjashtim të miellit dhe të barërave nuk kanë ndonjë rëndësi strategjike për Kosovën. Prandaj qeveria e Kosovës në këtë rast do të duhej të përqëndrohej të gjej rrugëdalje të reja për zëvendësimin e këtyre importeve të rëndësisë strategjike, ndërsa për produktet tjera sigurisht që do të gjehen rrugëdalje tjera. Por edhe kjo mund të ketë një efekt ndoshta në një ngritje të përkohshme të çmimeve. Një problem tjetër është furnizimi i rregulltë me energji elektrike. Dihet se Kosova rreth 40 përqind të energjisë së saj e importon përmes Serbisë. Unë mendoj se nëse Serbia shkon në atë drejtim që ta ndërpres furnizimin me energji elektrike atëherë dihet që pjesë e këtij rrjeti ndërkombëtar janë edhe shtetet si Maqedonia, Shqipëria e Greqia dhe kjo me siguri që do ta prekte dhe misionin e Kombeve të Bashkuara, bashkimit Evropian në Kosovë por edhe edhe të NATO-s. Kështu me këtë hap Serbia do të hynte në një luftë tregtare me vendet e rajonit, me Bashkimin Evropian e me NATO-n e jo vetëm me Kosovën. Në këtë rast vet Serbia do të ishte humbësi më i madh', thekson eksperti i ekonomisë, drejtues i nismës ekonomike për Kosovën me seli në Vjenë, ECIKS, Kujtim Dobruna.