1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dushan Reliq: "Ndarja e Kosovës është zgjidhja më e mirë për të gjithë"

4 Nëntor 2011

Qeveria gjermane dhe vendet perëndimore kanë kundërshtuar ndarjen e Kosovës, por qëndrimi mund të ndryshojë në qoftë se palët bien dakord, thotë Dushan Reliq nga Instituti për Shkencë dhe Politikë në Berlin.

https://p.dw.com/p/1350A

Deutsche Welle: Gjendja në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tendosur, ndërkohë që deri tani nuk është gjetur ndonjë propozim me të cilin janë dakord të gjitha palët. A ekziston ndonjë zgjidhje për veriun e Kosovës me të cilën do të mund të ishin të kënaqura Kosova, bashkësia ndërkombëtare, serbët e Kosovës dhe Serbia?

Dushan Reliq: Kjo varet nga propozimet e liderëve të këtyre dy palëve që duhet të paraqesin para elektoratit të tyre. Serbia për një kohë të gjatë po sinjalizon se është e gatshme për një lloj pazari - që të njohin pavarësinë e Kosovës si shkëmbim për një pjesë territori. Kjo zgjidhje nënkupton që veriu i Kosovës, i cili ende veten e konsideron si pjesë të shtetit të Serbisë, të mbetet në Serbi. Ndërsa Beogradi do të pranonte që pjesa tjetër e Kosovës të bëhet shtet i pavarur ose t'i bashkohet ndonjë asociacioni me Shqipërinë, në një territor të zgjeruar shqitpar. Modeli "territor për njohjen e pavarësisë", është një model të cilin Beogradi po e ofron në mënyrë diskrete për një kohë të gjatë. Por kohët e fundit ka pasur sinjale të qarta edhe nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet e këtij vendi se do të pranonin këtë zgjidhje.

Deutsche Welle: Për çfarë sinjalesh e keni fjalën?

Dushan Reliq: Dy fakte janë që qojnë në këtë konkludim. Një, ish - koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore Erhard Busek, në intervistat e fundit disa herë ka deklaruar se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhja më racionale. Busekun e njoh mirë dhe e di që si politikan i matur dhe me përvojë të gjatë, gjëra të tilla nuk flet në qoftë se më parë nuk ka marrë pëlqimin e të paktën një pjese të udhëheqësisë në Prishtinë për të lëshuar në opinion një ide të tillë. Argumenti tjetër për mua është deklarata e kongresmenit amerikan nga Kalifornia, Dana Rohrbacher, i cili për vite të tëra ka mbështetur me vendosmëri qëndrimet shqiptare në Kosovë. Në një koment në "Wall Street Journal" ai ka paraqitur idenë se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhja më e thjeshtë, e cila do të sillte një stabilitet afatgjatë.

Edhe unë mendoj se ndarja është zgjidhja më e mirë. Kjo është në interesin e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të shpenzimeve të mëdha që jepen për trupat ndërkombëtare dhe ndërmjetësimet politike, si dhe për shkak të mundësisë së shtrirjes së konflikteve nga Kosva në vendet tjera. Ndarja e Kosovës do të kushtonte më së paku - si bashkësinë ndërkombëtare ashtu edhe palët e prekura.

Deutsche Welle: Por ndarja e Kosovës me siguri që do të hapte edhe mundësinë e ndarjes së vendeve tjera në rajon, siç janë Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe jugu i Serbisë, ku shqiptarët përbëjnë shumicën...

Dushan Reliq: Mendoj se ndarja e Kosovës do të kishte një influencë minimale në Bosnjë-Hercegovinë. Beogradi dhe Zagrebi kaherë e kanë bërë të qartë se e njohin pavarësinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe se në asnjë mënyrë nuk duan të cënojnë integritetin e saj territorial. Në favor të këtij pohimi shkon edhe një argument tjetër shumë i fuqishëm: Kroacia është në prag të anëtarësimit në BE, ndërsa Serbia është tejet e interesuar për anëtarësim. Dallimi në zhvillimin ekonomik të Bosnjë - Hercegovinës në krahasim me Serbinë dhe Kroacinë është aq i madh sa që mbikqyrja e ndonjë pjese të Bosnje-Hercegovinës prej Serbisë dhe Kroacisë do të kushtonte tepër. Nuk duhet harruar edhe një fakt tjetër: në mesin e këtyre popujve ende ekziston një lloj afërsie kulturore dhe gjuhësore. Këto bashkësi etnike kërkojnë forcimin e identitetit të tyre, por ende përdorin një gjuhë të përbashkët. Mua nuk më kutjohet për shembull që Izetbegoviqi, Tugjmani dhe Millosheviqi në bisedimet e tyre kanë pasur nevojë për ndonjë pëkthyes.

Deutsche Welle: Është e vërtetë që mes popujve me origjinë sllave - serbëve, kroatëve dhe bosnjakëve - ekzistojnë ngjashmëri të shumta. Por jo edhe mes shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike në Serbi dhe Maqedoni. Shumë analistë janë të mendimit se pas ndarjes eventuale të Kosovës, shqiptarët do të kërkonin ndarjen e një pjese të Serbisë dhe Maqedonisë?

Dushan Reliq: Raporti i shqiptarëve me grupet etnike sllave është krejt tjetër: gjuha nuk është e njëjtë, ndërkohë që ekzistojnë edhe dallime të mëdha kulturore. Në fund të fundit, mes Serbisë dhe shqiptarëve ekziston edhe një konflikt i gjatë gati një shekull për kufijtë mes këtyre dy bashkësive etnike. Ju keni të drejtë kur shtroni pyetjen për Maqedoninë, sepse atje ekziston një tendencë e fuqishme e shqiptarëve për bashkim me shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri. Për këtë ekzistojnë edhe studime empirike, siç është hulumtimi i fundit i Galupit, ku thuhet se mbi 80% e shqiptarëve në Kosovë, rreth 70 % e shqiptarëve në Maqedoni dhe rreth 55 % e shqiptarëve në Shqipëri, angazhohen për krijimin e një shteti unik shqiptar. Këto të dhëna dëshmojnë se tek një pjesë e madhe e popullatës shqiptare dhe udhëheqësve të tyre ekziston dëshira dhe vullneti për krijimin e një shteti të përbashkët. Këto tendenca do të bëhen realitet brenda 5-10 vitet e ardhshme, përkundër frikës së madhe që tani ekziston tek bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë tek qarqet politike në perëndim.

Deutsche Welle: Ndarja e Kosovës me siguri që mund të nxiste edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës që të kërkojnë ndarje nga Serbia dhe bashkim me Kosovën. Sa reale është kjo kërkesë?

Dushan Reliq: Edhe këtu ekzistojnë mendime të ndryshme. Sipas një mendimi, pasi që në pjesët qendrore të Kosovës jetojnë rreth 100.000 serbë sa ka edhe shqiptarë në Luginën e Preshevës, do të ishte mirë që për shkak të ndërtimit të raporteve të mira fqinjësore të ndahen edhe këto territore. Mirëpo një gjë e tillë është shumë vështirë të realizohet. Unë mendoj se do të ishte mirë që ata të mbeten atje ku janë tani, me qëllim që këto vende të mund të dëshmojnë se janë në gjendje të rrespektojnë konventat për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin juridik.

Këto qëndrime janë në kundërshtim me qëndrimet e Berlinit zyrtar dhe vendeve perëndimore. Ato kanë kundërshtuar ndarjen e Kosovës dhe ndarjen e territoreve tjera në rajon. Pse Gjermania dhe vendet tjera perëndimore do të ndryshonin mendje dhe papritur do të mbështesnin coptimet tjera në Ballkan?

Dushan Reliq: Për qëndrueshmërinë e një politike vendosin fakte dhe raeliteti në rajon. Mua më kujtohet shumë mirë që vendet perëndimore e kanë mbështetur fuqishëm në fillim të viteve 90-të integritetin territorial të RSFJ-së. Pas ndryshimit të fakteve në rajon, ka ndryshuar edhe qëndrimi i perëndimit. Si të paprekshme për një kohë të gjatë janë trajtuar edhe integriteti territorial i Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. Gjërat kanë ndryshuar dhe Kosova me ndihmën e perëndimit tani është ndarë nga Serbia. Pra gjërat mund të ndryshojnë. Por, me rëndësi esenciale është të thuhet se elitat politike, e më vonë edhe parlamentet në Prishtinë dhe Beograd, mund të arrijnë marrëveshje për këto gjëra shumë të ndieshme, vetëm përmes një politike diskrete dhe jo përmes debateve publike.

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama