1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Limbourg: "Proces i ndershëm për Gao Yu"

Esther Felden/exh11 Maj 2014

Arrestimi i gazetares kineze dhe bashkëpunëtores së DW, Gao Yu, kritikohet ashpër ndërkombëtarisht. Peter Limbourg shprehet i shqetësuar.

https://p.dw.com/p/1Bxg6
Intendanti i DW Peter Limbourg.
Fotografi: DW/M. Magunia

Dyshimi është konfirmuar: Gao Yu, që rezulton e zhdukur që prej muajit prill, është në burg. Ajo akuzohet për "përcjellje të sekreteve shtetërore". Sipas të dhënave zyrtare të medieve verën e kaluar ajo i ka përcjellë një "dokument shumë sekret" një "burimi jashtë vendit". Të enjten (08.05.) televizioni shtetëror kinez tregoi pamje të gazetares. Në to shihej se si 70-vjeçarja pranonte "sjellje të gabuar" të saj. Ajo shprehte keqardhje që "kishte dëmtuar interesat kombëtare" dhe kishte shkelur ligjet. Gao Yu, gjatë marrjes në pyetje nga dy policë thotë se "ka nxjerrë mësime".

Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle-s, Peter Limbourg, ka kritikuar autoritetet kineze për shkak të trajtimit të gazetares Gao Yu. "Eshtë në kundërshtim me dinjitetin njerëzor, ta prezantosh atë në televizionin kinez si një kriminele, e cila ka pranuar kryerjen e veprës, para një publiku milionësh". Gao Yu "ka të drejtën e një procesi të ndershëm dhe sipas parimeve të shtetit ligjor", tha Limbourg. Ai është shumë i shqetësuar për fatin e 70-vjeçares, e cila prej vitesh punon për redaksinë kineze të DW.

Këtë ai ia bërë të ditur edhe ambasadës kineze në Berlin dhe pas zhdukjes së papritur të Gao Yu-s ka kërkuar sqarime. "Deutsche Welle ndërton ura mirëkuptimi dhe angazhohet me vendosmëri për dialogun me Kinën", tha Limbourg, duke theksuar megjithatë: "Kjo do të thotë edhe që ne u japim të drejtë fjale edhe autorëve kritikë, të cilët nuk mund të publikojnë në Kinë". Duhet të jetë e mundur që megjithë dallimet në opinione në disa fusha, dialogu të zhvillohet i hapur dhe me respekt, tha Drejtori i Përgjithshëm i DW.

Fjalë të qarta edhe nga organizatat për të drejtat e njeriut

Edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kritikojnë ashpër sjelljen e autoriteteve kineze. Amnesty International flet për një "padi të trilluar" dhe një pranim faji "nën detyrim", thotë ekspertja për Kinën e kësaj organizate, Anu Kultalahti. "Gao është viktima më e fundit e ligjeve kineze për sigurinë shtetërore, arbitrare dhe të formuluara në mënyrë të paqartë, të cilat autoritetet i përdorin gjithnjë si pretekst, për të vënë në shënjestër aktivistët." Edhe fakti që gazetarja u arrestua vetëm pak javë para 25 vjetorit të masakrës në sheshin Tianamen, është shqetësues. "Kjo ngre pyetje serioze për motivet e vërteta të autoriteteve", thotë Kultalahti.

Gazetarja kineze Gao Yu
Gazetarja kineze Gao YuFotografi: picture alliance/AP Photo

Ngjashëm e sheh situatën edhe organizata Human Rights Watch. Qeveria kineze duhet të tërheqë pa vonesë akuzat kundër avokatit të njohur, arrestuar këtë javë Pu Zhiqiang, të sqarojë situatën e gazetares së arrestuar Gao Yu dhe të lirojë aktivistë të tjerë, të cilët janë arrestuar në prag të ditës përkujtimore të Tianamenit, kërkon organizata.

Veç kësaj qeveria kineze, në prag të 25 vjetorit të shtypjes së lëvizjes demokratike nuk duhet të arrestojë apo organizojë zhdukjen e aktivistëve të tjerë të të drejtave të njeriut. "Këto padi dhe burgosje tregojnë hapur se sa pak ka ndryshuar qendrimi i qeverisë kineze që nga viti 1989", tha Sophie Richardson, kryetare e Human Rights Watch. "Një shoqëri moderne mundëson diskutimin paqësor të historisë dhe marrjen përsipër të përgjegjësisë, një diskutim i tillë nuk duhet të ndërpritet apo të kriminalizohet.“

Pyetje të hapura për arsyet e arrestimit

Se çfarë dokumenti ka përcjellë Gao Yu, është edhe më tej i paqartë. Supozohet se mund të jetë fjala për të ashtuquajturin "Dokumenti Nr.9". Në të radhiten kërcënimet për Partinë Komuniste dhe kërkohet një kurs i ashpër ideologjik. "Informacionet në Dokumentin Nr. 9 nuk justifikojnë në asnjë mënyrë klasifikimin si sekret shtetëror", thotë Ana Kultalahti nga Amnesty International. "Nëse Gao është arrestuar vërtet pasi ka përcjellë këtë dokument, duhet të lihet e lirë pa vonesë."

Gao Yu ka punuar më parë si zv/kryeredaktore e revistës "Economics Weekly". Në vitin 2000 ajo u nderua nga Instituti Ndërkombëtar i shtypit si një nga 50 "Heronjtë e lirisë së shtypit", për angazhimin e saj të shtrirë në disa dekada. Që prej shtypjes së dhunshme të kryengritjes popullore në 1989 ajo pati vuajtur një dënim me gjashtë vjet burgim.