1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libyen Internationale Gemeinschaft

23 Shkurt 2011

Prej mëse 40 vjetësh Libia qeveriset me dorë të hekurt prej Muammar al Gaddafit. Pas protestave në vendet e tjera arabe edhe libianët po protestojnë. BE e ka mbështetur Gadafin pasi ky hoqi dorë nga terrorizmi.

https://p.dw.com/p/10Mwm

Ne nuk dimë thuajse asgjë për gjendjen në Libi - diktatori Muamar Al-Gadafi ka bërë një punë të tërë: Sa viktima ka pasur prej sulmeve të avionëve luftarakë ndaj demonstruesve? Kush e mbështet ende Gadafin? Kush janë kundërshtarët e qeverisë? Asnjë fotografi, asnjë lajm i sigurt - asnjë emër viktimash. Libia është izoluar prej opinionit publik - dhe qytetarët e saj janë të mbyllur në Republikën Socialiste Islamike Popullore të shpikur prej Gadafit. Turp për qëndrimin e BE-së dhe regimet e saj pas debatesh për orë të tëra nuk pati as sanksione!

BE e di se me kë ka të bëjë: me një despot, i cili i konsideron si shembuj politikë Maon, Stalinin dhe Hitlerin, një mbrojtës të terrorizimit ndërkombëtar, i cili është përgjegjës për sulmet ndaj diskotekës së Berlinit La Belle dhe në Lockerbie. Për vite të tëra "Mbreti i mbretëve afrikanë" siç e quan ai veten, zhvilloi luftëra në Afrikë duke ndihmuar me armë dhe para grupime të ndryshme. Ai konsiderohet si shkaktar i destabilizimit që vazhdon ende edhe sot në pjesë të gjëra të Afrikës Qendrore.

Evropa e di këtë dhe i njeh edhe kërkesat e pamasa të Gadafit, së fundi në takimin afrikano-evropian në Tripoli. Evropa po shikon tani se çdo të thotë të bësh një njeri si Gadafi xhandar të ruajtjes së Evropës prej emigrantëve. Në radhët e refugjatëve afrikanë Libia konsiderohet si shtet policor brutal. Më tepër se dy milionë afrikanët që përpiqen të vijnë çdo vit në BE përmes Libisë mbahen nëpër kampe, të drejtat e njeriut nuk respektohen dhe ata dërgohen sërish me kamionë në vendet nga kanë ardhur. Një politikë çnjerëzore, e cila bie në kundërshtim me të gjitha normat e BE-së, dhe për të cilën BE-ja ka premtuar madje ndihma - një skandal.

Në Bruksel, Berlin, Paris dhe Madrid dëgjohej shpesh të thuhej "Ai na duhet dhe prandaj kooperojme me të". Libia është prodhuesi i katërt nga sasia i naftës në Afrikë, furnizues i rëndësishëm i Gjermanisë. Po kush bën pakt me djallin, nuk duhet të çuditet që vë në lojë kredibiltetin. Në vend të përballejes me problemet komplekse të Afrikës, është më e thjeshtë që vendet fqinjë të BE-së në jug t'i bësh të ndjekin një politikë dëbimi, pavarësisht prej të drejtave të njeriut. Ky është moral me dy fytyra, që e dëmton kredibilitetin e Evropës. BE-ja nuk duhet të mbështesë një stabilitet të rremë që bazohet tek padrejtësia dhe diktatura, si shteti i Gadafit.

Tani duhet të shpresojnë që Këshilli i Sigurimit do të mbajë një qëndrim të qartë - edhe Rusia e ka dënuar rëndë masakrën e fundjavës. Në një farë mënyre Gadafi u ka paraprirë vetë këtyre ngjarjeve me vizionin e tij të një Republike Socialiste Islamike Popullore: "Shteti i masave" që ai skicoi në vitet 70-të po vetëqeveriset dhe nuk ka nevojë për drejtues. Pikërisht për këtë po punojnë libianët. Gadafi duhet të largohet.

Autor: Ute Schaeffer

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora