1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drews: Të gatshëm të evitojmë incidentet dhe tendosjet

Bahri Cani4 Maj 2012

NATO-ja, Prishtina dhe Beogradi kanë paralajmëruar për mundësnë e shkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës, në kohën e zgjedhjeve serbe. Në një intervistë ekskluzive për DW flet komandanti i KFOR-it, Erhard Drews.

https://p.dw.com/p/14prx
Generalmajor Erhard Drews, Kommandeur Division Luftbewegliche Operationen, spricht am Donnerstag (06.05.2010) vor dem Rückkehrerappell in der Georg-Friedrich-Kaserne in Fritzlar zu Journalisten. Rund 500 Bundeswehrsoldaten sind nach ihrer Rückkehr von Auslandseinsätzen in Afghanistan und dem Kosovo mit einer militärischen Zeremonie empfangen worden. In den vergangenen zwölf Monaten waren insgesamt 1300 Soldaten der Brigade am Hindukusch und auf dem Balkan eingesetzt. Die einzelnen Soldaten waren vier bis sechs Monate dorthin abkommandiert. Foto: Uwe Zucchi dpa/lhe
Erhard DrewsFotografi: picture-alliance/dpa

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Drews, në prag të zgjedhjeve presidenciale, parlamantare dhe lokale serbe, të cilat mbahen me 6 maj, në Kosovë kanë ardhur trupa shtesë nga Gjermania dhe Austria. Mendoni se me këto trupa shtesë mund të thuhet: po, situata në Kosovë do të mbetet e qetë edhe këtë fundjavë?

Erhard Drews: Forcimi i trupave me batalionin gjermano-austriak është një masë paraprake e marrë para dy javësh, kur ende nuk dihej se në  çfarë forme do të zhillohen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë. Ne jemi të kënaqur që kemi edhe këto trupa shtesë për të forcuar praninë tonë në mbarë vendin. Jam i sigurt se ne jemi të gatshëm të evitojmë tendosjet apo incidentet e mëdha në këtë fundjavë zgjedhore. Në veçanti kur dihet se OSBE-ja, në marrëveshje me Beogradin dhe Prishtinën, ka marrë përsipër përgjegjësinë për drejtimin e këtyre zgjedhjeve.

Deutsche Welle: Çfarë masash shtesë, përveç shtimit të trupave, keni ndërmarrë për kontrollin e situatës?

Erhard Drews: Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me forcat e sigurisë në Kosovë, pra me Policinë e Kosovës dhe misionin tonë EULEX, të cilat së bashku  -  si përgjegjësi i parë dhe i dytë, siç thuhet këtu - janë përgjegjëse për sigurinë në mbarë vendin.  Mendoj se ato së bashku janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë në pjesën më të madhe të vendit.  KFOR-i është pozicionuar në mbarë vendin në atë mënyrë që shumë shpejt mund të regaojë dhe të spastrojë gjërat, në qoftë se në ndonjë pjesë të vendit Policia e Kosovës dhe EULEX-i nuk janë në gjendje të përballen me situatën.

Deutsche Welle: Kur jemi tek Policia e Kosovës dhe EULEX-i, si e vlerësoni ju bashkëpunimin e KFOR-it me këto forca dhe çfarë bashkëpunimi keni me forcat serbe të sigurisë?

Erhard Drews: Bashkëpunimi në veçanti me Policinë e Kosovës është në pjesën më të madhe të vendin e shkëlqyeshme. Ne kemi lidhje shumë të ngushta prej nivelit më të lartë e deri në nivelin lokal. Kjo vlenë edhe për EULEX-in, i cili paraqet praktikisht një gjymtyrë lidhëse mes KFOR-it dhe Policisë Kosovare. Jam i sigurt se ky bashkëpunim do të jap rezultate të mira edhe gjatë fundjavës kritike zgjedhore në Serbi. Sa i përket bashkëpunimit me palën serbe, ne kemi lidhje të ngushta në procesin e implementimit të gjërave për të cilat është rënë dakord me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, në vitin 1999. Me forcat serbe si partnerë kemi një bashkëpunim shumë profesional dhe një bashkëpunim mbi bazat e mirëbesimit të plotë, sa i përket gjërave që kanë të bëjnë me kontrollin e kufirit.

Deutsche Welle: Është kufiri i Kosovës nën kontroll të plotë?

Erhard Drews: Kufiri është nën kontroll, për sa i përket bashkëpunimit të forcave serbe të sigurisë dhe KFOR-it, me qëllim kufizimin dhe evitimin e plotë të lëvizjes së grupeve të armatosura. Ndërsa sa i përket kontrollit policor dhe doganor, kjo nuk është siguruar plotësisht në të gjitha pjesët e kufirit në veri të Kosovës.

Deutsche Welle: Në veri të Kosovës ende ekzistojnë edhe të ashtuquajturat rrugë alternativie. Mbylljen e këtyre rrugëve e ka kërkuar edhe NATO-ja. Kur do t'i mbyllni këto rrugë?

Erhard Drews: Ju e dini se ne nuk jemi ndonjë mision i shtetit juridik. Kjo ëshë detyrë e EULEX-it. Detyra e KFOR-it është të koncentrohet në hapsirën e sigurisë, ndërsa e EULEX-it në zbatimin e rregullave të shtetit juridik. Në bazë të mandatit të tanishëm dhe sugjerimeve politike që vijnë nga Brukseli, KFOR-i nuk mund të zbatojë detyra shtesë që kanë të bëjnë me masat policore dhe doganore.

Deutsche Welle: Por ju jeni të ngarkuar me sigurinë në zonën kufitare. Çfarë masash jeni duke ndërmarrë për kontrollin e këtij kufiri në veri të Kosovës?

Erhard Dreës: Ajo që jemi duke bërë është mbikqyrja e tërë rajonit kufitar, përmes pikave të kontrollit, shpesh në bashkëpunim edhe me forcat serbe. Në ato fusha për të cilat kemi të dhëna se ekziston mundësia e cënimit të gjendjes së sigurisë, për shembull, përmes grupeve ilegale të gatshme për dhunë apo grupeve militante, atëherë ne vendosim pika shtesë të përkohshme apo dhe të përheshme dhe bëjmë kontrolle strikte edhe në këto rrugë ilegale.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Drews, sa reale janë paralajmërimet për shkallëzimin e gjendjes në veri të Kosovës?  Kohët e fundit ka pasur incidente serioze mes policisë serbe dhe kosovare, ka pasur në veri edhe një të vrarë, disa të plagosur...

Erhard Drews: Ju keni të drejtë, sepse në fillim të prillit ka pasur disa raste dhune e madje edhe të vrarë. Kjo ka shkaktuar një retorikë të nxehtë tek qarqet politike dhe ka rritur nervozitetin tek popullata e të dy grupeve etnike. Për fat të mirë, kjo gjendje është qetësuar pak kohët e fundit, sepse politika dhe mediat kanë zbutur retorikën e tyre. Këtu duhet shtuar se edhe KFOR-i e ka forcuar dukshëm prezencën e tij në rajonet kritike. Zgjedhjet paraqesin një rrezik të shtuar për shkallëzimin e gjendjes. Ne kemi bërë kohët e fundit analizat e gjendjes dhe së bashku me policinë vendore dhe EULEX-in jemi të bindur se në vendet e duhura kemi vendosur forcat e duhura, për të evituar me kohë shkallëzimin e gjendjes. Jam i sigurt se në dy ditët e ardhshme do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë. 

Deutsche Welle: Do të thotë, rreziku për shkallëzimin e gjendjes është në kufijtë e lejueshëm?!

Erhard Drews:  Askush nuk mund të parashikojë me saktësi se çfarë mund të ndodhë. Unë jam i sigurt se si tek pala serbe ashtu edhe tek ajo shqiptare ka persona apo grupe të cilat nuk pajtohet me mënyrën e realizimit të këtyre zgjedhjeve. Kur them se në përgjithësi nuk priten demonstrata apo lëvizje më të mëdha të dhunshme, atëherë kjo nuk do të thotë se mund të përjashtohen aktet e papërgjegjshme të ndonjë personi apo grupi më të vogël, gjë që mund të shkaktojë edhe protesta të tjera.

Deutsche Welle: Kjo natyrisht që mund të ndodhë shumë shpejt në këtë kohë të gjendjes më të elektrizuar. Ju folët për personat apo grupet e papërgjegjeshme, por kush është në fakt përgjegjës për gjendjen e tanishme në veri të Kosovës? Vitet e fundit ka pasur gjithmonë raporte për prezencën në veri të grupeve të armatosura, kriminelëve, personave të armatosur apo madje edhe policisë dhe shërbimeve të ndryshme nga Serbia. Kush e mbanë përgjegjësinë për këtë gjendje?

Erhard Drews: Përgjegjësinë e tyre për gjendjen në veri duhet të marrin si qeveria në Prishtinë ashtu edhe ajo në Beograd. Kjo përgjegjësi nënkupton një retorikë ku nuk ka vend për teprime, nxitje dhe ndezjen e gjendjes. Ditët e fundit situata është qetësuar. Përgjegjësinë për gjendjen në veri e kanë edhe përfaqësuesit lokal, të cilët jo gjithmonë ndikojnë në qetësimin e gjendjes. Por përgjegjësinë e mbanë edhe bashkësia ndërkombëtare, që ka rezultuar edhe me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Dhe më në fund përgjegjësinë e kanë edhe organizatat ndërkombëtare këtu në vend. Pra, edhe KFOR-i ka përgjegjësitë e veta dhe detyra e tij është që tendosjet t'i mbajë në nivelin më të ulët të mundëshëm dhe me ndërhyrjet me kohë të evitojë përhapjen eventuale të dhunës.

Deutsche Welle: KFOR-i ndoshta mund të mbajë gjendjen e sigurisë nën kontroll por ai me siguri që nuk mund të zgjidhë situatën. Si mund të zgjidhen problemet e tanishme në veri të Kosovës dhe çfarë duhet të bëjë më shumë bashkësia ndërkombëtare?

Erhard Drews: Ju keni të drejtë: një zgjidhje ushtarake apo e dhunshme e këtij konflikti nuk ëshë e mundur. Këtu kemi nevojë për një zgjidhje politike. Një prej rrugëve është dialogu, i cili duhet të çojë deri tek normalizimi i raporteve mes këtyre qeverive dhe vendeve. Një rrugë tjetër është çasja edhe më serioze e qeverisë së Prishtinës në procesin e  integrimit të qytetarëve të vet në veri të vendit - të cilët tani janë shumë pak të interesuar për integrim - në shtetin e Kosovës. Jam falënderues që qeveria i ka bërë hapat e parë për të bindur edhe njerëzit në veri që të jenë pjesë e shtetit të Kosovës. Kjo është me rëndësi, sepse qytetarët serbë në veri aktualisht nuk janë të gatshëm dhe nuk mendojnë që vullnetarisht të integrohen në shtetin e Kosovës.

Deutsche Welle: Pasi që serbët e atjeshëm nuk duan të integrohen vullnetarisht, cili do të ishte hapi i parë që duhet të bëjë qeveria e Prishtinës?

Erhard Drews: Unë nuk jam në pozitën e këshilltarit të udhëheqësisë së këtij vendi. Me rëndësi është që të gjithë të kuptojnë, atë që është kuptuar në Evropë, se zgjidhje të dhunshme të problemeve nuk mund të ketë. Të gjithë duhet të jenë të gatshëm të shfrytëzojnë hapsirën politike për arritjen e kompromiseve.

Deutsche Welle:  Zoti gjeneral, a ka grupe të armatosura në veri të Kosovës?

Erhard Drews: Në parim mund të thuhet se një nga pasojat e luftës dhe konflikteve të mëdha të armatosura para 12-13 vitesh është edhe mbetja e një sasie të madhe armësh tek popullata. Një pjesë e madhe e qytetarëve, pavarësisht përkatësisë kombëtare, posedon armë. Por nuk kam të dhëna për grupe armatosura militante, të cilat janë aktualisht aktive dhe kanë kërkesa politike apo qëllime kriminale. Ka gjithmonë spekulime dhe fajësime mes palëve, por deri tani nuk ka të dhëna konkrete.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral, ka pasur kohët e fundit edhe fotografi ku shihen persona civilë të armatosur, të gatshëm për vetëmbrojtje...

Erhard Drews: Fotografitë e botuara me siguri që nuk janë të faksifikuara. Por kolazhet e botuara të cilat lënë përshtypje se fjala është për grupe më të mëdha të armatosura, që veprojnë në sytë e KFOR-it, janë bërë për qëllime të caktuara. Natyrisht që ka qytetarë që posedojnë armë. Por deri tani nuk kemi parë pesona të armatosur në rrugë.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral, në mediat gjermane kam lexuar këto ditë kritika se trupat gjermane janë tërhequr tepër shpejt nga Kosova pas incidenteve të vitit të kaluar. A do të mbeten këto trupa në Kosovë edhe pas zgjedhjeve në Serbi?

Erhard Drews: Batalioni shtesë ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar zgjidhjen e tendosjeve të krijuara në kohën e zgjedhjeve në Serbi, të cilat do të zgjasin deri më 20 maj. Në qoftë se situata situata zhvillohet normalisht dhe nuk shkallëzon, shumë shpejt pas 20 majit, këto trupa do të kthehen në Gjermani.

Deutsche Welle: A mund të flitet për zvoglimin e shpejtë të trupave të NATO-s në Kosovë?

Erhard Drews: Ne jemi duke planifikuar reduktimin e trupave në Kosovë. Këto plane nuk janë të lidhura me afate kohore por me kushtet që duhet plotësuar. Këto planifikime bëhen në konsultime të përhershme me qarqet politike në Bruksel lidhur me kushtet që duhet plotësuar. Jam i sigurt se në verë do të dihet më shumë se cilat kushte duhet plotësuar, para reduktimit të trupave.

Deutsche Welle: Dihet tani ndonjë prej këtyre kushteve?

Erhard Drews: Jo, tani po debatohen ato. Kjo është një detyrë politike e cila nuk varet vetëm prej udhëheqësisë së këtushme të KFOR-it. Këtu ka nevojë për harmonizimin e qëndrimeve lidhur me gjendjen operative dhe implikimet politike. Këtë punë ende nuk e kemi përfunduar.

Deutsche Welle: Edhe sa kohë do të mbetet KFOR-i në Kosovë?

Erhard Drews: Sikur ta dija! Këtu me të vërtetë nuk mund të jap ndonjë përgjigje, sepse kjo varet nga zgjidhja politike me të cilën do të ishin dakord të gjitha palët.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Drews, a mendoni se Kosova në të ardhmen do të jetë një shtet i aftë që t'u përgjigjet sfidave të sigurisë, të kujdeset për gjendjen e sigurisë dhe të mbajë nën kontroll kufirin e saj?

Erhard Drews: Aktualisht për sigurinë në Kosovë është përgjegjëse NATO-ja dhe KFOR-i. Aktualisht nuk ka shenja të rrezikimit të gjendjes së sigurisë nga jashtë. Ju e dini se Kosova ka policinë dhe FSK, të cilat janë të armatosura me armë të lehta dhe nuk kanë detyra ushtarake apo policore. Ato janë të stërvitura për gjendje emergjente natyrore dhe reagime në raste të këtilla. Por, siç e thashë, Kosova aktualisht nuk kërcënohet nga jashtë.

Deutsche Welle: Nëse ju kuptova mirë: Kosova ka nevojë ende për KFOR-in?

Erhard Drews: Kjo ëshë e vërtetë.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Drews, falëminderit dhe shpresoj se këto ditë nuk do të jenë tepër interesante për Ju?

Erhard Drews: Por me siguri që nuk do të jenë as monotone!