1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040311 Saudi-Arabien Proteste

8 Mars 2011

Shkëndija e protestave arabe prej kohësh ka kapërcyer në rajonin e pasur të Gjirit Persik, megjithëse deri tani ai konsiderohej si i qendrueshëm. Por a do të përhapen protestat edhe në Arabinë Saudite?

https://p.dw.com/p/10Uti
Edhe në mbretërinë e pasur me naftë kërkohen reforma demokratike.Fotografi: dpa

Tre muaj me radhë mbreti i moshuar i Arabisë Saudite Abdullah ishte për trajtim mjekësor jashtë shtetit. Një kohë, kur thuajse në të gjithë botën arabe kishte protesta kundër regjimeve në pushtet. Pas kthimit në vend në fund të shkurtit monarku njoftoi një program prej 35 miliardë dollarësh: punonjësit e shtetit do të marrin rroga më të larta, strukturat sociale më shumë para dhe projektet për ndërtim banesash për njerëzit në nevojë, më shumë mbështetje nga shteti. Ekspertët vlerësojnë se me ato para pallati mbretëror synonte të parandalonte protestat e dhunshme.

Intelektualët kërkojnë reforma demokratike

Pasi edhe në Arabinë Saudite ka thirrje për protesta: në fund të shkurtit një numër i madh intelektualësh dhe aktivistësh i drejtuan një letër të hapur mbretit, në të cilën kërkonin reforma të gjera në mbretërinë e pasur me naftë. Ata propozonin edhe kalimin në një monarki kushtetuese. Përpjekje të tilla për ndryshim lindin në kuadër të përpjekjeve për demokraci në të gjithë botën arabe, thotë shkrimtarja saudite Thuraya Al- Arrayed:

„Arabia Saudite ka pasur gjithnjë rrugën e saj për trajtimin e krizave. Dhe zgjidhjet e këtyre krizave në pjesën më të madhe kanë qenë të suksesshme. Unë nuk besoj se qeveria është kundër reformave. Përkundrazi: meqenëse ajo është në gjendje të marrë vendime, qeveria dëshëron të ndërmerren reforma."

Angela Merkel Saudi Arabien Mai 2010
Kancelarja gjermane Angela Merkel me mbretin saudit Abdullah, maj 2010.Fotografi: AP

Opozita saudite jo aq e fortë sa në Egjipt apo Tunizi

Nënshkruesit e deklaratës megjithatë kuptojnë diçka krejt tjetër me reformat. Ata duan një qeveri saudite, e cila të jetë e legjitimuar nga populli. Ata kërkojnë të drejta të barabara, ndarje të pushteteve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit. Këto reforma ka kohë që nevojiten në Arabinë Saudite, kur shihen protestat e masave në të gjithë botën arabe, theksohet në deklaratë. Megjithatë kjo thirrje nuk është e re në Arabinë Saudite, thotë eksperti për Lindjen e Afërt Guido Steinberg. Por opozita atje nuk është aq e fortë sa në Egjipt apo Tunizi:

„Për këtë arsye në mbretëri situata është pak me e qetë se në këto shtete. Me një përjashtim: qeveria saudite ka probleme të mëdha me pakicën shiite në lindje të vendit. Qeveria në Riad ka frikë nga një revoltë e shiitëve në lindje. Dhe kjo me të drejtë pasi shumë shiitë e refuzojnë rregjimin vahabist.“

Pjesa më e madhe e qeverive në rajonin e Gjirit Persik i druhen shpërthimit të një vale protestash, thotë më tej Steinberg. Megjithatë në ndryshim me rregjime të tjera, Arabia Saudite ka mjete financiare për të blerë në një farë mënyrë opozitën. Dhe vërtet duket se miliardët, që tani vendi kërkon të investojë në sistemet sociale, janë një lloj mjeti parandalues për trazira të mundshme. E megjithatë problemet në Arabinë Saudite janë të ngjashme me ato në Tunizi dhe Egjipt.

Bahrain Unruhen Proteste
Përleshje me policinë në shtetin e Gjirit Persik, Bahrejn.Fotografi: picture alliance / dpa

A mund të shmangen ndryshimet demokratike në periudhë afatgjatë?

Megjithë pasurinë e pamasë, mbretëria vuan nga papunësia e lartë në radhët e të rinjve, padrejtësia sociale, mungesa e banesave për çiftet e reja dhe korrupsioni i lartë. Megjithatë eksperti Guido Steinberg nuk e sheh të rrezikuar shtëpinë mbretërore saudite:

„Opozita mbështetet vërtet në një farë mase nga disa grupime, por shumë nga banorët në Nadxh, Hixhas dhe rajone të tjera mbështesin familjen mbretërore Sa'ud dhe janë garantë të vazhdimësisë së saj. Ata nuk refuzojnë parimisht sistemin e sundimtarit pasi përfitojnë edhe vetë nga të ardhurat prej biznesit të naftës dhe gazit.“

Megjithë thirrjet e intelektualëve për reforma demokratike dhe rrezikut, që buron nga pakica shiite, rregjimi në mbretërinë e pasur me naftë dhe ekonominë më të madhe arabe, mund të vazhdojë të jetë i sigurt, besojnë ekspertët. Por aktualisht nuk mund të thuhet nëse në periudhë afatgjatë miliardat mund të shmangin apo pengojnë reformat demokratike dhe hapjen e qartë të vendit.

Autor: Nader Alsarras / Eliana Xhani

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi