1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171011 Tunesien Wahl

23 Tetor 2011

Të dielën tunizianët votojnë për një asamble kushtetutvënëse. Të 217 deputetët do të përgatisin kushtetutën e re, mbi bazën e së cilës do të organizohen zgjedhjet e reja presidenciale dhe parlamentare.

https://p.dw.com/p/12wta
Në Tunizi votohet
Wahlen in TunesienFotografi: DW/K.Mabrouka/H.Grott

Lëvizje e majtë me orientim centrist, panarabizëm, apo socializëm shkencor? Vendimi nuk ka për të qenë i lehtë. Më shumë se 100 parti kërkojnë votën nga tunizianët sot (23.10). Vëzhguesit mendojnë se në fund në asamble do të përfaqësohen rreth 10 parti, por listës do t'i shtohen edhe kandidatët e pavarur, pra persona të paangazhuar në parti. Ky numër i madh partish, nuk është diçka e pazakontë për Tunizinë, shpjegon Asiem El Difraoui, ekspert për Tunizinë në fondacionin gjerman për shkencën dhe politikën.

"Këto parti kaq të vogla dhe në numër të madh janë një zhvillim normal, pas 30 vitesh diktaturë. Janë formuar shumë grupime, me interesa nga më të shumtat. Votuesit nuk kanë ende kulturën e duhur politike dhe as kulturën e kompromisit për të arritur tek formimi i partive të mëdha politike. Por kjo do të vijë me kalimin e kohës, partitë do të bashkohen me njëra-tjetrën, pjesërisht ato kanë filluar të bashkohen që tani dhe në fund do të kemi blloqe të mëdha politike."

Tunezianet në Gjermani përgatiten për të votuar
Tunizianet në Gjermani përgatiten për të votuarFotografi: DW

Peizazhi aktual politik në Tunizi

Që tani mund të hetohen tri rryma më të fuqishme politike. Njëra është grupimi i revolucionarëve të rinj dhe aktivistëve politikë, që duan një Tunizi tërësisht moderne, por që vetë nuk kanë krijuar asnjëherë një parti. Një palë tjetër është krahu politik i ish-anëtarëve të qeverisë, që vërtet kanë shërbyer nën regjimin e Ben Alisë, por kanë qenë opozitarë të pashpallur. Edhe këta duan një Tunizi liberale, laike dhe moderne. Por ndikimin më të fuqishëm e ka islami politik i përfaqësuar nga partia e El-Nahda (Enhada) që është persekutuar nën regjimin e Ben Alisë. Kjo parti ka shanse të mira në zgjedhjet e së dielës. Por ajo është e përçarë, vëren Klaus Loetzer nga Zyra e Jashtme e fondacionit Konrad Adenauar në Tunizi.

"Ekzistojnë dy rryma në Enhada. Njëra përkrah më shumë modelin turk, për ndarjen e islamit nga shteti.(...)Tjetra përkrah shkrirjen e fesë dhe shtetit në një, pra praktikisht të sundojë ligji i Sheriatit, që duhet të jetë edhe baza për konstituimin e shtetit dhe që do të vendosë edhe kuadrin ligjor për qytetarët."

Tunezianët festojnë rrëzimin e Ben Alisë
Tunizianët festojnë rrëzimin e Ben AlisëFotografi: picture-alliance/dpa

Ekonomia - Sfida më e madhe për Tunizinë

Nuk ka rëndësi, se cilat parti do të kenë sukses në këto zgjedhje në Tunizi, sqaron eksperti Asien El Difraoui. Ajo që dihet është se të gjitha duhet të merren me ekonominë, të përmirësojnë kushtet e jetesës së njerëzve. Kjo është sfida më e madhe për politikën tuniziane. "Ekonomia tuniziane ka vuajtur së tepërmi për shkak të ndryshimeve politike. Ajo ka pësuar rënie, turizmi nuk është rigjallëruar. Vendet e punës - kërkesa kryesore e revolucionarëve - nuk janë hapur. Të gjithë, pavarësisht partive, që përkrahin, janë të interesuar për ekonominë."

Sidomos në zonat rurale, ku filloi edhe rezistenca kundër Ben Alisë ekonomia është e paralizuar. Në këtë kontekst, rrëzimi i regjimit të Ben Alisë nuk i ka sjellë ndonjë gjë njerëzve në këto zona. Prandaj për të plotësuar kërkesat e revolucionit tunizian, zgjedhjet e së dielës janë një hap me rëndësi të veçantë.

Autor: Anne Allmeling/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica