1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210711 Weißrussland Proteste

21 Korrik 2011

Në kryeqytetin bjellorus Minsk gjatë një demonstrate paqësore kundër regjimit që u zhvillua të mërkurën(20.07) u arrestuan dhjetëra njerëz. Ripërsëritet protesta "e heshtur" kundër presidentit Aleksandër Lukashenko.

https://p.dw.com/p/120kz
Protesta në BjellorusiFotografi: picture-alliance/dpa

Tek rreth 200 njerëzit që u grumbulluan të mërkurën në mbrëmje (20.07) në sheshin e tetorit në kryeqytetin bjellorus Minsk, kishte tension. Përmes internetit ata u morën vesh që të demonstrojnnë me brohoritje cinike kundër presidentit Lukashenko. Qysh prej qershorit në këto potesta janë arrestuar gati 1800 njerëz. Shumë demonstrues u dënuan në procese të shkurtra me dënime disa ditëshe.

Frikë nga pushteti i Lukashenkos

Prezenca e policisë nuk është vënë re. Por në të gjitha qoshet e sheshit qëndronin forca speciale të shërbimit sekret të veshur si civil. Me fytyra të zymta, të bashkuar në grupe të vogla. Pas sheshit qëndronin të parkuar autobuzët, me të cilët mund të shoqëroheshin demonstruesit. Pra nuk ishte çudi që vetëm pak pjesëmarrës në miting ishin të gatshëm të jepnin intervista publikisht.

Screenshot Proteste in Minsk Belarus Weißrussland
Protesta e së mërkurës u thirr përmes internetitFotografi: www.za-avto.by

Një demonstrues thotë me guxim: "Ne kërkojmë një ndryshim të pushtetit, kjo është e qartë. Dhe ne duam zgjedhje të lira. Çdo aksion protestues ne dëshirojmë ta bëjmë duke arritur më të mirën, e cila është e bazuar në vlerat demokratike. Ne nuk thyejmë asnjë dritare, ne nuk i vëmë zjarrin makinave dhe nuk godasim askënd. Përse nuk duhet të zhvillohen protestat tona?

Një udhëheqës i një skuadre speciale të sigurimit, që ndiqte skenën, hyri me forcë me një megafon në mes dhe e ndërpreu bisedën."Qytetarë të nderuar. Unë ju bëj thirrje që të mos jepni intervista. Ky shesh nuk është menduar që ju të jepni intervista. Ju lutem që të kontaktoni në qendrën e shtypit, në qoftë se keni nevojë për ndonjë koment", foli në megafon mbajtësi i rregullit.

Policia gati për ndërhyrje

Para kësaj ngjarjeje, policët iu drejtuan sheshit të demonstruesve. Një grua e vjetër e pyetur nëse frikësohet nga veprimet e dhunshme përgjigjet: "Jo të gjithë kanë frikë. Për çfarë duhet të kemi frikë, përse duhet të kemi frikë para qeverisë sonë? Ne nuk kemi frikë para saj. Ne nuk kemi bërë asgjë. Ne e kemi zgjedhur qeverinë dhe presidentin tonë. Por presidenti nuk dëshiron të na dëgjojë neve. Ne duam të jetojmë si qytetarë të lirë dhe në një vend të lirë. Njësitë speciale OMON na rrahën neve së bashku, por për çfarë? Ne nuk bëmë asgjë të keqe".

Screenshot Proteste in Minsk Belarus Weißrussland
Një grup i quajtur "Revolucion përmes internetit" thirri protestënFotografi: www.vkontakte.ru

Numri i të pakënaqurve rritet

Këtë herë shefi i policisë e ndërpreu personalisht intervistën. " A i patë të gjitha? Unë i kam paralajmëruar ata. Ata nuk duhet të grumbulloheshin këtu. Kjo është një protestë e paautorizuar. Unë ju paralajmëroj edhe një herë! Shtypi tani 100 metra në të djathtë"!

Nisën duartrokitjet e para. Disa pjesëmarrës të dalë në anën e rrugës nisën të përplasnin duart. Në mënyrë të rrufeshme afrohen forcat e sigurimit. Shumë demonstrues u arrestuan dhe një pjesë e tyre u rrahën. Si shenjë solidariteti me pjesëmarrësit, shoferët e automjeteve filluan me rënien e borive.

Shumë vëzhgues mendojnë se numri i të guximshmëve që në të ardhmen do ta kenë kurajon për të dalë në këto lloj protestash vazhdimisht do të zvogëlohet. Por pakënaqësia e shumë bjellorusëve rritet.

Autor: Stephan Laack/Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi