1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënimi me vdekje në Bjellorusi

Angelina Verbica10 Prill 2013

Vladislav Kovaljov u ekzekutua për shkak të kryerjes së një sulmi në metronë e Minskut. Me të padrejtë, thotë nëna e tij. Në Intervistë me DW Ljubov Kovaljova rrëfen për luftën kundër dënimit me vdekje në Bjellorusi.

https://p.dw.com/p/18D58
Ljubow Kowalewa
Ljubow KowalewaFotografi: Tatjana Ivanova

DW: Zonja Kovaljova, si e keni përjetuar vitin e kaluar?

Ljubov Kovaljova: Si edhe një vit më parë, në frikë dhe shpresë. Unë nuk mund ta besoj se djali im Vladislav dhe Dimitri Konovalov janë vrarë. Mua më duket sikur djali im jeton. Ndoshta sepse unë nuk e kam parë atë të vdekur. Unë ende shpresoj për një mrekulli. Që prej arrestimit të tij kanë kaluar dy vjet. Në atë kohë nuk kishte asgjë, se si mund ta ndihmoja djalin tim. Sot unë përpiqem të mësoj nga autoritetet bjelloruse se ku është varrosur im bir. Sikur të mos kujdesesha për këtë, do të merrte fund edhe jeta ime.

DW: Ju besoni se djali juaj nuk kishte të bënte me shpërthimin në tracionin e metrosë së Minskut.

Ljubov Kovaljova: Djali im Vladislav und Dmitri Konovalov janë të pafajshëm. Një akt i tillë nuk mund të bëhet nga dy amatorë. Në të ka punuar një sistem i tërë. Ata të dy janë bërë kokë turku.

DW: Ju keni ndërmarrë një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve ndërkombëtare për një peticion online për shfuqizimin e dënimit me vdekje në Bjellorusi. Si ecën iniciativa?

Ljubov Kovaljova: Fushata nisi me ndihmën e platformës së internetit change.org para nëntorit të vitit 2011, pra para se të kryheshin dënimet me vdekje. Në atë kohë mundëm të mbledhim më shumë se 30.000 nënshkrime nga e gjithë bota për një peticion drejtuar gjykatës, në të cilën kërkonim të merreshin në konsideratë faktet e injoruara dhe të shqyrtohej përsëri çështja. Pas vendimit më shumë se 100.000 njerëz vunë firmat në letrën time drejtuar liderëve europianë. Në të unë u kërkoja atyre të ndërhynin kundër dënimit me vdekje. Unë u prita nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës. Atje paraqita një dokument në lidhje me rrjedhën e hetimeve dhe procesit gjyqësor. Por presidenti Aleksandër Lukashenko i injoroi kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare.

Vladislav Kovalyov dhe Dmitri Konovalov para gjyqit
Vladislav Kovalyov dhe Dmitri Konovalov (në kafaz) para gjyqitFotografi: picture-alliance/dpa

DW: Si reagojnë autoritetet bjelloruse ndaj fushatës suaj? Çfarë doni të arrini?#big#

Ljubov Kovaljova: Pas ekzekutimit të Vladislavit dhe Dmitrit në Bjellorusi nuk është shqiptuar më asnjë dënim me vdekje. Ne duam të arrijmë që neni 175 i kodit penal në Bjellorusi të ndryshohet. Paragrafi 5 parashikon, që pas ekzekutimit të dënimit me vdekje, trupi i të vrarit të mos u dorëzohet të afërmve. Për më tepër nuk bëhet i ditur as vendi i varrimit. Kjo është e tmerrshme, por për autoritetet shumë e përshtatshme, sepse ato mund të mbulojnë gjithçka. Në fakt pas aktvendimit në 30 nëntor 2012 u zhdukën me ngut provat. Unë i jam drejtuar KGB-së, gjykatës, prokurorisë dhe sektorit të Ministrisë së Brendshme, që është përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve. Unë doja të dija, se kush e ka kryer ekzekutimin dhe ku është varri i tim biri. Më dërgonin nga një instancë në tjetrën. KGB më çoi në gjykatë, duke thënë se ajo nuk mban përgjegjësi. Dhe në ministrinë e Brendshme thanë se i referohen nenit 175 të kodit penal dhe se "dënimet nuk bëhen publike". Me sa duket askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për pushkatimet.

DW: A e konsideroni të mundshëm një rishikim të çështjes?

Ljubov Kovaljova: Aktualisht shteti nuk do ta lejojë këtë. Edhe pse argumentat e akuzës ranë para syve tanë gjatë gjykimit. Por duhet të dini, se para se të fillonte procesi, Lukashenko i pati nderuar dhe dekoruar ata që drejtonin hetimet. Unë mendoj se çështja duhet të rishqyrtohet domosdoshmërisht. Sepse autorët e vërtetë janë të lirë dhe ne nuk e dimë se çfarë na pret.

DW: Si arrini ta përballoni këtë luftë?

Ljubov Kovaljova: Unë nuk do të heq dorë dhe do të vazhdoj të kërkoj informacione se ku është varrosur djali im. Në këtë ferr të një sistemi, në të cilin kemi rënë unë dhe im bir, mund të bjerë secili. E tmerrshmja është se ky makth mund të përsëritet tek secili. Unë mendoj shpesh se sa bij mund të binin pre e këtij sistemi dhe sa nëna si unë, nuk do të mund të flinin për netë të tëra dhe do të qanin.

Më 15 Mars 2012 në Bjellorusi u shpallën fajtorë për kryerjen e një sulmi terrorist në metronë e Minskut 26-vjeçarët Vladislav Kovaljov dhe Dmitri Konovalov. Nga shpërthimi në prill 2011 u vranë 15 persona dhe u plagosën më shumë se 300. Nëna e Vladislavit, Ljubov Kovaljova, është e bindur se fajtorët e vërtetë nuk janë identifikuar. Ajo lufton për heqjen e dënimit me vdekje në Bjellorusi.